Pages

Showing posts with label baroni rebel. Show all posts
Showing posts with label baroni rebel. Show all posts

12/04/2011

BARONI REBEL


Nga Italo Calvino
Kapitulli III (fragment)



Unë nuk e di në është e vërtetë ajo që thuhet nëpër libra, që në kohërat e vjetra një majmun ishte nisur nga Roma, e duke kërcyer nga një pemë në tjetrën kish  arritur gjer në Spanjë, pa prekur fare në tokë. Në kohën time, një vend i tillë ishte vetëm Gjiri i Ombrozës dhe lugina e tij deri mbi kreshtën e maleve,  mbushur me pemë nga njëri cep në tjetrin. Dhe për këtë arsye vendet tona ishin të përmendura gjithandej.
Tashmë këto vende nuk njihen më. Çdo gjë filloi me ardhjen e Francezëve, të cilët i prenë pyjet sikur të ishin lëndina që krasiten çdo vit e mandej rriten sërish. 
Nuk u rritën më kurrë. Dukej si diçka që ndodhte vetëm në kohën e luftës, të Napoleonit, e kohërave të tjera, por në fakt historia vazhdoi. Shkrepat kanë mbetur fare lakuriq, saqë kur i shikojmë, ne që i kemi parë të lulëzuara, prekemi thellë.
Asokohe, kudo që shkonim, mes nesh dhe qiellit, syri të zinte vetëm degë e kurora. E vetmja zonë, ku bimësia ishte më e ulët ishin limonat, por edhe atje mes tyre  ngrihej ndonjë pemë fiku, të cilët pak më lart, pranë malit,  e mbushnin gjithë qiellin e kopshtijeve me kupolat e gjethnajës së tyre të  dendur. Dhe në mos qenë fiq, qenë qershi me kurora të errëta, ose ftonj të ëmbël, pjeshkë, bajame, dardha të reja, kumbulla që kullonin lëng, e pastaj  vardhëza, çiçibanoze, si dhe mana ose arra shumëvjeçare. Pas kopshtijeve fillonte ullishtja, gri në të argjendtë, një re që binte në sy mu në mes të bregut. Në fund vinte fshati, i mbledhur i gjithi mes portit poshtë dhe shkëmbinjve sipër; dhe aty mes çative mbinin vazhdimisht kurorat e pemëve: xinat, çinarët dhe dushqet, një bimësi shumë e harbuar dhe hijerëndë që shpërthente pastaj - një shpërthim tepër i rregullt ky - në zonën ku fisnikët kishin ndërtuar vilat dhe kishin rrethuar me kangjella parqet e tyre.