Pages

Showing posts with label Giuseppe Ungaretti. Show all posts
Showing posts with label Giuseppe Ungaretti. Show all posts

10/27/2021

Çereku i mbramë

Nga  Giuseppe Ungaretti 

(1927)



Hënë,
O pendë qiellore,
Kaq e tejpashme,
Akull,
Murmurimën e frymëve të zhvoshkura bart?

E fytyrëzbehtës, vallë, ç’i thonë,
Lakuriqët prej rrënojave të teatrit.
Po në ëndërr ato dhi,
E mes gjethesh të thara si tym i ndryrë
Ai bilbil
Me klithmën e tij të kulluar?

Ne shqip: A. Baro
Nga vëllimi "Ndjenja e kohës" 

Foto by Ilir Ciko.

3/17/2021

Ujdhesa (1925)


Giuseppe Ungaretti



Te një breg ku e përjetshme ish mbrëmja
Me të moçme selvi mendimtare, zbriti,
Dhe thellë kuturisi
Në beh e zu fëshfërim’ e flatrave
Që nga regëtima e çjerrë
E ujit të zhuritur u ngrit,
E një vegullí dalloi (aty venitej,
Aty gjallohej);
Tek ngjitej sërish pa
Që nimfë ish ajo e më këmbë
Flinte, me vidhin qafuar.

Vetmevete tek endej nga përhitja
Në shpuzë të gjallë, në një lëndinë shkeli ku
Hija në të virgjëreshave sy
Nanuritej si
Mbrëmja rrëzë ullinjve;
Rigonin kurorat
Një shi të plogët rrezesh,
Dhentë koteshin
Nën të butën ngrohtësirë,
Të tjera savanin e përndritur
Nduknin;
Duart e bariut, qelq i
Lëmuar nga eth’ e mekët.

Në shqip: Aida Baro

---
Photo: Anja Bührer

Lindja e aurorës - Giuseppe Ungaretti





Me petkun e butë e brerore,
Syfshehur,
Plot shpoti, ngjan se të grish,
E prej gjirit,
Të zbehtën lulethëngjill
Zhvesh e hedh, e dëlira natë.

N’atë çast ndahet më e para bardhëllimë
Nga më e fundit drithërimë.

Në t’qiellit zgrip, e irnosur vorbullën gris.

Me gishtërinj të smeraldtë
Valë të vagullta thurin
Pëlhurë.

E të praruarat hije, tek heshtojnë të gjallat
Psherëtima të vetvetishme,
Në vilarë të hollë i kthejnë hullitë.

Në shqip: Aida Baro

4/12/2020

Dhembshuria


Nga Giuseppe Ungaretti



Njeriu, o univers i përjetshëm,
Kamjen pandeh se shumon
E nga t’tijat duar të ethshme
Pa pra veç kufij dalin.

Mbërthyer pas boshit
Në t’vetën rrjetë merimange,
S’i druhet e nuk josh gjë
Përveç klithmës së vet.

Kalbjen sfidon tek ngre varre,
E kur mendon për ty, I Amshuar,
Veç blasfemitë i kanë mbet’.


Perktheu: Aida Baro
Paint: El Greco - The annunciation

11/18/2011

O NATË

Nga Giuseppe Ungaretti
(Shkëputur nga "Ndenja e kohës")




N’angështin’ e madhe t’agut
larohen tej kurorat.

Zgjime sëmbuese.

Gjethe, motra gjethe,
ofshamën tuaj mbaj vesh.

Vjeshtrat,
gëzime të mekura.

O rini,
Posa ka shkuar koh’e ndarjes.

Qiejt e lart’ të rinisë,
Hov i lirë.

E tash shkreti' jam.

Humbur në k’të melankoli pa kthim.

Por nata davarit largësitë.

Heshtje oqeanike,
Fole dritëlargëta iluzionesh.

O natë!