Nga Alda Merini
O imja poezi, shpëtomë,
për të ardhur te ti
bishtnoj krahët e pamposhtur të djallit:
në ëndrrën rrenacake
flak’e tij më përzhit fustanin
e unë mortin lus
për gjithë vuajtjet që m’çon.
Kurrgjë s’vlen sa gjithë jeta
por unë ngrihem e përpij
me një klithmë kohën që frymë marr,
e bëj vetëm me fatin tënd në kokë,
e ëmbla, e dlira, e bukura krijesa ime,
imja jetë e vdekje,
imja poezi e hapur triumfuese
që më vërtit thellësirash
jehona t’reja të të gjej.
E në kthehem nga rrethi i ferrit
Kthehem se ti je pranvera:
Ndaj pse s’më pranon mua filiz,
filiz të qashtër të jetës sate?
© Pruri në shqip: Aida Baro