Pages

2/22/2020

Aida Baro: Robert Shvarc më bëri ta dua përkthimin



Intervistë dhënë gazetare Alda Bardhyli në gazetën Shqip.



Si e kujtoni grishjen drejt përkthimit të parë?

Nuk e mbaj mend realisht se kur ka ndodhur grishja e parë, por “Galeot qe libri dhe ai q’e shkroi” … pra letërsia. Qysh në fëmijërinë e hershme, biblioteka e tim gjyshi u bë pikënisja e aventurave të mia të para letrare, ku zhytesha bashkë me Guliverin dhe Robinson Kruzonë në ishuj vetmie të populluar nga personazhet e fantazisë sime. Pastaj, erdhi radha e “Iluzioneve të humbura”, “Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve”, “Xha Gorioi”, “Bel Ami” lexuar fshehurazi nga ime ëmë, që mendonte se ai libër s’i përshtatej moshës sime të vogël etj., etj.
Në fakultet, duke qenë se studioja gjuhën e kulturën italiane, dëshira për letërsinë italiane u rrit edhe më tepër dhe, mbaj mend që, kur lexova “Kolombrenë” e Dino Buzzati-t, përkthyer nga Gjergj Vlashi, më rrëmbeu e njëjta mahnitje dhe ëndje e leximeve të hershme. S’e di a u ndodh të tjerëve, sepse leximi është një përvojë krejt personale, por për mua, ata libra që më fusnin në një atmosferë ëndërrimtare e thuajse surreale, atmosferë të cilën jam në gjendje ta kujtoj edhe sot, mbartnin shenjën e librave frymëzues. Ndaj, e frymëzuar nga Buzzati, diku nga viti 1996, ende studente, nisa të përktheja tregimet e para nga një përmbledhje tregimesh “La boutique dei misteri”, rrëmuar në Spazio-n e kulturës italiane të fakultetit. “Shenjtorët” ishte tregimi i parë që përktheva, por kuptohet nuk ia tregova askujt. Shumë e ndrojtur nga natyra, nuk diskutoja për to, por vazhdoja përktheja ato tregime që më pëlqenin më tepër. Madje, deri vonë kam ruajtur edhe fletoret ku i shkruaja me dorë. Më pas, zbulova dashurinë për Pirandello-n; edhe me atë bëja të njëjtën gjë. Më lindi ideja për të bërë një triptik me tregimet e Buzzati-t, Pirandello-s e Moravia-s, nga të cilët përktheva shumë tregime, por që nuk u botuan kurrë në një libër të plotë. Tashmë një pjesë e këtyre tregimeve gjenden në blogun tim http://kurrkund.blogspot.com/. I kam hedhur në blog të paredaktuar, si për të ruajtur edhe naivitetin e dëshirës së parë, edhe gabimet, pse jo edhe talentin, të cilin do të ma pohonte më vonë vetë Robert Shvarc, shembulli që ndiqja e përpiqesha të imitoja asokohe. Më pas, do të vinte një propozim nga shtëpia botuese “Elite” për të përkthyer romanin e Italo Calvino-s, “Baronin rebel” (Il barone rampante), një nga kryeveprat e mirënjohura jo vetëm të autorit, por të të gjithë letërsisë italiane. Ishte një sprovë e vështirë, sidomos për përkthim të parë, por mesa duket ushtrimet e mëparshme me tregimet, më bënë të isha e gatshme për të marrë përsipër një vepër kaq madhore. Më pas vijuan përkthime të tjera jo aq të rëndësishme për nga autorësia, por tepër të rëndësishme për përvojën time në ushtrimin e zejes së përkthimit: “Më në fund, një shi diamantesh”, “Tangoja e harrimit”, “Zemër pasioni” nga Sveva Casati Modignani, “Xhungël buzëkuqësh” nga Candace Bushnell, “Vëllazëria e Pëlhurës së Shenjtë” nga Julia Navarro.


Cila ishte këshilla më e mirë ose forma që kishit në mendje kur nisët një përkthim?

Nuk e di, në krye s’kam pasur asnjë formë në mendje, kam pasur vetëm kënaqësinë e të humburit në një vend ku unë isha vetvetja. Me kalimin e kohës, kur po merrte formën e asaj çka doja të bëja në jetë, kuptohet që modelet kanë qenë ata që i kanë dhënë zë gjuhës shqipe: Fan Noli me shqipërimet e “Don Kishotit” e Shekspirit, por sidomos shumë kam dashur Robert Shvarc. Njohja me të më bëri përfundimisht të ngrija kokën prej zogthi të frikuar dhe ta shihja me besim përkthimin. Asokohe punoja si përkthyese në “Alba TV” dhe Shvarci vinte shpesh aty. E shikoja nga larg, e përshëndesja, doja shumë që të më lexonte ndonjë nga përkthimet e mia, ndaj, një ditë, me drojë, i afrohem dhe ndër të tjera më thotë: “Ti je ajo që bën përkthimet këtu? Që i përshtat aq bukur fjalitë e gjata në dy rreshta?” “Po”, – i them dhe, duke marrë zemër nga ky përgëzim, e pyes se a mund të më lexojë diçka që kam përkthyer. “Të shkurtër, – më tha, – se shëndeti s’më lejon.” Kësisoj, tregimin “Shenjtorët” të Buzzati-t, të redaktuar nga Shvarci, e ruaj edhe sot e kësaj dite si një nga gjërat më me vlerë të jetës sime. “Bëji me vizë dialogu, se me thonjëza bëhet puna çorbë”, ishte një nga vërejtjet e tij që e kujtoj gjithsaherë. Përpos saj, “Ke talent, vajzë, vazhdo”, ishte fraza që do të vuloste qenien time si përkthyese letrare.


Sa ndikojnë shembujt në një përkthim?

Në orvatjet e para, mendoj se ndikojnë shumë. Qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, përkthyesi ndjek ato karakteristika të aksh përkthyesi që do të donte t’i kishte të vetat. Për mua, saktësia dhe besnikëria në përkthim, përsosmëria e tingëllimit të tekstit në gjuhën shqipe, fraza e qartë, frazeologjia e pasur gjuhësore janë vetëm disa prej elementeve që kam “vjedhur” e përpunuar në vite nga të gjithë përkthyesit e nga të gjithë shkrimtarët e mirë shqiptarë, sidomos nga ata më të lashtët. Dikur, kur kisha ende kohë të lirë, një nga ushtrimet që bëja ishte përkthimi i një pjese apo poezie dhe krahasimi me një përkthim të mëparshëm. Kështu, mbaj mend që e kam bërë këtë provë me “Njëqind vjet vetmi”. Përktheja një pjesë nga varianti italisht dhe shkoja e krahasoja me vrap me përkthimin e Shvarcit. Ose krahasoja rresht për rresht “Komedinë Hyjnore” të Alighieri-t me shqipërimin brilant të Pashko Gjeçit. Besoj se kam vjelë shumë duke u përpjekur të eci në gjurmët e tyre, por ndërkohë shpresoj të krijoj një “gjurmë” timen.


Kishit momente kur donit të tërhiqeshit?

Nuk më ka shkuar kurrë ndër mend! Siç dihet, jeta s’na vjen mbroth gjithnjë dhe njerëzit shpesh janë detyruar të heqin dorë nga gjërat që duan të bëjnë për t’iu nënshtruar atyre që duhet të bëjnë. Kësisoj, ndërkohë që punoja (mbi dhjetë vjet) në një kompani celulare, në profile nga më të ndryshmet, por që s’kishin lidhje as me studimet, as me natyrën time të brendshme, nga përkthimi nuk hoqa dorë kurrë. Puna me përkthimin e filmave në televizione nga më të ndryshmet (që nga “Alba TV” e deri te “DigitAlb”-i, këto 7 vitet e fundit) më mbante të lidhur me përkthimin, më siguronte identitetin tim, mbronte karakterin tim të butë nga ashpërsimi dhe nga përplasjet me realitetin. Ka qenë gjithnjë limani im; kur mbyllesha në përkthim, ishte njësoj si leximi, nuk ekzistonin më të tjera gjëra, e kur shkëputesha prej aty, e shihja botën në një tjetër perspektivë. Kuptohet, lodhja është e madhe, honorarët lënë për të dëshiruar, por kur fati të sjell në dorë të përkthesh filma regjisorësh të mëdhenj si: Fellini me “La dolce vita”, “Amarcord”, “I vitelloni”, “Otto e mezzo”; Rossellini, De Sica, Paolo Sorrentino apo qoftë edhe komeditë italiane, që janë një kockë e fortë dhe një sfidë përshtatjeje kulturore barabar me një filozofi të tërë popullore, ngazëllehesh dhe i shijon deri në fund. Për më tepër, kur merr përgëzime nga njohës të mirë të gjuhës apo kulturës italiane, kënaqësia është e madhe. Doemos, një fije narcizimi nuk mund ta fsheh, por së pari vjen kënaqësia e një profesioni që s’e konsideroj punë.


Sa ndikon shkrimtari apo libri që po përktheni në jetën tuaj?

Varet nga libri dhe nga autori. Aktualisht po përkthej romanin “L’arte della gioia”, të një autoreje italiane, Goliarda Sapienza. Duke qenë se është zgjedhja ime, e miratuar edhe nga shtëpia botuese “Pegi”, më ka përfshirë krejtësisht me historinë e një vajze, që përmes rrëfimit të jetës së saj, na shfaq edhe një pjesë të historisë së Italisë nga viti 1900 e deri në vitet e vonshme. Më ka përfshirë për pasionin e saj për t’u kapur pas jetës me shpirt e me dhëmbë, për ta jetuar e shijuar në çdo situatë, një grua që s’ka frikë të thyejë tabu, që s’ka frikë të dashurojë qenien e individin, pavarësisht seksit. Është një libër thellësisht human dhe feminist.


Cili është ai momenti i dashurisë mes përkthyesit e shkrimit?

Ngjashmëria shpirtërore ose me fjalët e Goethe-s “afritë përzgjedhëse”. Zgjedhim dhe zgjidhemi reciprokisht me ata që na shëmbëllejnë, por që janë më të mençur se ne, më të urtë se ne, ata autorë e libra që do të donim të ishim.


2 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)






https://www.gazeta-shqip.com/2018/02/02/aida-baro-robert-shvarc-me-beri-ta-dua-perkthimin/

Uliksi dhe Penelopa, një ‘Odise’ e jetës moderne te Moravia

Interviste dhene gazetares Fatmira Nikolli per Gazeten Shqiptare 
 Në sytë e saj, Molteni do të shohë shenja admirimi ndaj Batistës, dinak, i egër, i fortë, i pasur, i zoti të mbijetojë në xhunglën e botës së konsumit. Ndërkaq, Moravia, duke sjellë krahasimin me historinë e Penelopës dhe të Uliksit, tashmë të rrëfyer në kontekst psikologjik, sipas regjisorit gjerman Reingold, e shtyn Moltenin, por edhe lexuesin vetë, drejt dilemës, nëse Molteni vërtet paraqet anën moderne, njeriun e fjalës dhe të marrëveshjes, përkundër botës barbare, të nderit dhe të forcës ku jeton Emilia”. Kështu i shpjegon përkthyesja Aida Baro personazhet e romanit të Moravias të “Përçmimi” të saposjellë në shqip me logon e “Pegit”. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’ ajo sjell konceptet dhe idetë e përçuara në vepër.


– Marrëdhënia e një çifti me diferenca kulturore e intelektuale shërben si panoramë e “Përçmimit” të Moravias për hetimin e natyrave njerëzore e për të kuptuar edhe si njerëzit një ditë reshtin së dashuri e së çmuari dikë. Sa komplekse mund të jetë jeta e një dramaturgu që nis jetën si skenarist filmash të rëndomtë, për para?
Historia e dashurisë së Rikardo Moltenit dhe Emilias nis si gjithë historitë e tjera, me pasion, përkëdheli, dashuri dhe lumturi, të cilën protagonisti vetëm më pas do ta kuptojë: “Lumturinë më të madhe njeriu e ndien atëherë kur s’është i vetëdijshëm për të”. Në fakt, “Përçmimi” nuk niset nga një tradhti, por përkundrazi nga besnikëria. Po a është gjithnjë dashuri besnikëria? Rikardo Molteni, intelektual, me vetëdije të madhe për qenien e tij si i tillë, me shumë ambicie profesionale, për hir të dashurisë për të shoqen, Emilian, e cila, portretizohet si grua e thjeshtë, pa shumë pretendime intelektuale, por që ëndërron për të pasur një shtëpi të sajën, sakrifikon karrierën e tij si dramaturg për të siguruar para. Mirëpo, dashuria e Emilias fillon të zvjerdhet pikërisht atëherë kur, sipas Rikardos, gjendja e tyre ekonomike po përmirësohej, falë skenarëve që ai po shkruante për një producent kinematografik, Batistën, i cili është krejt e kundërta e Moltenit. Në lojë hyjnë jo vetëm ndryshimet intelektuale mes çiftit, por botëkuptimet e tyre krejt të kundërta, formimi i tyre i ndryshëm sipas botës ku janë rritur dhe së cilës i përkasin. Kjo del fare mirë në pah, kur Emilia e akuzon Rikardon, madje e përçmon se ai nuk është burrë i vërtetë. Po çfarë tiparesh do të duhej të kishte “burri i vërtetë”? Rikardo zë e rindërton gjithë historinë e tyre për të gjetur atë pikë prej ku e ka zanafillën ky përçmim. Emilia vjen nga një shtresë e ulët shoqërore, në botën e saj, burri është i zoti dhe jo ai njeriu i butë dhe i hapur, pa xhelozira të kota siç është Molteni. Diku, ajo ka dyshuar se Rikardo, për të siguruar para, e ka shtyrë atë, fshehtasi, drejt pranimit të miklimit dhe joshjes së Batistës. Emilia ndihet e ndërdyshur, por asnjëherë nuk ia shpreh të shoqit shqetësimet e veta. Pikërisht nga kjo mungesë komunikimi do të rrjedhin gjithë keqkuptimet mes çiftit.
Ajo kërkon një burrë që të veprojë me më shumë vendosmëri dhe burrëri.
– Moravia rizbulon përmes Uliksit dhe Penelopës një tjetër “Odise”. Një Odise të mundshme, ku rolet e përmbysura e zhbëjnë mitin. Si është ky rilexim?
Në romanin “Përçmimi”, Moravia nuk mëton të japë vetëm krizën bashkëshortore. Si njohës i mirë i botës së kinemasë, duke qenë se edhe vetë ka shkruar shumë skenarë filmash, ai ka ndier po të njëjtat vështirësi si Molteni. Përplasjet kulturore nuk ekzistojnë vetëm mes tij dhe së shoqes, por edhe mes tij, Batistës e Reingoldit. Kinemaja shihet si botë që u nënshtrohet ligjeve të tregut, e zbrazur nga çdo pretendim dhe thelb artistik, kurse Odiseja, nuk është vetëm një shkas për të ndjekur rrjedhën e ngjarjeve, por bëhet pasqyrë ku Molteni rreket të shihet për të kuptuar atë që po ndodh mes tij dhe së shoqes.
Punën e skenaristit, ai e sheh si stërmundim, sepse skenaristi shpesh është i detyruar të pranojë çdolloj subjekti për shkak të nevojave ekonomike, e për më tepër, mundimet e tij do të mbeten gjithnjë në hije. Pikërisht producenti e urdhëron Moltenin që të bëjë një Odise spektakolare, një kolosal me vajza gjysmë të zhveshura që lahen në det, dhe një Ciklop që t’i ngjajë King Kongut. I rëndësishëm është dhe interpretimi i regjisorit gjerman, Reingold, i cili kërkon një Odise “psikologjik”, ku ndodhitë e Uliksit e të Penelopës të analizohen sipas Frojdit. Ai hedh dyshimin: Mos vallë, Uliksi është larguar nga Itaka me vullnetin e tij të lirë, sepse nuk shkonte mirë me Penelopën? Mos vallë, ka bërë të pamundurën për ta vonuar sa më shumë kthimin në shtëpi? Sipas shpjegimit të Reingoldit, Uliksi për hir të paqes dhe makutërisë për dhurata, e këshillon të shoqen t’i pranojë vardisjet e mëtuesve qysh para se ai të nisej për në Trojë, duke shkatërruar kështu, me maturinë e vet, dashurinë e Penelopës, e cila do ta pranojë të shoqin, pas kthimit, vetëm nëse ai do t’i tregojë se është “burrë i vërtetë” dhe do t’i vrasë gjithë mëtuesit. Producenti Batista është Antinou homerik, që josh Emilian në sy të të shoqit dhe Rikardoja është Uliksi modern, të cilin e shoqja nuk e njeh, njësoj si nuk njeh Penelopa Uliksin e veshur si lypës. Dhe kjo mosnjohje nga ana e njeriut të dashur shndërrohet në pamundësi identifikimi nga vetë Rikardo. Ai përpëlitet mes “Odisesë” së vet, ku Uliksi është ai që njohim të gjithë, me peripecitë e veta të kthimit në atdhe, me Mesdheun e kaltër e gjithë dritë dhe interpretimit të dy të tjerëve, por i mbetet besnik idesë së tij fillestare.
– A mund të lexojmë përmes Uliksit personazhet moderne?
Historia e Odisesë, ashtu si dhe mite të tjera të lashta, është ritrajtuar në mënyrë moderne në shumë vepra të autorëve të shekullit XX, madje dhe Xhejms Xhojsi e ka rikrijuar tërësisht në veprën e vet “Uliksi”. Edhe O’Neill ka rishkruar sipas idesë së vet historinë e Orestit. Nga tre interpretimet e personazheve, del në pah çështja se si mund të rindërtohen mitet dhe veprat klasike. Edhe Moravia merr pjesë në këtë interpretim të personazhit të Uliksit, të cilit i jep një version tjetër. Rikardo me kthjelltësi i skematizon tri versionet e mitit dhe përpiqet të nxjerrë në dritë dallimin midis “botës ideale” dhe asaj “reale”. Prandaj dhe regjisori e akuzon se Molteni aspiron për një botë të ngjashme me atë të Homerit, që aktualisht nuk ekziston. Kjo botë ideale që do të donte Molteni, ku mbizotëron sinqeriteti, një jetë e pakompromentuar nga paraja, tashmë është realisht e pakthyeshme, gjithnjë nëse ka ekzistuar ndonjëherë. Duket se shkrimtarët i tërheq ideja e miteve, sepse vetë Zotat e Olimpit janë të mbushur me vese e virtyte njerëzore po aq sa dhe vdekatarët. Forca e mitit është po aq magnetike dhe e mbushur me kuptime të fshehta që ende priten të zbulohen. Ashtu siç thotë edhe Molteni “Prapa miteve greke gjithnjë fshihen drama njerëzore pa kohë e pa vend, të përjetshme.”
– Si përballen te Moravia qytetërimi e barbarizmi dhe sa vend mbeten për keqkuptime kur vjen puna te qytetërimi si mbulojë e zvetënimit ose e anasjellta?
Tek “Odiseja”, sipas Reingoldit, Uliksi është njeriu i qytetëruar, qytetërim i nënkuptuar në të mos pasurit paragjykime. Ai përfaqëson logjikën. Kurse Penelopa nuk është e qytetëruar dhe përfaqëson “natyralizmin primitiv”. Këto dy tipologji janë në kundërshti me njëra-tjetrën si dy përvoja dhe dy figura qeniesh njerëzore në konflikt, ashtu si natyra dhe kultura. Sipas studiuesit Nicola D’Antuono del në pah një motiv shumë i dashur për Moravia-n “ideja e qytetërimit si nevojë, por edhe si zvetënim dhe degradim, që i kundërvihet arkaikes dhe primitives, dhe qëndrueshmërisë së tyre në modernizëm.” Molteni kërkon botën ideale të paqes dhe dashurisë, në kohën e sotme kur çdo gjë prishet e zvetënohet kur futet në mes paraja. Emilia ka karakterin e saj primitiv, por siç e përshkruan Moravia është “njëkohësisht e pajisur vetëm me gjykimin e shëndoshë si mjet, në mënyrë krejt të paparashikuar dhe, për mua, të errët, arrinte të formulonte reflektime dhe mendime tepër të mprehta”. Ngjan sikur secili ka të drejtë, sipas botëkuptimit të vet dhe ndoshta pikërisht janë të ndarë edhe lexuesit mes Moltenit, që mendon e bluan vazhdimisht përsiatjet e veta dhe Emilias që kërkon një figurë më burrërore përkrah.

– Nevoja për t’u asociuar me personazhet mitike, ose jo, por personazhet; nevoja për ta gjetur veten te personazhet a ndodh të na krijojë keqkuptime me atë që jemi e rrethanat tona?
Gjithçka varet nga bota ku jemi rritur e ku aspirojmë të bëjmë pjesë. Personalisht, gjatë përkthimit kam qenë gjithnjë në dilemë mes Rikardos dhe Emilias. Hera-herës, Emilia më dukej vërtet një grua mendjembyllur dhe e pakultivuar, përpos dëshirës për të zotëruar shtëpinë, një dëshirë shumë femërore në thelb, sepse krijon steriotipin e “gruas së vatrës”, që s’sheh përtej kësaj nevoje atavike, pa asnjë interes tjetër profesional apo shpirtëror. Herë-herë, bëhesha palë me Emilian dhe Rikardoja më dukej burri hutaq dhe i paaftë për t’iu kundërvënë Batistës, pikërisht nga frika e humbjes së punës apo nga një pazotësi për të kundërvepruar, edhe kur sheh Batistën t’i puthë të shoqen. Prej këtu lind dhe përçmimi i saj, që ai nuk di të sillet si burrë, se ai është i tillë nga natyra dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë. Mirëpo, nëse ai është i sigurt për dashurinë e Emilias, pse do të duhej të reagonte egër dhe “të vriste” Batistën, sipas mënyrës së Uliksit? Në kompleksitetin e ndjesive, rol të madh ka kultura patriarkale shqiptare, sepse steriotipi i burrit shqiptar është krejt e kundërta e Moltenit, e ndoshta pikërisht për këtë Molteni mund të gjykohet “i dobët” për ne. Megjithatë, ekuilibri tepër i brishtë i marrëdhënieve mund të ruhet vetëm dhe nëpërmjet komunikimit, që është dhe një prej mesazheve më të bukura të këtij romani.
– Rikardo Molteni e kërkon dëshpërimisht lumturinë, por ai gjen në fund vetëm një lloj paqeje që e ka paguar shtrenjtë, sa herë është rrekur të gjejë të vërtetën. A është ky libër ‘odiseja’ e tij?
Rikardo Molteni, në fakt, nuk e gjen kurrë paqen. Edhe zgjidhja finale që i jep Moravia është në përputhje me karakterin e tij. Molteni nuk propozon asgjë të re, ai gjen strehë te halucinacionet, tek mirazhet, tek ëndrrat me sy hapur. Pafuqia e tij shoqërore shfaqet edhe në përfundimin e ngjarjes. Ai kërkon sërish atë paqe, atje ku ka pasur vetëm iluzione. Ngjan si fundi i një ëndërrimtari të palavdi.

– Rikardo Molteni e ‘lexon’ Odisenë duke i veshur Uliksit ose duke marrë prej tij, përjetimet e çastit. Sa i lexojmë edhe veprat sipas gjendjes emocionale?
Gjendja jonë emocionale, botëkuptimi, kultura, kultivimi, ambiciet, profesionet që kemi ndikojnë tërësisht në leximet tona. Rikardo Molteni e sheh Uliksin me syrin e shpëtimtarit, duke qenë se vinte nga një kulturë klasike; Batista, me syrin e përfituesit dhe makutit për t’i sjellë publikut atë që mendon se do ta ekzaltojë dhe do t’i mbushë plot sallat e kinemasë, si pasojë edhe xhepat e tij; Reingoldi, gjermani i kalitur me idetë e Frojdit kërkon të rrëmojë në thellësi të qenies njerëzore duke e dekonstruktuar mitin, deri në zhbërje.
Përballë këtyre, mbetet lexuesi, i cili do t’i shohë personazhet dhe do t’i përjetojë sipas gjendjes së vet emocionale dhe mendore.

Historia e përkthimit në Shqipëri, s’ka njohur shkolla të mirëfillta përkthimi




nga Aida Baro


Shkrim për revistën letrare ExLibris.




Në një poezi të poetes polake Wislawa Szymborska janë dy vargje, të cilat po i riprodhoj në italishte, duke qenë se gjuhën polake nuk e njoh: Morire quanto necessario, senza eccedere./ Ricrescere quanto occorre da ciò che si è salvato. Janë dy vargje që sa herë jam përpjekur t’i përkthej, asnjëherë s’kam arritur të ndihem e kënaqur me rezultatin. Të jetë, vallë, paaftësia ime si përkthyese? Apo mungesa e njohjes së gjuhës origjinale? Sidoqoftë, konteksti është i tillë: në det, ekziston një kafshë e quajtur kastraveci i detit, i cili, për të hutuar dhe për t’i shpëtuar një grabitqari, ka aftësinë të ndahet më dysh, një pjesë që rrëmbehet nga grabitqari, por pjesa tjetër vijon të jetojë dhe të rigjenerohet.
Në njëfarë mënyre, kjo ndodh edhe me përkthimin letrar. Nuk ekziston një përkthim tërësor, i fjalëpërfjalshëm apo i përshtatur a i shqipëruar, në duam ta themi, që të mos humbasë diçka: çështja është çfarë dhe sa do të humbasë, në favor të kujt dhe sa do të fitojmë, për t’ia përcjellë tekstin lexuesit sa më afër asaj ç’ka dashur të krijojë autori. Në këtë kuptim, në përkthimin letrar duhet të ruhen patjetër kumti i autorit, atmosfera e tekstit, ose fryma siç më pëlqen ta quaj gjithnjë, dhe stili i autorit. Nuk ka rëndësi nëse zgjedhim një fjalë që nuk përkon pikë për pikë me atë që ka përdorur autori, për sa kohë që mendimi dhe atmosfera që ka krijuar ai na vjen e plotë. Në këtë rast, përkthyesi kthehet në njëfarë mënyre në krijues dhe mosbesnikëria kthehet në besnikërinë më të madhe.

Pikënisja ideale është, sigurisht, leximi kuptues i gjithë kompleksitetit të tekstit. Para së gjithash, një përkthyes është një lexues i fortë dhe më pas një krijues. Gjatë procesit të leximit duhet të marrë një pozicion, pra të futet në lëkurën e autorit dhe të përpiqet ta shohë ngjarjen a subjektin me qartësi sa më të madhe. Mirëpo, vija që e ndan rikrijimin nga përkthimi është shumë e hollë dhe kërkon një ekuilibër të madh nga ana e përkthyesit për të mos dalë mbi autorin. Personalisht, jam munduar gjithnjë të ndjek këmbë pas këmbe autorin përmes kuptimit të tekstit dhe kjo bëhet duke hulumtuar e duke bërë kërkime të shumta rreth tekstit që po përkthen, stilit të autorit, regjistrit që përdor ai, recensioneve të ndryshme apo studimeve që janë bërë mbi autorin.

Dëgjoj herë pas here përkthyes të ndryshëm që thonë “unë kam stilin tim”, por a mund të ketë një stil të caktuar një përkthyes i mirë? Sigurisht që ai mund të ketë bagazhin e vet kulturor dhe leksikor, por këto duhet të vihen në funksion të autorit. Për shembull, nga veprat që kam përkthyer, autorë si Goliarda Sapienza, Primo Levi e Alberto Moravia nuk mund të kenë assesi të njëjtin stil. Nëse Goliarda Sapienza, te “Muza e haresë” të “lë dorë të lirë” dhe mund të shprehesh me një fjalor të lulëzuar, shprehje frazeologjike pa fund, madje dhe të kuturisësh në dialekt apo të folme të vjetra, për Alberto Moravia-n në romanin “Përçmimi” (që do të botohet në shtator 2019) është më i rëndësishëm mendimi i lartë, por i shprehur qartë, me kthjelltësi dhe ndërgjegje intelektuale; nga ana tjetër, Primo Levi tek “Armëpushimi” është tepër elegant në gjuhë, tepër aristokrat në ligjërim dhe tepër i sofistikuar në mendim, madje me një ironi kaq të hollë gati të pabesueshme. Tani, është e pamundur që këta tre autorë kaq të ndryshëm mes tyre të përkthehen në të njëjtën mënyrë, t’u vishen shprehje frazeologjike atje ku s’duhet, për hir të asaj që “shkon më shumë në shqip”, të bësh të flasë me gjuhën e një intelektuali një fshatare të humbur si Modesta në fillimet e saj, apo të vësh në gojën e Levit, i rritur dhe i arsimuar me një italishte klasike, shprehje a fjalë popullore. Në njëfarë mënyre, përkthyesi, siç thotë Floberi: “duhet të jetë i padukshëm dhe i plotfuqishëm në veprën e vet, të ndihet kudo prania e tij, por të mos shihet asnjëherë.”

Një nga përvojat e mia përkthimore përfshin edhe përkthimin audiviziv, filma dhe dokumentarë të ndryshëm. Kuptohet që secili drejtim ka elemente krejt të ndryshme nga përkthimi letrar. Ajo që në dukje ngjan më zbavitëse për njerëzit që nuk ia njohin vështirësitë, është kleçka më e madhe për një përkthyes: filmat komikë. Në këta filma, është e pamundur të ruash trajtën e përkthimit letrar dhe domosdoshmërisht do të kalosh në përshtatje, madje edhe në shqipërim, sepse në këtë rast kemi të bëjmë me një përkthim tërësisht kulturor: një batutë humori e përkthyer fjalë për fjalë do të ishte një dështim i vërtetë, që nuk do të shkaktonte të qeshura te shikuesi, përkundrazi, do të shpinte në keqkuptim dhe keqpërkthim.

Kjo na shtyn të mendojmë se përkthimi, përshtatja apo shqipërimi nuk mund të ndahen me thikë dhe se duhet zgjedhur njëra prej tyre se s’bën, por qëllimi është të ruhet forma dhe përmbajtja e tekstit të përkthyer sa më pranë frymës dhe mendimit të tekstit në gjuhën burimore.

Një nga pyetjet më të shpeshta që më bëhen, është: “Cilën duhet të dish më mirë, gjuhën e huaj apo gjuhën shqipe?” Në fakt, një përkthyes që nuk di gjuhën e vet do të ishte një përkthyes i dobët, madje i keq; dhe këtu s’e kam fjalën për një bagazh fjalësh të mjaftueshme për përditshmërinë, por një njohje të thellë dhe rrënjësore të gjuhës amtare, e cila do të ndihmonte këdo në përkthim. Ka kaq shembuj përkthimesh të fjalëpërfjalshme të shprehjeve të huaja frazeologjike, të ngulitura tashmë në mendjen e të gjithë njerëzve, sa unë vetë ndihem si jashtë kohe kur u them gjegjësin në shqip. P.sh., shprehja “si qershia mbi tortë”, e përkthyer nga italishtja “la ciliegina sulla torta” që ka kuptimin “në një situatë pozitive, i shtohet diçka që e bën edhe më të mirë” ka gjegjësin e saj të bukur në shqip “si lulja në thile”, pikërisht, pra, lulja që zbukuron edhe më diçka që është tashmë e bukur, një veshje, një fustan, një kostum etj.

Kjo na sjell te një tjetër problem i madh në përkthimin e sotëm në gjuhën shqipe: te “përkthyesit e improvizuar” do t’i quaja, sepse me një vetëbesim të çuditshëm për nivelin e njohjes së gjuhës së huaj, kuturisin të marrin përsipër përkthime letrare pa ia pasur idenë strukturës dhe sintaksës së gjuhës shqipe (gjëja minimale që duhet të mbajë parasysh një përkthyes) dhe përfundojmë me një tufë përkthimesh të anglishtëzuara, por me fjalë shqipe. Dhe këtu nuk po përmend “përkthyesit fejsbukorë”, që nuk njohin mirë as shqipen e as gjuhën nga e cila përkthejnë, por thjesht se i kap mania e protagonizmit na zgjohen papritmas “përkthyes”.

Edhe shtëpitë botuese ndonjëherë janë të detyruara nga rrethana të caktuara të përkthejnë një libër nga gjuha origjinale, por duke mos pasur përkthyes të mirëfilltë letrarë nga ajo gjuhë. Në këtë rast, dilema është e madhe: “Më mirë një përkthyes i dobët nga gjuha origjinale apo një përkthyes i mirë nga një gjuhë e dytë?” Nga ana tjetër, ka shumë gjuhë të tjera, si p.sh. islandishtja, norvegjishtja, japonishtja etj., për të cilat nuk kemi përkthyes as të mirë, as të improvizuar. Ngrihet pyetja: “A do të duhet të përkthejmë letërsi nga këto gjuhë?” Apo është më e mirë mosnjohja e letërsisë së këtyre vendeve? Unë do të preferoja një përkthyes të mirë dhe të përgjegjshëm nga një gjuhë e dytë, me gjithë rreziqet e keqkuptimeve që mbart kjo punë. Në këtë rast, përkthyesi nga gjuha e dytë mund edhe të përdorë një tekst krahasimi nga një gjuhë tjetër, për të qenë në njëfarë mënyre i sigurt për atë çka nxjerr nga duart.

Historia e përkthimit në Shqipëri është shumë e afërt dhe, për fat të keq, nuk ekzistojnë shkolla të mirëfillta përkthimi, për më tepër të përkthimit letrar. Pra, në njëfarë mënyre, përkthyesit letrarë kanë zgjedhur ta bëjnë këtë punë herë për pasion, herë për hir të patriotizmit për të pasuruar kulturën shqiptare me autorë të vyer, siç bëri Noli me Shekspirin, apo siç ndodhi me përkthimet e pjesshme apo të plota të Homerit, të përkthyera nga Pashko Gjeçi, të cilat zor se mund të përsëriten më. A do të duhej të ripërktheheshin? Patjetër, sepse gjuha është organizëm i gjallë, ndryshon nga brezi në brez, jo më ndër gati një shekull diferencë, por nuk mund të hidhen në turrën e druve të gjithë ata që kanë punuar në këtë zeje kaq të vështirë dhe të keqshpërblyer, si atëherë, si sot.






"Ne Radio"

Muza e haresë dhe e lirisë së gruas

Intervistë dhënë për Gentlewomen Magazine.
Modesta, personazhi qendror i librit “Muza e haresë” është një vajzë plot kontradikta brenda vetes që ka lindur dhe është rritur në një ambient të vështirë, siç është Siçilia. Autorja e këtij libri, Goliarda Sapienza, si një vazhduese e linjës së Virginia Woolf dhe Simone de Beauvoir, këtë herë në Itali, është përpjekur të sjellë një karakter kompleks, që aq sa dëshiron lirinë si qenie grua, aq edhe vepron kundër grave të familjes së saj.
A është thelbi i mungesës së lirisë a të keqes tek vetvetja, apo tek gruaja? 
Aida Baro, shqipëruese e “Muza e haresë”, përcjell disa nga mesazhet qendrore të veprës në këtë intervistë për GW. 

Modesta, një personazh mjaft kompleks, dhe do të thoja kontroverse është produkt rrethanash sociale të kohës në vendlindjen e saj, Siçili, apo një kundërshembull i tyre?
Modesta është personazhi femëror më kundra rrymës që ka sjellë letërsia italiane bashkëkohore. Gati-gati, të krijohet përshtypja se nuk mund të ekzistojë një personazh i tillë në jetën reale, por mendoj se Goliarda Sapienza ka portretizuar tek ajo dëshirën e saj për të qenë ndryshe, për të mos qenë pjesë e korit, por një soliste e denjë e jetës së saj, dëshirën e saj për të qenë e lirë, qoftë dhe duke iu kundërvënë gjithë botës. Dhe këtë e fillon me nënën e saj, e cila do të jetë e para në vargun e vrasjeve të grave që do të kryejë Modesta për të arritur lirinë. Për të, thelbi i së keqes është gruaja. Jo më kot i portretizon të ëmën dhe të motrën si dy gra të shëmtuara, murgeshat e manastirit po ashtu, dhe përkundrazi gjen të pashëm, pra të këndshëm, Tucun e Mimon, të vetmet figura mashkullore dashamirëse, që do ta shoqërojnë gjithë jetën, edhe në mendimet e saj më intime.
Modesta na dëften që uni i saj, egoja e saj, nuk mund të zhvillohej brenda mureve të një manastiri apo kufijve të një çifligu, por si për ironi të fatit pikërisht aty ajo fillon të zotërojë fjalën, shkrimin, mendimin, kupton rëndësinë e dijes, sidomos për pavarësinë e një gruaje. Dhe pikërisht për t’u çliruar prej vargonjve që i ka vënë shoqëria, çelësat e së cilës i mban gruaja, ajo do të vrasë më pas edhe kryemurgeshën Leonorë dhe princeshën Gaja. Vrasja duket si e vetmja zgjidhje e mundshme në kërkim të identitetit të saj dhe prandaj ajo gjithçka e kryen me gjakftohtësi dhe përllogaritje.
Në vazhdim, atëherë kur Modesta merr në dorë frenat e jetës së saj, del haptazi ideja se ato katër gra personifikonin të ligën e gruas kundër gruas dhe përpiqet e bëhet e kundërta e tyre, idealet e saj intelektuale dhe socialiste shkojnë përtej caqeve të një ishulli apo të një dogme e ideje partiake.
2. Çfarë sjell ky libër në aspektin e feminizmit? Si përballet personazhi kryesor me mjedisin tipik patriarkal?
Unë e shoh Modestën si personazhin femëror që ka realizuar vetveten. Goliarda Sapienza ka arritur të krijojë atë grua, që kishin nisur ta skiconin më parë Virginia Woolf e Simone de Beauvoir. Nëse personazhet e tyre mbeteshin në stadin e ëndërrimit dhe të luftës për pavarësi, te Modesta është realizuar liria e plotë individuale e qenies.
Të mos harrojmë përjetoi periudhën kur feminizmi u bë më i dukshëm, lufta e grave për të fituar të drejtat e tyre zbriti në sheshe, kështu që për t’u rritur, Modesta duhet të çajë rrugën e saj në shoqëri, duhet të heqë dorë nga çfarëdolloj mbrojtjeje mashkullore për t’u njohur dhe pranuar si individ. Qoftë dashuria e saj me Xhoisin, gruan misterioze psikanaliste, qoftë me Karminen, qehajain e çifligjeve të princeshës.
3. Pse ky kalim i autores nga rrëfimi në vetën e parë te narratorja/në vetën e tretë?
Romani është cilësuar si një roman formimi dhe krahas historisë së Modestës rrëfehet edhe historia e Italisë nga viti 1900 deri në vitet ‘60. Stili i romanit, në fakt, ndryshon sipas pjesëve që është ndarë romani. Nëse në pjesën e parë të tij, struktura u ngjan romaneve të shekullit XIX, pra, ka një ritëm më të shtruar dhe më intim, nga pjesa e dytë e më tej, ritmi përshpejtohet, hyn në formën e romaneve moderne. Pjesë e këtyre “trillive” të autores është edhe kalimi nga veta e parë në të tretën, në njëfarë mënyre, ajo herë bëhet pjesë e rrëfimit dhe herë e sheh nga jashtë, herë bëhet një “përrua ndërgjegjjeje”, herë një dëftuese, por asnjëherë gjykuese.
4. Sa e vështirë ka qenë për ty përshtatja e dialektit të Italisë së jugut me dialektin e Shqipërise së jugut? Disa shembuj. 
Në të vërtetë, vështirësia nuk qëndronte vetëm në përshtatjen e dialektit siçilian, por te kuptimi i regjistrave të ndryshëm gjuhësorë që përdor autorja. Që nga dialekti siçilian në fëmijërinë e Modestës, me gjuhën dhe rrëfimin e shtruar me larmi ngjyrash e tonalitetesh që na shfaqin një mjedis fshati, një mendësi të mbyllur; te gjuha e murgeshave, plot me referenca biblike dhe histori shenjtorësh; te gjuha e Gajës, princeshës dhe plakës së mençur që është e prerë dhe e ashpër, te gjuha e Modestës tashmë intelektuale; te Nina e burgosura nga Roma, që flet në të folmen romane, plot me shprehje frazeologjike dhe ironi therëse.
Zgjedhja ime për të përdorur të folmen e jugut rrjedh së pari nga fakti që nuk mund të përshkruhej ndryshe fryma dhe mjedisi siçilian, plot plantacione portokallesh, rrethuar me detin dhe me horizontin kufi. Së dyti, nuk e zotëroj dialektin geg, ndonëse në dilemat e para ishte dhe ky variant, dhe do të dilte diçka kallpe, pa natyrshmërinë dhe rrjedhshmërinë e duhur. Dhe si përkthyese, një ndër gjërat që vlerësoj më tepër, përpos besnikërisë ndaj tekstit, është rrjedhshmëria dhe fryma që do të marrë ai tekst në gjuhën tonë.
Ndërsa për të folmen e Ninës romane zgjodha të folmen e Tironës, sepse i përshtatej shumë mendësisë dhe karakterit të saj energjik.
Për shembull, për fjalën carusa/caruso (ragazza/ragazzo në italishte/ vajzë e re, djalë i ri), kam përdorur “koce” dhe “birçe”, siç i thonë në Vlorë dhe Labëri; për fjalën figghia (figlia/bijë) kam përdorur “bilë” (bijë) siç i thonë kryesisht në Gjirokastër. E shumë e shumë të tjera. D.m.th, kam shfrytëzuar të gjithë fondin gjuhësor të Jugut, ose të paktën atë fond që kam në njohuritë e mia, që mendoj se vijnë edhe nga rrënjët e familjes sime.
“Si arrite të më shpëtonje na zjarri i math, Tucu?”
“Ndënë njërin krah ty dhe ndënë tjetrin, Tinën e shkretë, e gjitha e
përzhitur, sa ngjante mu si copë dru kur bënet qymyr.
“Po pse s’e le atje të përcëllonej? Vetëm mua të më kishnje shpëtuar.”
“Pa shih ç’llomotit kjo koce shpirtzezë! Po e the edhe njëherë tjatër,
ty, për Perëndi, ty do të të lë të digjeç, pa çka se më je llërëbardhë dhe e
kolme si një pëllumbeshë.”

5. Çfarë e bën gjithëkohore personazhin e Modestës? A është ajo e vetmuar?
Modesta është një personazh revolucionar, ose më saktë një grua revolucionare dhe jo më kot Sapienza u ndëshkua me mosbotimin e këtij romani në gjalljen e saj. Dhe në këtë kuptim, ajo është e vetmuar, sepse askush nuk donte të botonte një roman blasfemues, që thyente tabutë e të gjitha dogmave apo ligjeve që ishin shkruar për gratë. Nga ana tjetër, sot, mendoj se Modesta nuk është më e vetme, ka shumë Modesta të tjera që po i bashkohen në jetën reale, sepse është një nga personazhet më frymëzuese dhe më të gjalla, që ta përcjellin dëshirën dhe të shtyjnë të reagosh, të ngresh krye.

Dashuria e pacipë e Goliarda Sapienza-s me Milan Kunderën

Intervistë dhënë gazetares Ani Jaupaj per gazetën "Panorama"

Ndryshe nga ç’mund të jetë rituali klasik i një përkthyesi, ku botuesi i propozon një libër, ai e pranon ose refuzon referuar subjektit, gjuhës etj. (megjithatë punon për nevojë të të punuarit), me “Muzën e haresë”, me ty, di që nuk ka ndodhur kështu. Ke shkuar te libri nga autorja, Goliarda Sapienza. Ç’ka qenë kjo orë që ju lidhi dhe, siç është e natyrshme të pyetet për dashuritë, si u gjetët?
Ishte një dashuri nga ato që s’të ndodhin në jetën reale, por vetëm nëpër libra. Dhe Goliarda Sapienza, së cilës nuk ia kisha dëgjuar emrin kurrë deri në maj 2013, hyri tepër befasisht dhe u bë përnjëherësh pjesë e rëndësishme e jetës sime. Një intervistë e saj në “RaiStoria”, që po e ndiqja, fillimisht pa ndonjë kureshtje të veçantë, do të bëhej galeot i gjithë rrugëtimit që do të merrte udhë më pas për përkthimin e “Muzës së haresë” në gjuhën shqipe.
Një grua e moshuar, në të shtatëdhjetat, me sy levarashë, me atë dritëzën e zgjuarsisë dhe të shpotisë që kanë zakonisht njerëzit e rrahur me vaj e uthull nga jeta, përgjigjej serbes edhe për pyetje nga më intimet. Thuajse, një grua e pacipë. Dashuria e saj me Milan Kunderën, seksi me të (ai, i mësuar me ato pelat serbe, e kishte shkalafitur atë krijesë delikate që ishte Sapienza dhe kjo s’kishte pranuar më të bënte dashuri me të), dashuria e lirë dhe pa kushte, liria personale për të zgjedhur një bashkëshort njëzet vjet më të ri se vetja, ajo lloj lirie që nuk cenon askënd në veçanti, por ama hedh në erë tabutë e një shoqërie të ndryrë brenda kornizash konvencionale e të rreme, përvoja e saj në burgun e grave, hyrje-daljet në spitalet psikiatrike ishin si një ftesë për ta jetuar jetën në të gjitha përmasat e saj, pa frikë, pa gjetur qoshen e ngrohtë e të sigurt që mendojmë se do të na ngushëllojë.
Goliarda, pavarësisht se gjatë viteve kishte pësuar edhe depresione, kishte bërë orvatje për vetëvrasje (gjëra që i mësova më vonë), të ftonte ta jetoje jetën me guxim, duke iu gëzuar çdo përvoje, madje edhe dhembjes, edhe vuajtjes.
Dashuritë kanatë të Modestës, qoftë me burrat a me gratë, ngjajnë me ato të Goliardës. Ajo, njësoj siç i jetonte, ashtu edhe i tregonte. Të zhvlerëson sinqeriteti i autores në ato pak intervista që ka dhënë, kur flet për marrëdhënien me Milan Kunderën, nevojën për të njohur burgun, psikiatrinë… Ti i ke dëgjuar, por duhet të dijë diçka edhe lexuesi në mënyrë që të shkojë drejt “Muzës”.
Gjatë leximit të “Muzës”, si dhe duke u njohur përditë e më shumë me karakterin e Goliarda Sapienza-s, vihet re një tipar i veçantë i saj: liria individuale dhe brishtësia. Të paktën, përpiqej me të gjitha format e mënyrat të ishte e lirë, nuk rrekej të ishte e përsosur, përkundrazi. Për më tepër, zgjedhjet e saj në dashuri nuk kishin të bënin me gjininë apo me seksin në vetvete, por me qenien.
Goliarda pati një lidhje të gjatë dashurie me një nga regjisorët më në zë të viteve ’70 në Itali, Citto Maselli-n, një lidhje që shkonte përtej dashurisë, sepse si aktore që ishte, ata shkruanin skenarë, bashkëpunonin nëpër sheshxhirime, bënin regji filmash së bashku. Por më pas, njohu një djalosh njëzet vjet më të ri se vetja, me të cilin u martua. Kur e pyesnin miqtë se pse pranoi të martohej me të, përgjigjja e çarmatosëse ishte: “Ai më donte dhe unë nuk doja ta zhgënjeja”.
Modesta e romanit është alteregoja e Goliardës, sepse vepron dhe sillet pikë për pikë siç do të donte të bënte Goliarda e brishtë. Madje, ka edhe karakteristikat e nënës së Goliardës, Maria Giudice-s, gruas së parë që u vu në krye të Dhomës së Punës në Itali, gazetare dhe sindikaliste revolucionare, një grua sa e guximshme, që u shkon gjërave deri në fund, ndonëse në fund të jetës do të pësojë një formë të rëndë depresioni, gjë që do ta trashëgojë edhe vetë shkrimtarja.
Sinqeriteti i saj e ka forcën pikërisht tek aftësia për të shprehur lirisht emocionet dhe nxitjet e brendshme të rrëmuara në nënvetëdije, që ajo arrin t’i sjellë në sipërfaqe duke shpalosur kështu natyrën e vërtetë të njeriut, që s’është vetëm i mirë ose i keq, vetëm homoseksual ose heteroseksual, por një qenie komplekse ku kapërthehen të gjitha instinktet më bazike, deri te mendimet më të larta e të përpunuara. Jo më kot, kritikët francezë e kanë quajtur “një heroinë niçeane plot me ide marksiste dhe pikërisht ky paradoks, pavarësisht vullnetit të autores së vet, e bën një roman modern”.
A ishte “Muza e haresë” ajo që e përfaqësonte Goliardën, me gjithë ç’ishte, më shumë se veprat e tjera? Pse zgjodhe këtë e jo një tjetër?
“Muza e haresë”, ndonëse një libër i konsideruar skandaloz, mbetet kryevepra e Goliarda Sapienza-s dhe duke dëgjuar intervistën e saj, ende pa lexuar librin, nisa të përfytyroja këtë grua, Modestën, rebelen që s’gjen kurrë prehje. Kuptohet, shtysa e parë ishte personale, unë si natyrë kam dashur të bëhem rebele, por s’ia kam dalë dot mbanë. (Ju lutem, mos e merrni me të qeshur, edhe rebelimi lind me njeriun.) Kështu që, si natyrë, ndihem më tepër afër Goliardës sesa Modestës, ndaj edhe Modesta në këtë rast mbetet alteregoja ime.
Ndoshta edhe e grave të tjera, si agjentja letrare gjermane, përkthyesja franceze dhe botuesja franceze që panë atë vullkan idesh dhe force që zotëron një grua. Ishin pikërisht ato të parat që, “pa smirë dhe zili femërore”, ndjenë shpirtërisht të afërt një feministe dhe mbi të gjitha, një njeri të vërtetë. Ndoshta ky libër është një mjet, që ka bërë bashkë shpirtra të ngjashëm nëpër botë. Kësisoj, nuk e bëra të gjatë dhe e mbajta frymën në librari për të kërkuar “L’artedellagioia”, kryeveprën e saj, që më rrëmbeu akoma më shumë sesa autorja. Ia propozova Loretës, botueses së “Pegit”, duke e përfshirë dhe atë në vorbullën e entuziazmit për një shkrimtare të panjohur, por të mrekullueshme.
Duhet të flasim për përkthimin. Do ketë me siguri lexues që nuk do të jenë familjarë me dialektin jugor, madje që mund t’i konsiderojnë edhe gabime. A e mendove këtë kur nise përkthimin apo kokëkrisja e Goliadrës të kishte frymëzuar sa duhet?
Frika e moskuptimit ekziston gjithmonë. Siç thashë edhe më lart, nuk jam rebele nga natyra dhe vendimi për t’iu qasur “Muzës” në frymën e dialektit nuk më erdhi si pasojë e ndonjë nevoje për revolucion përkthimor. Për më tepër që dialekti nuk mbizotëron në të gjithë romanin, gjë që besoj lexuesi do ta kuptojë se kjo gjë është bërë në funksion të tekstit dhe jo nga padituria e përkthyesit. Romani ndahet në katër pjesë.
E para rrëfen fëmijërinë e Modestës në një fshat të humbur të Sicilisë, larg detit, dhe gjuha e përdorur nga shkrimtarja është e mbushur me të folurën krahinore, shprehje frazeologjike, kurse disa prej dialogëve janë mirëfilli në dialektin sicilian. Dhe dora-dorës, me rritjen dhe arsimimin autodidakt të Modestës, ndryshon edhe gjuha e saj. Pjesët e tjera të romanit janë në shqipe standarde, kuptohet asnjëherë aq e thatë e zyrtare sa ç’mund të jetë standardi, por siç thashë më lart, kam ndjekur ritmin e ndryshimeve të shkrimtares.
Në pjesën e katërt, hyn edhe një personazh tjetër, Nina, një revolucionare nga Roma, me të cilën Modesta takohet në burg, pra në rrethana aspak të zakonshme, dhe Nina flet në dialektin roman, të cilin e kam shqipëruar me atë të Tironës së vjetër. Për të tëra këto vendime më është dashur të studioj librat e Musine Kokalarit, një shkrimtare e shkëlqyer, që në dy vëllimet e veta ka sjellë gjithë frymën e zakonet e Gjirokastrës së viteve ’30, me dialektin gjirokastrit, si dhe disa shkrime të Mustafa Greblleshit për të folmen e Tironës.
A pate momente, rrugës, gjatë të cilave u pendove për vendimin e marrë? Qoftë edhe për shkak të vështirësive?
Shpeshherë u tundova para idesë se do ta kisha më të thjeshtë ta përktheja në shqipe standarde, mirëpo domosdoshmëria e tekstit burimor ta impononte, përndryshe do të “tradhtoja” gjithë frymën e librit dhe vetë Goliardën.
Goliarda është një autore që është pranuar vonë edhe nga shtëpitë botuese, edhe nga lexuesit në Itali e Europë. Ndoshta ende ka që nuk e pranojnë. Ç’përshtypje ke marrë nga lexuesit shqiptarë?
Duhet ta pranoj që me shumë miq e kam diskutuar kaq gjatë historinë e Modestës, saqë entuziazmi im për të i ka molepsur dhe ata dhe më kanë ndihmuar shumë në përhapjen e lajmit gojë më gojë. Panairi i 19-të i librit, që sapo u mbyll, qe një sukses për “Muzën” edhe falë besimit të tyre ndaj zgjedhjes dhe përkthimit tim. Për më tepër, përshtypjet e lexuesve të tjerë të panjohur kanë qenë shumë të mira. Mendoj se “Muza e haresë” dhe Modesta shumë shpejt do të kthehen në muzë frymëzimi për shumë e shumë të tjerë.

http://www.panorama.com.al/dashuria-e-pacipe-e-goliarda-sapienza-s-me-milan-kunderen/

Modesta, “zuska” që do të zbusë shoqërinë patriarkale shqiptare




Një nga librat që ka bërë më tepër inpakt vitet e fundit të vendin tonëështë padyshim edhe “Muza e Haresë” e autores Goliarda Sapienza. I përkthyer dhe i përshtatur me mjeshtëri në gjuhën tonë Kryeredaktorja e shtëpisë botuese “Pegi”, Aida Baro, e cila është kujdesur për të na tregon detaje rreth këtij botimi. Një libër aq sa tërheqës edhe i fortë ndaj qasjes së një bote femërore të eksploruar më parë, ku vetë mendimet, ndjesitë e autores pasqyrohen veshur nga manteli i tregimit artistik.
“Muza e Haresë” tashmë ka 2 vjet në tregun shqiptar, kohëmëse e mjaftueshme për të arritur në disa konkluzione jo vetëm në aspektin e biznesit, por më tepër në atë të përqafimit të një letërsie të guximshme femërore, të shkruar vite më parë, por që ndoshta në koncept është edhe mëi përparuar se shoqëria jonë. Doja disa nga këto konkluzione që ju vetë si përkthyesja e librit, më saktë si ajo që e risjellë atë nga origjinali do të veçonit?
“Muza e haresë” qysh në ngjizjen e vet ka pasur një histori të vështirë. Goliarda Sapienza-s iu deshën mbi 10 vjet për ta shkruar e, për fat të keq, ajo kurrë s’arriti ta shihte dritën e botimit të këtij romani. Qasja e këtij libri ndaj botës, përpos skandaloz, ishte dhe revolucionar e, në një Itali tepër katolike, ishte e vështirë që një libër që përshkruan një grua të lirë si Modesta të botohej e t’i jepej vendi i duhur. Në Shqipëri, për fat të mirë, është pritur shumë mirë. Lexuesit kanë ditur të kapin thelbin e asaj gruaje të pamposhtur, të mbërthyer me thonj e dhëmbë pas jetës, por jo duke u ankuar për vështirësitë e sfidat, por duke përjetuar çdo gjë me hare, me gëzimin e të jetuarit.
Mirëpo, më ka bërë përshtypje diçka. Kur doli libri në fillim, njerëzit e lexonin titullin “Muza e harresës” dhe kjo më la një shije trishtimi e ndërdyshjeje, jo sepse “hareja” është një fjalë e rrallë dhe e pandeshur, por njerëzit kanë harruar të jetojnë hareshëm, të shijojnë e të luftojnë pa humbur gëzimin e jetës. Në njëfarë mënyre, Modesta u kujton se nga vështirësitë më të madha, nga sfidat thuajse tëpamundura, lindin edhe haretë më të mëdha e përmbushjet shpirtërore. Ky është kumti më i madh që, të paktën, me ata lexues me të cilët kam komunikuar, kanë arritur ta kapin dhe ta bëjnë të vetin: liria për të vendosur dhe entuziazmi për të arritur çdo gjë, qoftë edhe ato që duken të pamundura.
Një libër që është shumë larg natyrës femërore të brishtë, të pafajshme pak a shumëçfarë paraqitet përgjithësisht në letërsi. Jemi përpara një fëmije, vajze dhe gruaja nëçdo në hap apo etapë e ka ditur mirë çfarë ka dashur dhe kostot për t’i arritur. Sa e vështirë ishte që “Modesta” të bëhet “shqiptare” të vishet me gjuhën tonë në artikulimin e mendimeve dhe të arrijë të përçojë atë që duhet tek lexuesi?
Vërtet, Modesta nuk është heroina e romaneve, me të cilët jemi rritur ne. Ajo është krejt e kundërta e tipologjisë së personazheve femërore, që bien lehtë në dashuri, që bëhen viktima të mjedisit ku jetojnë, bëhen pre e ndjenjave të tyre të brishta, qëëndërrojnë princa të kaltër që t’i shpëtojnë nga gjendja ku ndodhen; është e kundërta e të gjitha Ana Kareninave, zonjave Bovari, Hirusheve a Borëbardhave, fati i të cilave varet nga “dashamirësia” e një burri. Jo, Modesta e bën vetë fatin e saj, në të mirë e në të keq, me gjithë pasojat e mundshme që mund të vinin prej veprimeve të veta.
Për mua, personalisht, ndjekja e Modestës në rritjen e saj ishte një sprovë e vështirë përkthimi, sepse duhej ta ndiqje në formimin e saj si grua, si individ, si intelektuale e mendimit të lirë, që nga fëmijëria në një fshat të humbur të Siçilisë e deri në të gjashtëdhjetat e saj. Gjithë kjo jetë, kuptohet qëështë dhënë nga Sapienza me ndryshime të mëdha në regjistrin e gjuhës, ajo është një fshatarkë djallëzore, që flet në dialektin siçilian, me shprehje frazeologjike të larmishme, dhe në çastin që zbulon një bibliotekë të madhe në shtëpinë e princeshës, ku e strehojnë, për të gjithçka ndryshon. Zbulon se librat i hapin dyer të reja, i japin atë liri për të cilën ajo ka ndier nevojën dhe vetëkuptohet që edhe gjuha e saj ndryshon, derisa kthehet në një intelektuale të mirëfilltë, gjuha e saj kalon në një stad më të lartë letrar, të përpunuar e të stërholluar. Të gjithë këtë rrugëtim, pra, jam munduar ta përcjell pa i humbur asgjë nga fryma e saj, duke i përshtatur dialektin toskë, me të folmen e Labërisë e të Bregut, sepse edhe atmosfera e këtyre mjediseve përkon shumë me atë të Siçilisë: deti, plantacionet me limona e portokaj, varfëria e skajshme e disa katundeve etj. Por edhe nga pikëpamja e botëkuptimit, sidomos ai i Karmines, qehajait të princeshës Gaja, nuk ndryshon shumë nga ai i një labi: i fortë, i sertë, që flet me romuze, ama zemërbutë, kur bie në dashuri. Them se tashmë Modesta dhe Karmine mund të gjejnë të ngjashmit e tyre ndër shumë shqiptarë.
Sa mund të arrijë një libër i tillë të lëvizë sado pak diçka në ndryshimin e mendësive apo pse jo edhe të “skandalizojë”?
Qëllimi im që nëçastin që mora përsipër ta përktheja ky ishte: çelja e një plase, e një dritëze në murin e egër të mentalitetit shqiptar, që vajzat e gratë të frymëzohen dhe të kuptojnë se për jetën e tyre kanë të drejtë dhe duhet të vendosin ato vetë. Mund të organizosh konferenca pa fund për emancipimin e gruas, por atë frymëzim që ta jep letërsia zor se mund të ta japin orë të tëra konferencash të pakuptueshme shkencore.
“Skandali” në këtë rast është liria që frymëzon ky libër dhe frika e burrave se gratë që i konsiderojnë si pronë të mos u binden më verbërisht.
Unë uroj me gjithë shpirt që të ndodhin sa më shumë “skandale” të tilla, që vajzat e gratë të mos jenë më viktima të dhunës verbale apo fizike, por të bëhen të vetëdijshme për forcën e madhe që zotërojnë brenda tyre.
A konsiderohet “Modesta” një e ‘përdalë’ në shoqërinë patriarkale shqiptare?
Ndoshta, Modesta i ka ndarë njerëzit në dy kategori: në ata që e duan pa kushte, sepse kuptojnë përmasën e saj për të vendosur për jetën e vet dhe në ata që e quajnë “të përdalë”, “bishtpërdredhur”, “zuskë” etj. etj. (Siç e shikon, shqipja është kaq e pasur me sinonime për të përcaktuar një grua që s’i përgjigjet imazhit të gruas “së mirë”, por kjo ështëçështje tjetër.)
Sidoqoftë, revolucionet më të mëdha emancipuese për gruan nuk ndodhin duke plotësuar shëmbëlltyrën dhe detyrat që na ka caktuar shoqëria, por duke i thyer këto, ndaj duhet guxim së pari për të njohur veten dhe aftësitë e tua si grua e si individ e pastaj për t’ia përplasur shoqërisë të vërtetat e veta.
Justifikohet çdo veprim i “Modestës” për lirinë e saj, apo edhe vetë Goliardës i duhej një “stop” në një moment të caktuar?
Dilemat në këtë rast janë shumë të mëdha, sidomos nisur nga shprehja “Liria ime mbaron aty ku fillon liria jote”. Vetë Goliarda në fakt, duke u rritur në një familje anarkiste, ka pasur përplasje të mëdha në jetë, rregullat e imponuara nga shoqëria binin ndesh me shpirtin e saj të lirë, me moralin e saj të ndryshëm nga ai i shoqërisë. Mirëpo në kushte për jetë a vdekje, njeriu nuk e parashikon dot si do të reagojë. Ndaj, unë mendoj që Goliarda ka hedhur në letër ato çka morali i kohës e ndalonte t’i bënte realisht.
Sa “Modesta” ka parë Aida në gratë shqiptare dhe ku qëndron çelësi për të marrë sadopak tipare të saj?
Çdo vajzë shqiptare, që përpiqet të dalë nga qerthulli i sëmurë i mjedisit të mbytur ku jeton është një “Modestë”. Çdo vajzë, që përpiqet të arsimohet (dhe për mua personalisht këtu është thelbi i qenies sonë), që del kundër mentalitetit mashkullor të familjes e shoqërisë patriarkale, që punon e lufton çdo ditë me dinjitet për t’u realizuar e plotësuar si individ është një “Modestë” luftëtare. Vetëm kështu, me dinjitet dhe respekt për veten do t’i bëjmë vend vetes si gra, pa u mundur të zëmë vendin e burrave siç donte të bënte Dija në romanin “Sikur të isha djalë”. Le të na peshojë mendimi dhe fjala jo sepse kemi zënë vendin e një burri, por se jemi individë dhe qenie barabar të mençura e të forta sa ata.
Po te vetë ju sa ka ndikuar përkthimi i këtij romani?
Them se ka ndikuar shumë, më ka dhënë forcën për të vazhduar përpara për të realizuar gjërat që dua në jetë, e mbi të gjitha më ka frymëzuar për të përballuar me hare çdo sfidë dhe çdo vështirësi.


http://bitchmagazine.al/kulture/goliardes-aides-apo-ty-ciles-i-jep-jete-modesta/

2/11/2020

Autotomi



Nga Wislawa Szymborska



Në rast rreziku, holoturia copëtohet më dysh:
një pjesë të vetes ia lë botës së panginjur,
me tjetrën, merr arratinë.

Vrik ndahet në rrënim e shpëtim,
ndëshkim e shpërblim, ç’ka qenë e ç’do të jetë.

Në mes të trupit i hapet një hon
me dy brigje krejt të huaja.

Në njërin vdekja, në tjetrin jeta.
Këtej dëshpërimi, andej besimi.

Në ekzistoftë një peshore, pjatat nuk lëvizin.
Në ekzistoftë drejtësia, ja pra tek e keni.

Të vdesësh aq sa ç’lypset, pa e tepruar.
Të rilindësh aq sa duhet, nga ajo çka shpëtuar.

Vërtet, edhe ne dimë të ndahemi më dysh.
Por vetëm në mish dhe pëshpërimë të brishtë.
Në mish dhe poezi.

Nga njëra anë gryka, nga tjetra e qeshura,
e lehtë, e mbytur shpejt.

Këtej zemra e rënduar, andej "non omnis moriar",
Veç tri fjalë të shkurtra, tri pendë të një flatrimi.

Honi nuk na ndan.
Honin e kemi përqark.



Përktheu: Aida Baro