Pages

6/28/2014

NJERIU I VETMUAR

Nga Luigi Pirandello

(Botuar në revistën Haemus Plus)


Tani që stina ish zbutur, ata mblidheshin jashtë, rreth një tryeze të vogël të kafenesë nën pemët e rrugës Veneto.
Të parët vinin Groajt, atë e bir. Kaq e madhe qe vetmia e tyre saqë, ndonëse aq pranë, dukeshin shumë larg sho-shoqit. Me t’u ulur humbisnin në një heshtje të përjetshme, që i largonte prej gjithçkaje, aq sa po t'u ndodhte ndonjë gjë shì përpara syve do t'ju duhej të picërronin sytë për ta parë. Vinin në fund, së bashku, dhe dy të tjerët; Filipo Romeli dhe Karlo Spina. Romeli kish mbetur i ve qysh prej pesë muajsh. Spina, beqar. Mariano Groa ish ndarë nga e shoqja thuajse një vit më parë dhe e kish mbajtur vetë djalin e tij të vetëm, Torelinon. Ai ish nxënës në lice, thatim, ngaherë hundë e buzë, me sy të veckël rrathënxirë, të futur thellë në zgavrat e pakëz të vëngër.

6/23/2014

PËRGJIGJJA


Nga Luigi Pirandello

(Botuar në revistën Haemus Plus)

Besoj se u shfryve paq, miku im!
Me të vërtetë është për të ardhur keq që ti, duke dhunuar prirjen tënde të lindur, nuk ke mundur t’u përkushtohesh Muzave. Sa ngrohtësi në shprehjet e tua, dhe me ç’qartësi të kthjellët, me sa pak fjalë, arrin të më sjellësh të gjallë përpara syve vende, ngjarje dhe njerëz!
Je i hidhëruar, i zemëruar, Marini im i gjorë; dhe nuk do të doja kurrsesi që kjo përgjigje imja të të shtonte dhembjen dhe zemëratën. Por, ti më kërkon të të them çiltazi se çfarë mendoj për rastin tënd. Do të ta them për të të kënaqur, megjithëse jam i sigurt, që nuk do të të vijë mirë.
Po ndjek mënyrën time, në më lejon. Më parë po përmbledh shkurtimisht faktet, mandej do të të shfaq, po me atë sinqeritet që ti dëshiron, mendimin tim.
Pra, sipas rrjedhës së ngjarjeve.