Pages

Showing posts with label Dino Buzzati shqip. Show all posts
Showing posts with label Dino Buzzati shqip. Show all posts

12/11/2011

FTESA TË PAVLEFSHME


Nga Dino Buzzati 

Do të doja që ti të vije tek unë një mbrëmje dimri dhe, të përqafuar së bashku pas xhamave të dritares, duke soditur vetminë e rrugëve të errëta e të ngrira, të kujtonim dimrat e përrallave, ku njerëzia jetojnë tok pa e ditur. Unë dhe ti kaluam nëpër të njëjtat shtigje të magjepsura, me hapa të ndrojtur; bashkë përshkuam pyjet plot ujq; dhe vetë zanat na sheshonin udhën nga myshqet e nderë mbi kulla, mes fluturimeve të korbave. Së bashku, pa e ditur, ndoshta pamë të dy, atje tej, jetën plot mistere që na priste. Aty regëtinë për ne, për herë të parë dëshira marroke e të ëmbla. “Të kujtohet”, – do t’i themi njëri-tjetrit duke u përqafuar butësisht në dhomën e ngrohtë dhe ti do të më buzëqeshësh besimplotë, ndërsa jashtë, tinguj të zymtë do të lëshojnë llamarinat e trandura nga era. Por ti – tani po më ndërmendet – nuk i di përrallat e vjetra të mbretërve pa emër, të katallanëve dhe kopshteve magjike. Kurrë nuk kalove, e mahnitur, nën pemët magjiplotë, që flasin me zë njeriu, as tek porta e kështjellës së braktisur nuk trokite kurrë, as natën nuk ece drejt dritës që ishte larg, larg, as gjumi nuk të zuri nën yjet e Lindjes, e përkundur nga piroga e shenjtë. Pas xhamave, në mbrëmjet e dimrit, ndoshta ne do të mbetemi përherë të heshtur, unë i përhumbur në përrallat e mia të harruara, ti në andralla të tjera të panjohura për mua. Unë do të të pyes: “Të kujtohet?”, por ty nuk  do të të bjerë ndër mend asgjë.
Do të doja, me ty, të shëtisja, në një ditë pranvere, nën një qiell gri dhe ende ndonjë gjethe e vjetër e vitit të shkuar të hepohej erërash mëhallave të periferisë; dhe të ishte e diel. Në vende të tilla,  lindin ngaherë mendime melankolike e të mëdha; dhe në orë të caktuara, endet poezia duke bashkuar zemrat e atyre që duhen.  Mandej lindin shpresa që nuk dinë si të gjejnë udhën për t’u shprehur,  të mbrojtura nga horizontet e pafundme pas shtëpive, nga trenat ikanakë, nga retë e veriut. Do të kapemi thjesht dorëpërdore e do të ecim me hap të lehtë duke pëshpëritur fjalë të marra, budallaqe dhe të dashura. Derisa të ndizen fenerët e rrugës dhe nga shtëpitë e ndyra të marrin udhë  historitë ogurzeza të qytetit, aventurat, romanet ëndërrimtare. Dhe aherë ne do të heshtim, gjithnjë dorëpërdore, sepse shpirtrat tanw flasin pa fjalë. Por ti – tani po më kujtohet – kurrë nuk më pëshpërisje fjalë të marra, budallaqe e të dashura. Ndaj s’mund t’i duash ato të diela, për të cilat po të flas, as shpirti yt nuk di t’i flasë timit në heshtje, as nuk e kupton në çastin e volitshëm magjinë e qytetit, as shpresat që zbresin nga veriu. Ti parapëlqen dritat, turmën, burrat që të përkëdhelin me sy, rrugët ku thuhet se mund të haset fati. Ti je ndryshe nga unë dhe, po të vinte ajo ditë që të shëtisje pranë meje, do të ankoheshe nga lodhja; veç kjo dhe asgjë tjetër.
Do të doja edhe të shkoja me ty, në verë, në ndonjë luginë të vetmuar, duke qeshur vazhdimisht për gjërat më të thjeshta, për të kuturisur në të fshehtat e pyjeve, të udhëve të bardha, të shtëpive të braktisura. Të ndalojmë mbi urën e drunjtë e të vështrojmë ujrat që rrjedhin, të vemë veshin në shtyllat e telefonit për të dëgjuar atë histori pa fund, që vjen nga një cep i botës e kushedi ku shkon. Dhe të këpusim lulet e lëndinave dhe aty, të shtrirë mbi bar, nën heshtjen e diellit, të kundrojmë honet e qiellit, retë e vockla e të bardha që kalojnë mbi majat e maleve.
Ti do të thoshe “Sa bukur!” asgjë tjetër s’do të thoshe, sepse ne do të ishim të lumtur; me trupat tanë që do të kishin humbur barrën e viteve, shpirtrat do të na ishin freskuar, sikur sapo të kishin lindur.
Por tani – tani që më bie ndërmend – kam frikë se ti do të shihje rrotull pa kuptuar asgjë dhe, do të ndaloje e shqetësuar për të parë çorapet, do të më kërkoje një cigare tjetër, duke pritur me padurim kthimin. Dhe nuk do të thoshe “Sa bukur!”, por gjëra të tjera të varfra që mua nuk më duhen fare. Sepse, për fat të keq, kështu je gatuar ti. Dhe nuk do të ishim as edhe për asnjë çast të lumtur.
Do të doja edhe – lërmë të flas – do të doja që me ty, krah për krah, të përshkoja udhët e gjera të qytetit në një perëndim nëntori, kur qielli është si kristal i kulluar; kur fantazmat e jetës vrapojnë mbi kupolat dhe prekin rrëshqanthi njerëzit e ligj, në fund të gropës së udhëve, tashmë cit me paudhësi; kur kujtime të kohërave të lumtura dhe ndjesi të reja kalojnë sipër tokës duke lënë mbi të një lloj melodie. Me kryelartësinë e pafaj të fëmijëve do të shohim fytyrat e të tjerëve, mijra e mijra, që si  lumenj na kalojnë pranë. Ne, pa e ditur, do të çlirojmë dritë gëzimi dhe të gjithë do të detyrohen të kthejnë sytë nga ne të na vështrojnë, jo për zili e keqdashje; por duke buzëqeshur paksa, me mirësi, për shkak të mbrëmjes që shëron dobësitë e njeriut.
Por ti – e kuptoj mirë – në vend që të shohësh qiellin e kristaltë dhe aeroplanët e rrahur nga tw fundmet rreze dielli, do të duash të ndalosh e të shohësh xhamtinat, stolitë e arta, pasuritë, mëndafshrat, ato gjëra meskine. E nuk do t’i vësh re shajnitë, as parandjenjat që kalojnë, nuk do të ndjehesh as si unë, e grishur drejt një shorti fisnik. Nuk do ta dëgjoje as atë lloj muzike, as nuk do të kuptoje pse gjindja do të na shihte  me sy të butë. Ti do të mendoje për të ardhmen tënde të varfër dhe më kot, sipër teje, statujat e arta mbi kolona do të ngrenë shpatat drejt rrezeve të fundit. Dhe unë do të isha vetëm. Është e kotë. Ndoshta të gjitha këto janë gjepura, dhe ti më e mirë se unë, duke mos pretenduar shumë nga jeta. Ndoshta ti ke të drejtë dhe do të ishte marrëzi të përpiqeshim. Por të paktën, këtë po, të paktën, do të të doja të  të shihja sërish. Të bëhet ç’të bëhet, ne do të gjejmë një mënyrë për të ndenjur bashkë, e do të gjejmë harenë. S’ka rëndësi ditën apo natën, në verë a në vjeshtë, në një vend të panjohur, në një shtëpi të zhveshur, në një han të shkretë. Do të më mjaftojë të të kem pranë. Unë nuk do të rri këtu  e të dëgjoj – të jap fjalën – gërvimat misterioze të çatisë, as retë nuk do t’i vështroj, as melodive apo erës nuk do t’ia vë veshin. Do të heq dorë nga këto gjëra, që megjithatë  i dua. Do të kem durim, nëse nuk do të kuptosh çka të them, nëse do të flasësh për ndodhi të çuditshme për mua, nëse do të ankohesh për fustanet e për paratë. Nuk do të ketë nga ajo e ashtuquajtura poezi, shpresa të përbashkëta, trishtime – mikesha të dashurisë.  Por unë do të të kem pranë. Dhe do t’ia dalim, do ta shohësh, të jemi mjaft të lumtur, me shumë thjeshtësi, veç burrë dhe grua, siç ndodh në çdo qoshe të botës.
Por ti – tani që e mendoj – je tepër larg, qindra e qindra kilometra vështirë për t’u kapërcyer, ti je brenda një jete që unë e shpërfill, dhe burra të tjerë të rrinë pranë, të cilëve, me gjasë, iu buzëqesh, si mua në kohët e shkuara. Dhe s’t’u desh shumë që të më harroje. Me gjasë, as emrin tim s’e mban mend më. Tashmë, unë jam jashtë teje, vagëlluar mes hijesh të panumërta. E megjithatë, nuk mendoj dot veçse për ty, dhe më pëlqen të t’i them këto gjëra.


©Përktheu: Aida Baro

12/09/2011

SHENJTËT


 Nga Dino Buzzati


Shenjtët kanë secili nga një shtëpizë përgjatë lumit, me një ballkon që sheh mbi oqean. Ky oqean është Zoti. Verës, kur bën shume nxehtë, ata zhyten në ujrat e kaltra të oqeanit, ne atë ujë që është Zoti vetë.
Sapo marrin vesh që po vjen ndonjë shenjt i ri, menjëherë fillon puna për ndërtimin e një shtëpize të re, përkrah të tjerave.Kësisoj ato ndjekin njëra tjetrën, përgjatë bregdetit, pa fund. Hapësira sigurisht nuk mungon.
Edhe Shën Gançiloja, me të mbërritur në vend pas emërimit, e gjeti shtëpizën e vet gati, njësoj si të tjerat,  me mobilje, ndërresa, enë kuzhine, ndonjë libër të bukur dhe gjithçka tjetër që nevojitet.Varur në mur ishte dhe një mizëpërzënëse e lezetshme, sepse në atë zonë gëlonin plot miza, por jo të bezdisshme.

10/12/2011

RRËFENJË KËRSHËNDELLE


Nga Dino Buzzati


I zymtë dhe harkmprehtë është pallati i lashtë i peshkopëve, mureve të tij pikon igrasi, dhe qëndrimi aty në netët e dimrit është një torturë e njëmendtë. Edhe katedralja ngjitur me të është e stërmadhe, gjithë një jetë nuk mjafton t’i biesh aneqark nga kreu në fund, madje atje ka një aso kapërthimi kapelash dhe sakrestish ku pas shekujsh braktisjeje, do syresh kanë mbetur thuajse ende të pazbuluara. Ç’do të bëjë mbrëmjen e Kërshëndellave – pyesim vetiu - kryepeshkopi i hajthëm, vetëm fillikat, ndërsa gjithë qyteti feston? Si do ta mundë, vallë, trishtimin e shpirtit? Gjithsekush e ka nga një ngushëllim: vocërraku ka trenin dhe pinokun, motërza ka kukullën, mëma ka të vegjlit rrotull, i sëmuri një shpresë të re, beqari plak mikun e azdisjeve, i burgosuri zërin e një tjetri në qelinë pranë. Po kryepeshkopi  ynë si do t’ia bëjë, vallë? Buzëqeshte  i zellshmi dom Valentini, ndihmësi i shkëlqesisë së tij, tek dëgjonte gjindjen të fliste kësisoj. Kryepeshkopi ka Zotin, mbrëmjen e Kërshëndellave. I përgjunjur, vetëm fillikat, në mes të katedrales së akullt e të shkretë, në sy të parë mend të këput shpirtin, por veç ta dini, se! Ai s’është aspak fillikat, dhe as të ftohtë nuk ka, as i braktisur nuk ndjehet. Në mbrëmjen e Kërshëndellave, Zoti vërshon në tempull, për kryepeshkopin, anijatat grafullojnë nga prania e tij, në kuptimin e vërtetë të fjalës,  aq sa portat mezi mbyllen; e, ndonëse nuk ka as stufa, bën aq ngrohtë saqë bollat e bardha e të vjetra rizgjohen në varret e abatëve të hershëm dhe ngjiten përmes vrimave të ajrit të bimsave, duke nxjerrë hijshëm kokën nga drushtat e rrëfyestoreve.
Kësisoj qe atë natë Katedralja; dëngazi me Zot! E megjithëse e dinte që nuk i takonte atij, Dom Valentini u ndal, gjithë dëshirë madje, për të gatitur gjunjëtoren e prelatit. As pemë, kaposh e verë shkumëzuese! Kësodore, ajo mbrëmje Kërshëndellash. Në këto mendime e sipër, dëgjoi të trokitura në portë. “Kush troket në portat e Katedrales”, pyeti veten dom Valentini, “mbrëmjen e Kërshëndellave? Nuk janë lutur boll? Ç’u ka shkrepur në kokë të ndërkryerëve?” Dhe megjithëse foli kështu, shkoi të çelte portën. Tok me një shkulm ere,  hyri brenda edhe një culan krejt në zhele.
“Oh, sa shumë Zot!” – thirri gjithë duke vënë buzën në gaz ky i fundit e duke vështruar përqark. Oh, ç’hijeshi! Ndjehet që nga jashtë, madje! Hirësi, a s’mund të më jepni dhe mua pakëz? Ja, mendojeni vetë, është mbrëmja e Kërshëndellave.
-Është i shkëlqesisë së tij kryepeshkopit, - gjegji prifti. – I lypset atij, pas nja dy orësh. Shkëlqesia e tij bën një jetë shenjtori, s’ma do mendja se mëton që ai të heqë dorë edhe nga Zoti! Mandej, unë s’kam qenë kurrë hirësi.
-As pakëz fare, atë i përnderuar? Aty ka sa të duash! Shkëlqesia e tij as që do ta vinte re!
- Jo, të thashë... shko tani... Katedralja është e mbyllur për gjindjen, - dhe u nda me varfanjakun duke i zgjatur një kartmonedhë pesë liretëshe.
Me t’u larguar fatziu nga kisha, shì në atë çast Zoti u bë veri. I përdatur, Dom Valentini vështronte rretherrotull, duke këqyrur me vëmendje kupolat e errëta: as atje lart nuk qe Zoti. Kompleksi madhështor i kolonave, statujave, baldakinëve, altarëve, katafalkëve, shandanëve, rëndom fort i mistershëm dhe i gjithëpushtetshëm, qe shndërruar beftazi në derëmbyllur dhe ogurzi. Pas nja dy orësh kryepeshkopi do të zbriste në kishë.
Me shqetësim të madh dom Valentini çeli përgjysmë njërën nga portat e jashtme e vështroi në shesh. Hiçgjë! Edhe jashtë, ndonëse qe Kërshëndellë, gjëkundi nuk shihej gjurmë Zoti. Prej mijëra dritaresh të ndriçuara mbërrinin gjer tek ai jehona të qeshurash, gotash të thyera, melodish e madje edhe blasfemish. Asnjë kambanë, asnjë këngë.
Dom Valentini doli në zemër të natës, bariti nëpër udhët profane, mes zallahisë së gostive të zdërhallura. Veçse ai, ama, e dinte fort mirë ku duhej të trokiste. Kur hyri në shtëpi, familja mike po ulej në tryezë. Të gjithë e vështronin sho-shoqin dashamirësisht dhe përreth tyre kishte pakëz Zot.
-Kërshëndella të mbara, atë i përnderuar, – tha kreu i familjes,  – Do të na urdhëroni?
- Jam me ngut, o miq, - gjegji ai. – Nga pakujdesia ime, Perëndia ka braktisur Katedralen dhe shkëlqesia e tij pas pak do të shkojë të lutet. A nuk mund të më jepni tuajin? Tek e mbramja, ju jeni në shoqërinë e sho-shoqit, nuk keni nevojë të domosdoshme për të.
- I shtrenjti Dom Valentin, - ia ktheu kreu i familjes, - me sa duket, ju harroni që sot kemi Kërshëndella. Dhe bash sot u dashka që fëmijët e mi të bëjnë pa Zotin? Po më çudisni, dom Valentin.
Dhe shì në çastin që burri thosh kështu, Zoti shkiti jashtë dhomës, buzëqeshjet e hareshme u shuan dhe kaposhi i pjekur u ngjau si rërë mes dhëmbëve.
Asohere, ai u nis sërish, nëpër natë,  përgjatë udhëve të shkreta. Ec e ec Dom Valentini më së fundi, e pa sërish Zotin. Pat mbërritur në portat e qytetit dhe përpara tij shtrihej plot gjallëri, tek zbardhëllonte paksa nga bora, fushëtira e madhe. Mbi lëndina dhe rreshta manash ndehej dallgëzues Zoti, thua se qe në pritje. Dom Valentini ra në gjunjë.
- Ç’bëni kështu, atë i përnderuar? – e pyeti një katundar, - mos dashkeni të merrni ndonjë plevit me gjithë këtë acar?
-Vështro atje tej, o bir. Nuk e shikon?
Katundari vështroi pa fije habie.
- Është yni, - tha.  – Për çdo Kërshëndellë vjen të bekojë arat tona.
-Njerëz të mirë, – tha prifti, - a mund të më jepni pakëz dhe mua? Në qytet kemi mbetur pa Zot, gjer dhe kishat kanë mbetur shkretë.  Falmë vetëm pakëz, që kryepeshkopi të kalojë  Kërshëndella për të qenë, së paku.
-As të mos ju shkojë ndërmend, atë i dashur. Kushedi ç’mëkate të shëmtuara  keni bërë atje, në atë qytetin tuaj. Faji juaj. Bëni si të bëni.
-Doemos që mëkate janë bërë. E kush nuk mëkaton? Por mund të shpëtosh shumë shpirtra, o bir, mjafton të më thuash po.
- Boll të shpëtoj shpirtin tim! – qeshi nën buzë katundari  dhe shì në çastin që po thosh këto fjalë, Zoti u ngrit nga fushat dhe u davarit në terr.
Ai shkoi edhe më larg, duke kërkuar. Dukej se Zoti po bëhej ngaherë e më i rrallë dhe kushdo që zotëronte pakëz prej tij, nuk donte ta falte (por bash në çastin që ai përgjigjej jo, Zoti zhdukej, duke u larguar dora-dorës.)
Ja tek qe pra, Dom Valentini në kufijtë e një rrenoreje fort të gjerë dhe në fund, pikërisht në horizont, shkëlqente sërish ëmbëlsisht Zoti si një re gjatoshe. Prifti i ngratë u hodh në gjunjë në dëborë.
- Pritmë, o Zot, - përgjërohej, – për fajin tim kryepeshkopi ka mbetur  vetëm dhe sot kemi Kërshëndellat.
Këmbët i kishin ngrirë, çau udhën përmes mjegullës,  zhytej në borë gjer në gju, kur e kur plandosej përdhè sa gjatë gjerë. Edhe sa do të duronte kësisoj?
Gjersa dëgjoi një kor të shtruar e mallëngjyes, zëra engjëjsh, një rreze drite përshkënditej përmes mjegullës. Çeli një deriçkë të drunjtë: përpara iu hap një kishë fort e madhe dhe aty në mes, ndënë thëngjij dritëzash, një prift po lutej. Dhe kisha qe përplot me parajsë.
- Vëlla, - rënkoi Dom Valentini, në fije të fuqive, gjithë i mbuluar n’akull, - ki mëshirë për mua. Për fajin tim, kryepeshkopi im ka mbetur vetëm dhe ka nevojë për Zotin. Më jep pakëz mua, të lutem.
Dalëngadalë, ai që po lutej u kthye nga Dom Valentini. Dhe ky i fundit, duke e njohur, u zbeh edhe më shumë, në mundej.
-Kërshëndella të mbara dhe për ty, dom Valentin, - thirri kryepeshkopi duke i dalë përpara,  gjithë rrethuar prej brerores  së Zotit. – Po ku ishe futur, mor i bekuari djalë? Po ç’kërkove jashtë në këtë mot ujqish, o bir?!

©Perktheu: Aida Baro