Pages

10/04/2018

Planeti i brendshëm

Nga Renzo Paris



Sot që toka dergjet ndër ethe
planeti im i brendshëm
përshkohet nga sy të verdhë

shkatërrimi. Është kujtesa
planeti që po vdes, mbart ikona
në lëvizje, njerëz të dashur

që davariten. Teksa bares
në dhomë e fshik si i verbër
brinjët e librave, ndihem

në një planet ku e ardhmja janë
stinët e shuara dhe e sotmja
është tashmë lëndë kujtese.

Po a mund të shpëtohet bota
sërish e ngaherë nga sytë e një fëmije?


Përktheu: Aida Baro


10/03/2018

Jeta

Nga Wislawa Szymborska




Jeta është e vetmja mënyrë
për t'u mbuluar me gjethe,
për të marrë frymë në rërë,
për t'u ngritur me flatra;

për të qenë një qen,
a për të ledhatuar gëzofin e tij të ngrohtë;

për të dalluar dhembjen
nga gjithçka që dhembje s'është;

për të qenë pjesë e ndodhive,
davaritur në panorama,
për të kërkuar gabimin më të vogël.

Një rast i jashtëzakonshëm
për të ndërmendur një çast
bisedën që u bë
me dritë fikur;

dhe të paktën një herë
për t'u penguar në një gur,
për t'u lagur nën shi,

për të humbur çelësat në bar;
për të ndjekur me sy një xixë në erë;

dhe ngulmo që të mos mësosh
diçka të rëndësishme.


Perktheu: Aida Baro


Piktura: "Improvisation" ( 1913) Wassily Kandinsky