Pages

3/17/2021

Ujdhesa (1925)


Giuseppe Ungaretti



Te një breg ku e përjetshme ish mbrëmja
Me të moçme selvi mendimtare, zbriti,
Dhe thellë kuturisi
Në beh e zu fëshfërim’ e flatrave
Që nga regëtima e çjerrë
E ujit të zhuritur u ngrit,
E një vegullí dalloi (aty venitej,
Aty gjallohej);
Tek ngjitej sërish pa
Që nimfë ish ajo e më këmbë
Flinte, me vidhin qafuar.

Vetmevete tek endej nga përhitja
Në shpuzë të gjallë, në një lëndinë shkeli ku
Hija në të virgjëreshave sy
Nanuritej si
Mbrëmja rrëzë ullinjve;
Rigonin kurorat
Një shi të plogët rrezesh,
Dhentë koteshin
Nën të butën ngrohtësirë,
Të tjera savanin e përndritur
Nduknin;
Duart e bariut, qelq i
Lëmuar nga eth’ e mekët.

Në shqip: Aida Baro

---
Photo: Anja Bührer

Lindja e aurorës - Giuseppe Ungaretti





Me petkun e butë e brerore,
Syfshehur,
Plot shpoti, ngjan se të grish,
E prej gjirit,
Të zbehtën lulethëngjill
Zhvesh e hedh, e dëlira natë.

N’atë çast ndahet më e para bardhëllimë
Nga më e fundit drithërimë.

Në t’qiellit zgrip, e irnosur vorbullën gris.

Me gishtërinj të smeraldtë
Valë të vagullta thurin
Pëlhurë.

E të praruarat hije, tek heshtojnë të gjallat
Psherëtima të vetvetishme,
Në vilarë të hollë i kthejnë hullitë.

Në shqip: Aida Baro

Mbamë ngrohtë

Chandra Livia Candiani


Ti mbamë
E unë në mrekulli do t’shndërrohem
Mes duarve të tua,
në të ngrohtë,
ajo ngrohtësi që natën rrit grurin.
Mbaje
trupin e dashur
si jetë të fshehtë –
të ruajtur mirë –
nën akullin e ngjeshur
të kujtesës.
Ti mbamë
si guall arre
në grusht
hep mes botëve.
Mes meje dhe teje
rri heshtja.
Rri perla.
Të mbaj.
 


Në shqip: Aida Baro

Haiku


Kobayashi Issa
(1763-1828)






Mos harro:
ne ecim sipër skëterrës,
duke soditur lulet.


Në shqip: Aida Baro

Lavd për vetminë - Fabrizio de André





“Anime salve” do të thotë “shpirtra vetmitarë” dhe është një lloj lavdi për vetminë, të cilën, dihet, jo të gjithë mund të guxojnë ta përballojnë: pleqtë nuk mund ta përballojnë, as të sëmurët, madje as politikani nuk mund t'ia lejojë vetes. Një politikan vetmitar, zakonisht është politikan i shpartalluar.
Megjithatë, kur njeriu mbetet vetmevete, them se e ka më të lehtë të lidhet me botën rreth e qark.
Bota rreth e qark s’janë vetëm të ngjashmit tanë, por përbëhet nga gjithë universi, që nga gjethi që bulon natën, në fushë, gjer tek yjet; arrin të pajtohesh më mirë me këtë botë, arrin të mendosh më mirë për telashet e tua, madje besoj se mund të gjenden zgjidhje edhe më të mira dhe, meqë jemi të ngjashëm me të ngjashmit tanë, mund të gjenden zgjidhje më të mira edhe për të tjerët.
Me këto fjalë, nuk dua të bëhem panegjirik as për oshënarinë, as për asketizmin, s’është e thënë që njeriu të bëhet eremit apo oshënar, por ja që kam vërejtur, përmes përvojës sime jetësore – dhe kam bërë një jetë të plotë, se s’ma do mendja që vitet e jetës sime i tregon karta e identitetit, por besoj se e kam jetuar! – pra, kam kuptuar se kurrë s’kam pasur frikë nga një njeri i vetmuar, kurse njeriu i organizuar gjithnjë më ka shtënë frikën.




(Më 11 janar 1999 do ta linte vetëm fizikisht tokën.)

Përktheu: Aida Baro

Pa titull





Pasqyra më kthen
shëmbëllimin
e një gruaje të panjohur
lëkurën e së cilës
duhet të bashkëndaj,
këtej e tutje.

Aida Baro

Recetë për lumturinë Kharaborovsk ose Anyplace

Nga Lawrence Ferlinghetti





Një shëtitore e gjerë tërë gjelbërim
një kafene e madhe nën diell
me kafe të fortë, të zezë, në filxhanë të vegjël.

Një burrë ose një grua jo domosdoshmërisht
e bukur, që të do.

Ditë e mrekullueshme.




Përktheu: Aida Baro


Shenim: Lawrence Ferlinghetti, poet amerikan, i njohur për rrymën Beat Generation, ndërroi jetë dje në moshën 101-vjeça
re.

Se bukuria nuk është nevojë

K. Gibran



Se bukuria nuk është nevojë,
por këndellje.
Nuk është as gojë e etur,
as dorë e zbrazur dhe e ndehur,
por është zemër përvëluese dhe shpirt i magjepsur.
S’është shëmbëlltyrë që do ta shohësh
as këngë që do ta dëgjosh,
por është shëmbëlltyrë që me sy mbyllur e sheh
dhe një këngë që me veshët zënë e ndien.
Nuk është limfa në hullitë e lëvores,
as krahu bashkuar me kthetrën,
Përkundrazi, është një kopsht përherë në lulëzim
dhe një trumbë zogjsh përjetësisht në fluturim.

Në shqip: Aida Baro

Dashuria dhe dëshira


Umberto Galimberti
(da "Il gioco delle opinioni")






Ekzistojnë vështrime dashurie dhe vështrime dëshire.
Dashuria është varfëri, mungesë. Është pritja që trupi tjetër të përshkojë hapësirën dhe, duke mbushur zbrazëtinë, të takohet me tonin. Kur ndodh takimi, nuk gëzon trupi, por është pranim i dhuratës, gjestet nuk mbërthejnë, por fshikin, vështrimet nuk zotërojnë, pranojnë atë dhuratë të falur që jep tjetri, në plotësinë e të qenit subjektiv. Ndërsa dëshira, nuk njeh takime, nuk e mpak subjektivitetin e vet për të krijuar atë hapësirë të domosdoshme, të nevojshme për shfaqjen e subjektivitetit të tjetrit. Dëshira njeh vetëm ngopjen për shkak të zotërimit. Në vështrimin e saj nuk ka gjurmë pritjeje, por vetëm epsh të çmendur për të gjetur te tjetri veç vetveten, prandaj, kur zhvesh një trup e bën për t’i zotëruar mishin, për t’i zhvatur, bashkë me teshat, çdo gjurmë subjektiviteti që vështrimi i dëshirës, ndryshe nga ai i dashurisë, nuk di ta përballojë.
Mbyllur në vetminë e vet, vështrimi i dëshirës ngopet me ato imazhe obsesive dhe të rënda që vetëm trupat, të zhveshur nga teshat dhe nga hijeshia e gjesteve, ofrojnë si plogëti të mishit. Prej këtu lind revolta e turpit, “fillimi i atij zemërimi për diçka që nuk duhet të ndodhë”. Turpi nuk mbron shpirtin nga vulgariteti i trupit, por jetën e trupit nga plogëtia e mishit, subjektivitetin e një trupi të gjallë nga objektiviteti i hidhur i mishit të zotëruar.



Në shqip: Aida Baro

Pushtohu pas meje

Nga Gabriele D'Annunzio



Pushtohu pas meje,
besomu,
pa frikë.
Për mua mall s’do të kesh,
e as unë mall për ty.
Do ta gjejmë,
do ta gjejmë të vërtetën e fshehtë
mbi të cilën dashuria jonë
mund të prehet përgjithnjë,
e patjetërsueshme.
Mos m’u mbyll,
mos vuaj e vetme,
mos ma fshih sfilitjen tënde!
Folmë,
kur zemra
të mbushet me dhembje.
Lërmë të shpresoj
se mund të të ngushëlloj.
Asgjë e pathënë mos mbetet mes nesh,
asgjë e fshehur.
Guxoj të të kujtoj një ujdi
që ti vetë e vendose.
Folmë
e do të gjegjem
përherë pa gënjyer.
Lërmë të të ndihmoj,
se prej teje
më vjen çdo e mirë!


Në shqip: Aida Baro


Gabriele D'Annunzio sot ka datëlindjen, 12 mars 1863. Koliqi ka perkthyer disa prej poezive te tij, por me e famshmja mbetet "La pioggia nel pineto".
___
Dream of lovers - Chagall