Pages

7/30/2015

Flutura, Amarcord, Ajrί, Sakrificat

Nga Tonino Guerra




Flutura

I lumtur, përnjëmend i lumtur
kam qenë plot herë në jetë,
por kurrë më fort se aherë
kur më liruan në Gjermani,
e zura të sodis një flutur
pa patur dëshirën ta përpij.


***

Amarcord

E di, e di, e di
që një burrë, 50-vjeçar,
duart të pastra i ka përherë
edhe unë i laj dy-tri herë në ditë
por bash kur shoh duart e pista
kujtohem për atë që kam qenë
në të ri. 


***

Ajrί

Ajrί është ajo diç e lehtë,
qark kokës sate
që kthjellet edhe më kur qesh ti.


***


Sakrificat 

Në kam mundur të bëhem me shkollë
ia kam borxh sime ëme
që me kryq firmos.

Në i njoh me pëllëmbë qytetet
në fund të dynjasë
ime ëmë, që s’ka udhëtuar kurrë, më ka shtyrë.

Dje e shpura në një kafene
sa të çmpinte këmbët
se zëre nuk shikon më.
-Uluni, këtu. Ç’do të merrni? Një binjé?



© sjellë në shqip: Aida Baro 

7/14/2015

Ela në qiell

Nga Wislawa Szymborska



I lutej Zotit,
i përgjërohej drithërueshëm
që ta shndërronte
në një vajzë të bardhë e të lume.
E në është vonë për kësi ndryshimesh,
aherë, o Zot, shiko sa peshoj
e ndamë gjysmë të paktën.
Por Zoti babaxhan tha Jo.
Mbështeti veç dorën mbi zemrën e saj,
i vështroi gushën, i ledhatoi kryet.
E kur gjithë të jetë përmbushur – shtoi –
do të më këndellësh duke ardhur tek unë,
gëzimi im i zi, trung këngëplotë.



©Sjellë në shqip: A. Baro