Pages

Showing posts with label Pier Paolo Pasolini shqip. Show all posts
Showing posts with label Pier Paolo Pasolini shqip. Show all posts

3/08/2016

Një ditë vjeshte

Nga Pier Paolo Pasolini






Ishim çiliminj
nën këtë çati
nën po të njëjtin diell,
dhe zemra sëmbuar barabar nga mërzia.
Mërzi se rronim
gjithë dritë të butë
dhe ngjyra vezulluese.
Mërzi’ fëminie
me plot kohë përpara
i lumë e i sigurt, jetë e njëmendtë.
Tash kthehet e pafund
pa të ardhme, e lodhur.
O trupi im i mplakur
në këtë rini
të paqtë si dita,
ngrohu nën këtë diell
që mos të t’duket ëndërr
kur në një jetë tjetër të rrosh.


© Në shqip: A. Baro

5/01/2015

Të panjohur në qytet

P.P. Pasolini - Nga komenti i filmit “Ignoti alla città”

Përtej qytetit lind një qytet i ri, lindin ligje të reja atje ku ligji është armik, lind një dinjitet i ri atje ku s’ka më dinjitet, lindin hierarki dhe marrëveshje të pamëshirshme në grumbujt e barrakave, në zonat pa fund e anë ku pandeh se mbaron qyteti, mirëpo aty rifillon, rifillon armik për mijëra herë, në labirinte plot pluhur, në fronte shtëpish që mbulojnë horizonte të tëra.
Me qenë i varfër, me qenë kokëulur, me fjet dhjetë veta në një kthinë, me pas një babë që mban të njëjtat tesha prej dhjetë vjetësh, me pas një nënë që bërtet në shtëpi si burrat, me pas vëllezër me të cilët flet vetëm për t’u grindur e për t’u rrahur, mos me ditë kush është lagjja jote, mos me pas veçse nja dy shokë vulëhumbur, mos me njohë asnjë fe.
Mos me pas një kacidhe për tramin, me zvarrit këmbët nëpër kalldrëm, me u ul mbi barin e qelbur dhe mbi copërina, me gjet ngushëllim te pamëshira.
Me pas ra nga gjoksi i nënës mbi baltën e pluhurin e një shkretëtire që i do të lirë e të vetmuar, me qenë rrit në një pyll ku bijtë luftojnë me bijtë për t’u mësuar me jetën e të rriturve, me qenë të rinj në një qytet të krijuar për mëshirën dhe pasurinë, pa njohur asgjë tjetër pos urisë së vet.
Puna: njëqind lireta për nënën dhe njëqind lireta për t’u zbavitur. S’kanë gjë tjetër në zemër veç dëshirës për t’u zbavitur. Qyteti është ngasje fund e majë.
Djaloshit të rrugës që i bie bretku për të fituar ndonjë dyshkë, s’ia ka ënda punën: ka lindur i lodhur.
Askush s’e di se ç’shpirt të lehtë e gazmor kanë djemtë e rrugës. Ata janë cinikë, të rrahur me vaj e uthull, të gatshëm për çdo gjë, por mjafton një bluzë dhe një palë atlete, që të dalë në shesh se edhe më kapadaiu ndër ta drithërohet.
Ndonjë vjedhje të vockël, ndonjë grabitje pa qeder. Kësisoj përfundojnë ndonjëherë në "Porta Portese", në burgun e tyre. Atje brenda fryhen në tymosje. Jashtë, shokët e tyre e dinë që ata brenda çfarë s’do të jepnin për një paketë cigare.

Eksperimenti i prurjes ne shqip ne gjysmegegnishte, imi. A. Baro

6/16/2012

Unë jam një fuqi e së Shkuarës

Nga Pier Paolo Pasolini


Unë jam një fuqi e së Shkuarës,
veç tek tradita gjendet dashuria ime.
Vij nga gërmadhat, nga Kishat,
nga shtyllat e altarëve, nga mëhallat
e braktisura mbi Apenine ose nga Prealpet,
ku kanë jetuar vëllezërit.
Endem nëpër Tuskulanë si i marrë,
përgjatë Apias si një qen pa zot.
Sodis muzgjet, agimet
mbi Romë, mbi Çoçari, mbi botë,
si veprat e para të Pashistorisë
ku jam pjesë si shkak i privilegjit t’lindjes,
nga zgripi më i skajshëm i ndonjë epoke
të varrosur. I përbindshëm është ai që ka lindur
nga barku i një gruaje të vdekur.
Dhe unë, kërthi i rritur, endem
më mendjeçelët se çdokush tjetër,
në kërkim vëllezërish që s’janë më.


***

Io sono una forza del Passato.
Solo nella tradizione è il mio amore.
Vengo dai ruderi, dalle Chiese,
dalle pale d'altare, dai borghi
dimenticati sugli Appennini o le Prealpi,
dove sono vissuti i fratelli.
Giro per la Tuscolana come un pazzo,
per l'Appia come un cane senza padrone.
O guardo i crepuscoli, le mattine
su Roma, sulla Ciociaria, sul mondo,
come i primi atti della Dopostoria,
cui io sussisto, per privilegio d'anagrafe,
dall'orlo estremo di qualche età
sepolta. Mostruoso è chi è nato
dalle viscere di una donna morta.
E io, feto adulto, mi aggiro
più moderno d'ogni moderno
a cercare i fratelli che non sono più.

Perktheu: Aida Baro

6/15/2012

Fragment vdekjes

 Nga Pier Paolo Pasolini


Prej teje vij e kthehem tek ti,
ndjesi e lindur me dritën, me t’ngrohtin,
pagëzuar kur vaji prej kërthiu ish hare,
njohur si Pier Paolo
në zanafillën e një epopeje të ethshme:
kam ecur nën dritën e historisë,
por, ngaherë, qenia ime qe heroike,
nën sundimin tënd, mendim intim.
Mpiksej në fashën tënde të dritës
në mosbesimet mizore
të flakës sate, çdo bëmë e vërtetë
e botës, e asaj
historie: dhe tek ajo ndodhte e plotë,
Aty humbiste jetën për ta marrë sërish:
Dhe jeta ish reale veç po t’qe e bukur…

Hovi i rrëfimit,
në krye, mandej hovi i qartësisë:
prej teje lindte, hipokrite, e zymtë
ndjesi! Dhe tash,
le t’fajësojnë çdo pasion timin,
t’më përbaltin, t’më thonë i pabesë,
i shthurur
i djemnuar, axhami,  shpërbetar:
ti më veçon,  më jep sigurinë e jetës:
jam në turrë drush, luaj me  zjarrin,
dhe fitoj, këtë të paktën,
të pafundmen timen prehje, fitoj të pafundmen,
të mjerën timen mëshirë
që ma shndërron dhe mërinë e drejtë n’mike:
mund ta bëj, sepse shumë të kam hequr!

Kthehem te ti, siç kthehet
një emigrant në vendin e vet dhe e rizbulon:
kam vënë pasuri (në mendje)
dhe jam i lumtur, bash
siç kam qenë dikur, zhveshur rregullash.
Një zemërim i zi poezie në kraharor.
Një pleqëri e marrë rioshi.
Dikur hareja jote pështjellohej
me tmerrin, përnjëmend, e tash
thuajse me tjetër gaz,
myrrëtuar, shterpë: pasioni im i zhgënjyer.
Tash më kall datën vërtet,
sepse më je vërtet pranë, zhytur
brenda tërbimit tim, të t’errëtës
uri, të ankthit thuajse prej krijese të re.

Jam i shëndoshë, siç do ti,
neuroza më përdeget pranë,
shterimi më rreshk, por
s’më pushton:  krah meje
qeshet drita e fundit e rinisë.
I kam marrë të gjitha ato që doja,
tashmë:
madje kam shkuar edhe më tej
për ca shpresa të botës: i zbrazur,
ja tek je, brenda meje, tek mbush
kohën time dhe kohërat.
Kam qenë i arsyeshëm dhe kam qenë
i paarsyeshëm: gjer në fund.
Dhe tash… ah, shkretëtira e shurdhër
prej erës, i mahnitshmi e i fëlligti
diell i Afrikës që ndriçon botën.

Afrika! E vetmja
mundësi e dytë imja.


***

Përktheu: Aida Baro

10/13/2011

SEKSI, NGUSHËLLIM I MJERIMIT


Nga Pier Paolo Pasolini











Seksi, ngushëllim’ i mjerimit!
Ujkonja është  mbretëreshë, froni i saj
një gërmadhë, toka e saj një copë
lëndinë e pëgërë, skeptri i saj
një çantë e kuqe e feksur:
Leh natën, e ndyrë dhe e egër
si një mëmë e lashtë: mbron
mallin  dhe jetën e vet.
Rrufjanët, aneqark, luzmë,
kapadaij e çehrevrarë, mustaqellinj
brindizinas a sllavë, janë
krerë, mëkëmbës:  ujdisin
në terr, punët e tyre njëqind liretëshe,
duke i shkelur syrin sho-shoqit në heshtje, parrulla
duke shkëmbyer: bota, e përjashtuar, hesht
rreth atyre, që krejt janë vetpërjashuar,
kërma të heshtura grabitqarësh.