Pages

12/27/2018

Hareja e fundosjes

Nga Giuseppe Ungaretti







E sakaq rinis
lundrimin
sikurse
pas fundosjes
i mbijetuari
ujk deti.


Versa, 14 shkurt 1914


12/03/2018

Në gjurmët e Tulipanit të Zi - Tea Stilton






Kushdo nga fëmijët që ka lexuar apo dëgjuar historitë gazmore të Jeronim Stiltonit nuk ka sesi të mos ia ketë dëgjuar emrin Tea Stiltonit, motrës së Jeronimit, që është edhe e dërguara e posaçme e "Jehonës së Brejtësit", gazetës më të famshme të Ishullit të Miushëve.
Ndryshe nga Jeronimi, Tea është një vajzë e shkathët, e zgjuar, që i ka qejf udhëtimet, aventurat dhe të njohë sa më shumë njerëz të rinj. Ajo është gjithnjë e pranishme në jetën dhe bëmat e Jeronimit, madje shpeshherë pikërisht ajo e shtyn Jeronimin të ndërmarrë aventura nga më të jashtëzakonshmet.
Kësaj radhe, Tea na rrëfen historinë e saj dhe të grupit të shoqeve që ka njohur në kolegj. Ato kanë krijuar grupin Tea Sisters (Motrat Teat) dhe sa herë që ndokush prej tyre ndodhet në vështirësi, mblidhen të gjitha për ta ndihmuar. Ato janë heroinat e forta dhe gazmore të Miushërisë.
Tea dhe shoqet e saj, Niki, Koleta, Violeta, Paulina dhe Pamela nisen për në Holandë për të ndihmuar të atin e shokut të Violetës, Janit, i cili është zhdukur në mënyrë misterioze, pasi ka krijuar një lloj të ri tulipani. Një brejtëse misterioze ka shtënë në dorë këtë tulipan të rrallë. Tashmë, Tea Sisters do ta kërkojnë nëpër gjithë Holandën tulipanin e zi dhe babanë e Janit, mes kalimeve të kanaleve me barkë, shëtitjeve me biçikleta, kopshteve të lulëzuara dhe mullinjve me erë. Në këto kërkime përzihen dhe miqësia, dashuria për natyrën dhe artin.
Fëmijët nga mosha 8 vjeç e lart mund të mësojnë shumë gjëra të reja dhe kuriozitete për Holandën dhe Amsterdamin, kryeqytetin e saj.
Përveç anës gjeografike, libri është i pajisur me informacione mbi kopshtarinë, muzeumet, piktorët e njohur apo dhe lojëra të ndryshme zbavitëse që i ndihmojnë fëmijët të zgjerojnë njohuritë përmes lojës dhe argëtimit.