Nga Italo Calvino
Kapitulli III (fragment)
Kapitulli III (fragment)
Unë
nuk e di në është e vërtetë ajo që thuhet nëpër libra, që në kohërat e vjetra
një majmun ishte nisur nga Roma, e duke kërcyer nga një pemë në tjetrën
kish arritur gjer në Spanjë, pa prekur
fare në tokë. Në kohën time, një vend i tillë ishte vetëm Gjiri i Ombrozës dhe
lugina e tij deri mbi kreshtën e maleve,
mbushur me pemë nga njëri cep në tjetrin. Dhe për këtë arsye vendet tona
ishin të përmendura gjithandej.
Tashmë
këto vende nuk njihen më. Çdo gjë filloi me ardhjen e Francezëve, të cilët i
prenë pyjet sikur të ishin lëndina që krasiten çdo vit e mandej rriten
sërish.
Nuk u
rritën më kurrë. Dukej si diçka që ndodhte vetëm në kohën e luftës, të
Napoleonit, e kohërave të tjera, por në fakt historia vazhdoi. Shkrepat kanë
mbetur fare lakuriq, saqë kur i shikojmë, ne që i kemi parë të lulëzuara,
prekemi thellë.
Asokohe,
kudo që shkonim, mes nesh dhe qiellit, syri të zinte vetëm degë e kurora. E
vetmja zonë, ku bimësia ishte më e ulët ishin limonat, por edhe atje mes
tyre ngrihej ndonjë pemë fiku, të cilët
pak më lart, pranë malit, e mbushnin
gjithë qiellin e kopshtijeve me kupolat e gjethnajës së tyre të dendur. Dhe në mos qenë fiq, qenë qershi me
kurora të errëta, ose ftonj të ëmbël, pjeshkë, bajame, dardha të reja, kumbulla
që kullonin lëng, e pastaj vardhëza,
çiçibanoze, si dhe mana ose arra shumëvjeçare. Pas kopshtijeve fillonte
ullishtja, gri në të argjendtë, një re që binte në sy mu në mes të bregut. Në
fund vinte fshati, i mbledhur i gjithi mes portit poshtë dhe shkëmbinjve sipër;
dhe aty mes çative mbinin vazhdimisht kurorat e pemëve: xinat, çinarët dhe
dushqet, një bimësi shumë e harbuar dhe hijerëndë që shpërthente pastaj - një
shpërthim tepër i rregullt ky - në zonën ku fisnikët kishin ndërtuar vilat dhe
kishin rrethuar me kangjella parqet e tyre.
