Pages

4/12/2020

Dhembshuria


Nga Giuseppe Ungaretti



Njeriu, o univers i përjetshëm,
Kamjen pandeh se shumon
E nga t’tijat duar të ethshme
Pa pra veç kufij dalin.

Mbërthyer pas boshit
Në t’vetën rrjetë merimange,
S’i druhet e nuk josh gjë
Përveç klithmës së vet.

Kalbjen sfidon tek ngre varre,
E kur mendon për ty, I Amshuar,
Veç blasfemitë i kanë mbet’.


Perktheu: Aida Baro
Paint: El Greco - The annunciation

Dhe gjindja u mbyll në shtëpi

Kitty O'Meara


Dhe gjindja u mbyll në shtëpi.
E lexoi libra,
mbajti vesh,
u qetua,
me gjimnastikë u mor.
Shpirtin mbushi me art,
e luajti plot lodra,
të tjera mënyra jetese mësoi.
E njerëzit u ndalën
për të mbajtur vesh më thellë.
Ca meditonin,
ca luteshin,
të tjerë vallëzonin,
ndokush hijen e vet takoi.
Dhe gjindja tjetërlloj zu të mendonte
Gjindja u shërua.
E zbrazur nga njerëzit
që në padituri e rrezik jetonin,
pa mendje e pa zemër,
edhe toka zu të shërohej.
Me të kaluar rreziku
njerëzit u mblodhën sërish tok,
lënguan për të ikurit,
zgjedhje të tjera bënë,
ëndrra të reja panë,
mënyra të tjera jetese krijuan.
Dhe, ashtu siç u përtërinë vetë,
e përtërinë plotësisht edhe tokën.


Perktheu: Aida Baro

Yjet pyesja


Nga Primo Levi


Kur fëmijë, yjet pyesja,
ty të kërkoja mes tyre.
 Pyeta edhe malet,
Por veç pak herë
Vetmi e prehje më falën.
Prej sates mungesë, netëve të gjata
nëmat më të marra blova
se bota një lajthitje e Zotit ish,
dhe unë një lajthitje e botës.
E kur, në çastin e mortit,
“jo” klitha nga çdo pore,
se ende s’i kisha dhënë fund botës,
se ende kisha për të dhënë,
ty të kisha para syve,
ti aty pranë meje, siç jemi sot,
një burrë e një grua nën diell.
U ktheva, se ishte ti me mua.

Perktheu: Aida Baro