Pages

Showing posts with label nese nje nate dimri nje udhetar. Show all posts
Showing posts with label nese nje nate dimri nje udhetar. Show all posts

10/18/2011

NËSE NJË NATË DIMRI NJË UDHËTAR

Nga Italo Calvino
Kapitulli I

Tash po fillon të lexosh romanin e ri të Italo Calvino-s, “Nëse një natë dimri, një udhëtar”. Merre shtruar. Përqëndrohu. Largo nga vetja çdo mendim tjetër. Le të bjerret  bota vagëllimthi rreth e përqark teje. Derën bën mirë ta mbyllësh; matanë, televizori rri gjithherë ndezur. Thuaju dhe të tjerëve, prerazi: “Jo, nuk dua të shoh televizor!” Ngrije zërin, se ndryshe nuk ta vë veshin njeri:  “Hej, unë po lexoj! Nuk dua të më shqetësojë njeri!” Ndoshta nuk të kanë dëgjuar, me gjithë atë zallahi; thirr më fort, bërtit: “Unë po filloj të lexoj romanin e ri të Italo Calvino-s!” Ose nëse s’do, mos thuaj gjë fare, shpresojmë të të lënë të qetë.
Gjej pozicionin më të rehatshëm: ulur, mbështetur, mbledhur kruspull, shtrirë. Shtrirë në shpinë, i kthyer në ijë, apo barkazi. Në kolltuk, në divan, në karrigen lëkundëse, në  karrigen e plazhit, në pufe.  Në hamak, nëse ke ndonjë syresh. Mbi shtrat, natyrisht, ose brenda në shtresa. Mund të rrish edhe kokëposhtë, në pozicionin e jogës. Me librin kthyer përmbys, kuptohet.