Pages

Showing posts with label perkthim Aida Baro. Show all posts
Showing posts with label perkthim Aida Baro. Show all posts

2/11/2020

Autotomi



Nga Wislawa Szymborska



Në rast rreziku, holoturia copëtohet më dysh:
një pjesë të vetes ia lë botës së panginjur,
me tjetrën, merr arratinë.

Vrik ndahet në rrënim e shpëtim,
ndëshkim e shpërblim, ç’ka qenë e ç’do të jetë.

Në mes të trupit i hapet një hon
me dy brigje krejt të huaja.

Në njërin vdekja, në tjetrin jeta.
Këtej dëshpërimi, andej besimi.

Në ekzistoftë një peshore, pjatat nuk lëvizin.
Në ekzistoftë drejtësia, ja pra tek e keni.

Të vdesësh aq sa ç’lypset, pa e tepruar.
Të rilindësh aq sa duhet, nga ajo çka shpëtuar.

Vërtet, edhe ne dimë të ndahemi më dysh.
Por vetëm në mish dhe pëshpërimë të brishtë.
Në mish dhe poezi.

Nga njëra anë gryka, nga tjetra e qeshura,
e lehtë, e mbytur shpejt.

Këtej zemra e rënduar, andej "non omnis moriar",
Veç tri fjalë të shkurtra, tri pendë të një flatrimi.

Honi nuk na ndan.
Honin e kemi përqark.



Përktheu: Aida Baro

10/11/2019

Pusullë e lënë para moslargimit


Nga Giorgio Caproni


Sikur të mos kthehem,
ta dini që nuk kam ikur
kurrë.

Rrugëtimi im
ka qenë i gjithi qëndrim
atje, ku kurrë nuk qeshë.



Përktheu: Aida Baro

2/01/2019

Macja në një shtëpi bosh


Nga Wislawa Szymborska

*Szymborska është poetja që e dua më shumë, fle mirë me atë që jam unë. E pra, si sot para 7 vjetësh, 1 shkurt 2012, ajo na la një trashëgimi të madhe letrare, së cilës mund t'i afrohesh hap pas hapi, dalëngadalë, se përndryshe të trazon aq shumë, duke fshehur nën një tis ironie dhe çtragjedizimi dhembjet dhe brengat e saj. 
Poezia e mësipërme është e tillë, shkruar pas vdekjes së njeriut me të cilin kaloi 30 vitet e fundit të jetës, Kornel Filipowicz-it (një tjetër shkrimtar i madh polak), pa jetuar nën një çati, sepse "zhurma e makinave tona të shkrimit shqetësonte tjetrin", por gjithnjë përkrah "si dy kuaj që rendin me galop krah sho-shoqit".


Të vdesësh - s'i bëhet kjo një maceje.
E ç'mund të bëjë një mace
në një shtëpi bosh?
Të kacavirret nëpër mure.
Të fërkohet pas mobilieve.
Në dukje, këtu asgjë s'ka ndryshuar,
megjithatë, asgjë s'është si më parë.
Çdo gjë duket në vend të vet,
megjithatë, çdo gjë nga binarët ka dalë.
Mbrëmjeve, llamba nuk ndriçon më.
Nëpër shkallë ndihen hapa,
po s'janë ata.
Edhe dora që hedh peshkun në kupë
s'është më ajo e para.

Këtu, diç nuk fillon
në orën e përhershme.
Këtu, diç nuk ndodh
ashtu siç duhej të ndodhte.
Këtu, ishte dikush, ishte
pastaj befas u zhduk
dhe këmbëngul të mos kthehet.

Nuk la dollap pa kontrolluar.
Nuk la raft pa rrëmuar.
Edhe nën qilim kokën e futi.
Madje, theu rregullin e prerë,
letrat mos m'i shpërnda në erë.
Ç'ka mbetur tjetër për të bërë.
Të presësh dhe të flesh.

Prit vetëm sa të bëhet i gjallë,
sa kokën ta sjellë ai,
e pastaj fort do pendohet
se maces kështu s'i punohet.

Do t'i dalë përpara
sikur qejfi s'ia ka aspak,
ashtu dalëngadalë,
mbi putrat inatçore,
pa klithje e lëpirje,
të paktën në fillim.


Përktheu: Aida Baro

1/15/2019

Përkujdesje


Teksti nga Manlio Sgalambro dhe Franco Battiato
Kompozuar nga Franco Battiato



Do të t'mbroj nga frikërat e sëmundjeve
nga trazimet që nga sot do hasësh në jetë
nga padrejtësitë e mashtrimet e kohës sate
nga dështimet që natyra jote i tërheq si magnet.

Do të t'lehtësoj nga dhembjet e luhatjet e humorit
nga makthet e manive të  tua.
Do t'kapërcej rrymat gravitacionale,
hapësirën dhe dritën që mos të t'lë të plakesh.

Dhe do të shërohesh nga çdo sëmundje,
sepse je qenie kaq e veçantë
dhe unë, unë do të t'kujdesem për ty.

Endesha nëpër fushat e Tenesisë
si kisha mbërritur atje, s'e di.
S'ke lule të bardha për mua?
Ëndrrat e mia më t'shpejta se shqiponjat
përshkojnë detin.

Mbi të gjitha do t'sjell qetësinë dhe durimin
bashkë do t'përshkojmë udhët që shpien drejt thelbit.
Kundërmimet e dashurisë do t'dehin trupat tanë
bunaca e gushtit s'do t'i platitë shqisat tona.

Do t'i thur flokët e tu si vargjet e një kënge,
i njoh ligjet e botës dhe ty do të t'i fal
Do t'kapërcej rrymat gravitacionale,
hapësirën dhe dritën që mos të t'lë të plakesh.

Do të t'shpëtoj nga çdo melankoli
sepse je qenie kaq e veçantë
dhe unë, unë do t'kujdesem për ty.
Po, unë, do t'kujdesem për ty.



Përktheu: Aida Baro

12/27/2018

Hareja e fundosjes

Nga Giuseppe Ungaretti







E sakaq rinis
lundrimin
sikurse
pas fundosjes
i mbijetuari
ujk deti.


Versa, 14 shkurt 1914


5/07/2018

Jetë e vështirë me kujtesën


Nga Wislawa Szymborska




Jam dëgjuese e keqe për kujtesën time.
Më kërkon t'i mbaj vesh zërin pareshtur,
por unë s'rri në një vend, kollitem,
dëgjoj e s'mbaj vesh,
dal, kthehem dhe dal sërish.

Më kërkon gjithë vëmendjen e kohën.
Kur fle, fjollë i shkojnë punët.
Ditën, has peripeci dhe mërzitet.

Me zell më sugjeron letra të vjetra, foto,
cek ngjarje disi të rëndësishme,
më rikthen peizazhe që më kanë shpëtuar sysh,
i popullon me të fjeturit e mi.

Në rrëfimet e saj jam gjithnjë e më e re.
Gjë e këndshme, po kujt i hyn në punë ky avaz.
Çdo pasqyrë kumte të ndryshme më dërgon.

Kreshpërohet kur unë shkund supet.
Atëherë hakmerret e më valëvit gjithë gabimet e mia,
të rënda, e pastaj të harruara fare lehtë.
M'i ngul sytë, pret një përgjigje.
Më ngushëllon pastaj, mund të kish shkuar më keq.


Do që të jetoj vetëm për të dhe me të.
Aq më mirë në një dhomë të errët, të kyçur,
por në planet e mia ka përherë diell,
retë e sotme, rrugët ditë pas dite.

Herë-herë, s'e duroj dot shoqërinë e saj.
I propozoj të ndahemi. Sot e përgjithmonë.
Atëherë, mëshirëplotë buzëqesh,
e di që edhe për mua do të ishte ndëshkim.


© Përktheu nga italishtja: Aida Baro


4/26/2018

Tym cigaresh


nga Sibilla Aleramo


Tym cigaresh.
Buzëqeshje të lehta.
E sërish tym,
fjolla të lehta,
nga buzët e mia,
çdo mbrëmje
pak minuta,
nga ballkoni i tij,
nga dritarja ime,
fjolla të lehta,
çelin buzëqeshje
dhe zërin s'ma njeh
dhe zërin s'ia njoh,
vetëm,
përmes fjollave të tymit
më pëlqejnë sytë e tij,
i pëlqejnë sytë e mi,
çdo mbrëmje
pak minuta,
një përshëndetje
fjollash tymi
lehtësi e hijshme gjestesh,
pikë e heshtur zjarri
ngrihet mbi kopshtin e përgjumur,
dhe asgjë tjetër,
ja kështu,
ndërsa pranë abazhurit
puna pret,
pak minuta,
çdo mbrëmje
për ca mbrëmje,
fjolla të lehta
fjolla të lehta.


 © perkthimi: Aida Baro


11/01/2017

Pa titull - nga Goliarda Sapienza




U krye. U përmbyll. Mori fund.
U shua zjarri. Ndali.
U mbyll rrethi i ngurosur.
Koha mbet'. U krye
krimi. U dogj
kujtimi. Ankthi reshti.
Një savan lave murmuriti
çdo kafkë çdo orbitë e zbrazët.
Çdo gojë në klithmë e vulosi.

U përmbyll rrethi. Asgjë s'guxon ta kaptojë
heshtinë e lavës. Të ndërkryera
vërtiten rreth flakadanit të shuar milingonat.



© Përktheu: Aida Baro

Max Richter - November

8/25/2017

Hera-herës tani kur fle vetëm

nga Grace Paley



Hera-herës tani kur fle vetëm
i mbaj erë vetes
e vras mendjen në gjithë këto vite kjo
është era kaq e njohur për ty
në qoftë kështu, të pëlqente vërtet s’më
duket fort e këndshme ti çuditërisht
djersin pak për një burrë kaq sportiv por
e ëmbël më vjen aroma jote kur të rrok këto ditë
(ose ti mua) a kur vë kokën në
jastëkun tënd në shtrat e di që je ti
një kundërmim i lehtë oxhaku dhe të
frymëthith pak nuk habitem
s'e harroj përherë më këndellje shpirtin.


Përktheu: Aida Baro
Photo by Leone Cameli

4/24/2017

Frikë



Nga Umberto Saba





Në zemrën time dyshimplotë
një zëth ndiej që më thotë:
"I lumtur mund t'ishe përnjëmend".

Mundet, por s'guxoj lehtë.


Përktheu: Aida Baro
Photo by Vasil Qesari

12/30/2016

Muza e haresë

Nga Goliarda Sapienza

(fragment)
– Po ç’bën, moj bilë, po qan? Njëherë motit, të kërcente damari me mua e më çirrnje e më grisnje. Kaq shumë ke vojtur?
– Nuk kam vojtur e zët të kam!
– Me vënt. Por turp mos ki. S’është turp të vuaç kur kësmeti na hidhet kundër. Edhe mua, që plak njeri isha, më sëmboi shpirti që të laç vetëm ashtu të re e gjithë zjarr, siç të pata veselitur me duart
e mia. Edhe këto tri net që jam endur qark shtëpisë, bëja be që ndokënd do ta kishnje pranë, e s’mbanja shpresë për veten. Ndaj dhe bëra kujdes që mos të trokisnja në portë.
– Burracak je treguar, jo i kujdesshëm, Karmine, burracak! Qërrohu te djemtë e tu! Si guxon të kthehesh e të ikësh si të ta dojë qejfi? Detyrën e babait e bëke dhe e zhbëke si të të volisë?
– Jo, moj bilë. Mortja vendosi për mua. Mortja më çliroi dhe, i lirë, te ti u ktheva.
Një valë butësie e dhembsurie që kurrë më parë s’e kisha ndier për atë trup të bëshëm që rëndon ëmbëlsisht mbi trupin tim, m’i shtyn duart drejt buzëve të tij. Duhet t’ia mbyll gojën, se zëri i tij, i çliruar nga vargonjtë e vdekjes, më zgjon në bark një afsh të harruar dhe thimthat e fortë, më dhembin kur prekin setrën e tij.
– Të lëvrin gjaku për mua, Modesta, ta ndiej nga fërgëllima e duarve.
Buzët e tij më flasin mes gishtërinjve. Më kot të mohosh shiun apo diellin apo erën. S’na mbetet veçse ta pranojmë zhegun e beharit, akullsinë e dimrit. Nuk gjegjem dhe me dorë, siç kish bërë
dikur ai me mua, kur ende s’e njihja botën, ia shpie buzët drejt atij grafullimi kënaqësie dhe dhimbjeje që janë kthyer gjinjtë e mi. I pambamendje, kurmi im pret dhe kofshët çelen nën të, por një teh i akullt ndërfutet mes valëve të afshëta të këndelljes dhe, paçka se s’doja, e detyron dorën time të ndalojë atë regëtimë verbuese që fal jetë.
– Ç’ke, koce, që më ndalon kështu? Marazi të ka ngrirë kaq shumë, sa s’mund të më falësh?
Një valë butësie e dhembshurie që kurrë më parë s’e kisha ndier për atë trup të bëshëm, që gollomesh, i zhgënjyer, më rëndon mbi barkun dhe kofshët e shtrënguara, zëre se më shtyn ta lë penisin e tij. Por dora nuk më bindet dhe mblidhem sa një grusht mes seksit të tij dhe timit, e akulluar.
– Çfarë ke, Modesta, çfarë ke? Hapja zëmrën Karmines. Në ke vojtur e hequr aq shumë sa s’mund të falësh, Karmine të kupton.
– Jo, jo, vetëm se kam frikë, Karmine, frikë!
– Frikë nga se, moj bilë, s’të kuptonj.
– Limfë të re ndiej në pemën e vjetër, Karmine, e ndiej kur e prek.
– Ah, vetëm kjo na qënkësh! Me hak, ndjemë, moj bilë. Duhej të më kish rënë nër mënt, por kaq shumë po zhuritesha për ty, sa vetëm këndelljen time mendova.
Butësisht, u ngrit nga unë dhe u lëshua në shtrat krah meje.
– Ke hakë. S’dua të të vithis rrojtjen me një tjetër çilimi, ama mos më lër kështu. Kam dhimbë, e ndien sa i fortë është tharmi im. Ja, kështu, me duar e me gojë, më lehtëso. Por kur ta ndiesh që po
vij, largoje gojën se s’dua të të pështiroset.
Si dikur, me dorën e kujdesshme u prin udhën ledhave të mia. Kurrë s’e kisha puthur kështu dhe një valë e re ngrohtësie zbon akullsinë e mëparshme. Afshi ma pushton sërish kurmin dhe ndjesitë e mia drithërohen përnjëherësh me të tijat. Dhe tashti që tharmi i tij vlon e më ngjitet mes gjuhës dhe qiellzës, nuk mund ta lë dhe derdhem tok me të duke thithur atë farë të panjohur që buron nga thellësia e qenies së tij e vjen t’i shuajë etjen gojës së rreshkur nga epshi. Shije e athët dhe e ëmbël,
rrëshirë peme, ose qumësht i prerë burri, lindur edhe ai për të mëndur.
Seksi, tashmë i vogël, mbështetet i pafuqishëm mbi qimet kaçurrela e të ashpra. Zbavitem duke e ngacmuar me gisht. Si atëherë, nuk më kundërshton më dhe, si atëherë, çudi e emocioneve, më vjen për të qeshur.
– Pse më qesh nën buzë, moj koce kock’e fortë?
– Më duket qesharak kaq i vogël dhe pa forcë! Pastaj, Karmine, si s’e kisha vënë re më parë që këtu qimet janë më të errëta e s’ka as edhe një qime të bardhë?
– Po të shohç mirë, do të gjeç nonjë.
– Po jo de, asnjë për be, Karmine, as edhe një e vetme! Duken si flokët e Eriprandos.
– Ah, paskësh marrë na soji ynë, këtë do më thuaç? Mal ma bëre zëmrën.
– Karmine, si vallë, flokët i ke të bardha borë, kurse qimet këtu, të zeza?
– Po ç’të të them, moj bilë? Mbase jam gjysmë plak e gjysm’i ri, ç’të të them tjatër?
– Po poshtë sqetullës? Më lër të shoh, ngrije krahun.
Dalëngadalë shtegtoj nëpër gjithë trupin e tij. Edhe nën sqetull, të zeza sterrë i kishte, por mbi gjoks aty-këtu, mbinte ndonjë qime e bardhë.
– Ç’kraharor qimedendur ke, Karmine! Qimedendur e qimedredhur, kurse te krahët, si mëndafsh.
Dalëngadalë zbres poshtë atij trupi të bëshëm. Dua të shikoj fijet më të gjata. Dua të shikoj nëse është e vërtetë që janë të zeza, siç më ishin dukur para se të ngjitesha drejt shpatullave.
– Më ngjitesh e më zbret nëpër trup mu si maçok, moj koce! Leshrat e tua po më gudulisin. Ç’kërkon, a derman?
Pas atij shtegtimi të gjatë nga shpatullat te kyçet e këmbëve, mbështeta kokën mes krelave të zeza. Jam e lodhur, mbyll sytë dhe filloj të luaj sërish me tharmin e tij që, tashmë i kënaqur, zëre se rehatohet plotësisht mbi pëllëmbën e dorës sime.
– Qëparë, ishte bërë shumë i madh, tashti i vocërr fare. Si ndodh, Karmine?
– Po shko e pyet ullirin saraçin që mbeti duke na sajuar thagma. E ku merr vesh Karmine nga qejfet e mëmës natyrë!
– Asgjë, as edhe një, të gjitha të zeza janë qimet, Karmine. Sa vjeç je, plakush?
– Pesëdhjetë e tre do të bënem, në arritça ditën e të vdekurve.
– Ke lindur më dy të nëntorit?
– Po, moj koce, mu më dy të vjeshtës së tretë. Nënolja thosh se atë vit, si peshqesh, Karminen sollën të fjeturit. E kushedi pse, ajo plakë biskonjë, qeshte e englendisej kur mendonte kështu. Në krye, mua s’më puqej hiç kjo mesele, dhe për mote me radhë, botës jashtë, u thosha që kisha lindur më tre të vjeshtës së tretë. Mëpastaj, avash-avash s’ia vura më veshin dhe mu si nënolja, zura të shpotitja me të fjetur e me të gjallë, me Zot e me djall tok!

Përktheu: Aida Baro

8/23/2016

“Muza e haresë” një himn për lirinë

Bota shpesh është tronditur nga libra të konsideruar skandalozë e të pacipë, që janë djegur në turra drush apo s’u është lejuar drita e botimit, por me kalimin e kohës, si sprovë e vlerës së tyre letrare, ata  janë rivlerësuar dhe çmuar si libra  me një vizion shumë të përparuar në krahasim me kohën e tyre.
Të njëjtin fat(keqësi) ka patur edhe “Muza e haresë”, botimin e të cilit, autorja nuk arriti ta shijonte. Goliarda Sapienza, një grua rebele, një shpirt i lirë, doemos që s’mund të shkruante përveçse një libër të tillë, po aq të vërtetë, sa ç’mund të jetë vetë jeta.
Shkruar për një periudhë gati 10-vjeçare, 1967-1976, ky libër do ta rrënonte financiarisht Sapienza-n, sepse iu përkushtua vetëm shkrimit të tij, duke lënë mënjanë punën e saj si aktore apo shkrimin e librave të tjerë.

“Muza e haresë” rrëfen historinë plot aventura të Modestës, lindur në një shtëpi të këputur, në Sicili, më 1900, me një fëmijëri të trishtë, por me një pasion të madh për jetën. Qysh herët, udhëhiqet nga dëshira dhe vullneti i hekurit e thuajse imoral për të plotësuar kërkesën për kënaqësi që i ngjitet  nga trupi dhe nga shpirti. Dëshirat e saj nuk reshtin asnjëherë, ajo ndeshet me botën, kapërcen çdolloj pengese që i del përpara, pa u zmbrapsur nga dhembja dhe nga humbja. Modesta me rrëfimin e jetës së saj përshkon thuajse gjysmën e shekullit XX, duke na dhënë kësisoj një panoramë të gjerë të situatës politike e shoqërore të atyre viteve në Itali.

Pasi pëson një përdhunim nga ai i ashtuquajturi baba, pa vetëdije i vë zjarrin shtëpisë, bashkë me të cilën do të digjen edhe nëna me të motrën të sëmurë nga mongolizmi. Fati e do që në manastirin ku ka përfunduar, të shfaqet një murgeshë e mirë, e cila do të kthejë gjithë rrjedhën e jetës së Modestës. Në pallatin fisnik ku dërgohet më pas, Modesta do të zërë të kalisë e të formësojë atë grua të fortë, kryeneçe, rebele, të pabindur dhe mbi të gjitha të lirë që do të jetë më vonë.

Duke pasur parasysh edhe ishullin ku jetonte, ku sundimi patriarkal ka pasur rrënjë të thella, rrjedha e jetës së Modestës s’do të jetë aq e lehtë, por pasioni i saj për të studiuar, për të dashuruar, për të jetuar jetën në 360 gradë, do ta bëjë që t’i kundërvihet të gjitha rregullave shoqërore, zakoneve, skemave të jetës familjare, roleve në dashuri. Modi ynë (siç e thërrasin me përkëdheli njerëzit më të afërt) dashuron me pasion qenien njerëzore, qoftë burrë a qoftë grua: Beatriçen e ëmbël, me të cilën i lidh vetmia dhe bashkarisht do të zbulojnë se ç’është të japësh dashuri e ngrohtësi njerëzore në një botë të egër; Karminen, qehajain e familjes princërore, burrin e fortë, të pashkollë, por të mençur nga përvoja e jetës, me të cilin do të ndiejë ekstazën më të plotë të epshit dhe të dashurisë karnale; Karlon, intelektualin antifashist të zgjuar dhe fin; Xhoisin, gruan intelektuale të aktivizuar në radhët e socialistëve, psikanalisten thuajse të dështuar, me të cilën do të debatojë gjatë sidomos për gjendjen e gruas, prapambetjen e saj, paragjykimet, rolin që shoqëria i kërkon të luajë, faktin që gratë vetë për t’u futur në hiret e burrave e për të arritur pushtetin që duan, sillen ekzaktësisht si ata...
Modi ynë është një grua që ndonjëherë mund të quhet e çmendur, sidomos kur vjen fjala te lindja e fëmijës. Nuk ka të dytë përshkrimi i saj për lindjen e fëmijës së parë, Eriprandos:
  
“Kush do t’ia dalë? Ajo valë dhembjeje që vetëm zvargej e zvargej? Duhej të ndiqte atë valë? Trupi i saj luftonte me trupin tjetër që, si një blanjë e hekurt, rrihte murin e barkut për të dalë. Ai ishte armiku, ajo blanjë që përpëlitej për të dalë nga burgu, se donte të jetonte, edhe sikur ta shkallmonte, edhe sikur ta shkatërronte trupin e saj që, ndonëse i përgatitur, nuk po ia dilte në kut që ta nxirrte jashtë atë armik për të mos dhënë shpirt.”

E megjithatë, ajo fëmijët e saj të shumtë, pjellë e saj apo të birësuar, i mëson të rriten të lirë, të ndjekin idetë dhe natyrën e tyre, pa i detyruar të zgjedhin sipas normave të shoqërisë, përkundrazi.

Goliarda Sapienza, me një lehtësi thuajse të papërballueshme, kalon nga veta e parë e rrëfimit në të tretën, si për të theksuar dhe alternuar gjendjen e brendshme psikologjike të personazhit. Por nuk është kjo e vetmja veçanësi e stilit të saj. Për ta afruar lexuesin sa më shumë me botën dhe mendësinë ishullore të Sicilias, disa prej personazheve flasin në dialektin sicilian dhe në atë roman, gjë që si përkthyese më vuri në një dilemë tepër të madhe: mos duhet t’i sjell në shqipen letrare apo t’i përshtas njëfarësoj pa iu drejtuar një dialekti të caktuar? Mirëpo, nëse do të bëja këtë zgjedhje, do të humbiste krejtësisht fryma, dheu, terreni pjellor i Sicilisë, që është edhe vendlindja e autores, e kësisoj do të sillja në shqipe një libër cung. Ndaj, vendimi për t’iu futur rrugës më të vështirë, zgjedhjes së dialektit të jugut për të karakterizuar sa më mirë secilin prej personazheve, ishte i pashmangshëm.

Sidoqoftë, uroj që Modesta të trazojë sa më shumë shpirtra, të trondisë e të zgjojë sa më tepër mendje të fjetura e të qetësojë të tjerë shpirtra që ndihen të vetmuar në realitetet ku jetojnë. 

4/22/2016

Zemërguaskë

Nga Mario Benedetti


Se të kam dhe s'të kam
se t’mendoj
se nata është këtu syçelë
se nata shkon dhe them e shtrenjtë
se për t’marrë shëmbëlltyrën tënde ke ardh’
dhe ti je m'e mirë se çdo shëmbëlltyrë jotja
se je e bukur nga shputat gjer në shpirt
se je e dashur nga shpirti gjer tek unë
se e butë fshihesh pas krenisë
vogëlane dhe e butë
zemërguaskë

se je imja
se s'je imja
se të sodis e vdes
e më keq akoma vdes
po s’të pashë e shtrenjtë
po s’të pashë

se ti gjallon përherë ngado
por gjallon më mirë atje ku të dua
e goja t'është gjak
e ndien të ftohtë
e unë duhet të të dua e shtrenjtë
duhet të të dua
ndonëse plaga dhemb për dy
ndonëse të kërkoj e s’të gjej
edhe ndonëse
nata shkon dhe unë të kam
e nuk të kam. 


Sjellë në shqip: A. Baro

4/13/2016

Pas festave

Nga Julio Cortázar





E kur të gjithë iknin
e mbeteshim vetëm ne të dy
mes gotash të zbrazura e hirnoresh të pista,
isha i lumtur se ishe ti aty,
si një rrjedhë që ndalon udhën,
vetëm me mua në zgrip të natës,
dhe rrije, ishe më shumë se koha,
ishe ajo që s’ikte
se e njëjta nënkresë
e njëjta ngrohtësi
do të na thërriste sërish
për të zgjuar ditën e re,
së bashku, duke qeshur, flokëshprishur. 



 © Sjellë në shqip: A. Baro

 ©Salvador Dali - Patient lovers

4/06/2016

Ca fjalë për shpirtin

Nga Wislawa Szymborska


Shpirti na pushton herë e tek,
kërkush s’e zotëron pareshtur,
përgjithmonë.

Ditë pas ditësh,
vit pas vitesh,
mund të rrjedhin pa të.

Hera-herës, ngre fole ca më gjatë
veç në frikën dhe ngazëllimet e vegjëlisë,
herë të tjera në habinë e mplakjes.

Rrallë na jep një dorë në punë të rënda,
në zhvendosje moblash,
 mbartje baulesh
a rendje rrugëve me këpucë që t'vrasin.

Ditën, kur mbushen formularë
a grihet mishi,
e ka pushim.

Ndër mijëra biseda tonat
merr pjesë veç në njërën,
edhe në këtë jo se s’bën,
ngase heshtjen ia ka ënda.

Kur trupi na dhemb e na ther,
heq dorë nga detyra, pa u ndier.

Është buzëhollë,
s’i pëlqen të na shohë mes turmës,
ngulmimi ynë për një nder të dyshimtë
dhe intrigat zëçjerrëse, i kallin krupën.

Hareja dhe trishtimi
për të, s’janë dy ndjenja të kundërta.
Na rri pranë
vetëm kur ato të dyja janë tok.

Besën mund t’ia kemi
kur s’jemi të sigurt për asgjë
 dhe kureshtarë për gjithçka.

Ndër sendet, për zemër ka orat 
me pendul dhe pasqyrat,
që punojnë me zell
edhe kur asnjë s’i shikon.

S’të thotë nga vjen e
kur do të zhduket sërish,
ama i pret pyetje të tilla.

Thonë që, ashtu si ne për atë,
edhe ai për diç na e ka nevojën.


To know


© Sjellë në shqip nga A. Baro 


3/08/2016

Një ditë vjeshte

Nga Pier Paolo Pasolini






Ishim çiliminj
nën këtë çati
nën po të njëjtin diell,
dhe zemra sëmbuar barabar nga mërzia.
Mërzi se rronim
gjithë dritë të butë
dhe ngjyra vezulluese.
Mërzi’ fëminie
me plot kohë përpara
i lumë e i sigurt, jetë e njëmendtë.
Tash kthehet e pafund
pa të ardhme, e lodhur.
O trupi im i mplakur
në këtë rini
të paqtë si dita,
ngrohu nën këtë diell
që mos të t’duket ëndërr
kur në një jetë tjetër të rrosh.


© Në shqip: A. Baro

6/23/2014

PËRGJIGJJA


Nga Luigi Pirandello

(Botuar në revistën Haemus Plus)

Besoj se u shfryve paq, miku im!
Me të vërtetë është për të ardhur keq që ti, duke dhunuar prirjen tënde të lindur, nuk ke mundur t’u përkushtohesh Muzave. Sa ngrohtësi në shprehjet e tua, dhe me ç’qartësi të kthjellët, me sa pak fjalë, arrin të më sjellësh të gjallë përpara syve vende, ngjarje dhe njerëz!
Je i hidhëruar, i zemëruar, Marini im i gjorë; dhe nuk do të doja kurrsesi që kjo përgjigje imja të të shtonte dhembjen dhe zemëratën. Por, ti më kërkon të të them çiltazi se çfarë mendoj për rastin tënd. Do të ta them për të të kënaqur, megjithëse jam i sigurt, që nuk do të të vijë mirë.
Po ndjek mënyrën time, në më lejon. Më parë po përmbledh shkurtimisht faktet, mandej do të të shfaq, po me atë sinqeritet që ti dëshiron, mendimin tim.
Pra, sipas rrjedhës së ngjarjeve.

6/16/2012

Unë jam një fuqi e së Shkuarës

Nga Pier Paolo Pasolini


Unë jam një fuqi e së Shkuarës,
veç tek tradita gjendet dashuria ime.
Vij nga gërmadhat, nga Kishat,
nga shtyllat e altarëve, nga mëhallat
e braktisura mbi Apenine ose nga Prealpet,
ku kanë jetuar vëllezërit.
Endem nëpër Tuskulanë si i marrë,
përgjatë Apias si një qen pa zot.
Sodis muzgjet, agimet
mbi Romë, mbi Çoçari, mbi botë,
si veprat e para të Pashistorisë
ku jam pjesë si shkak i privilegjit t’lindjes,
nga zgripi më i skajshëm i ndonjë epoke
të varrosur. I përbindshëm është ai që ka lindur
nga barku i një gruaje të vdekur.
Dhe unë, kërthi i rritur, endem
më mendjeçelët se çdokush tjetër,
në kërkim vëllezërish që s’janë më.


***

Io sono una forza del Passato.
Solo nella tradizione è il mio amore.
Vengo dai ruderi, dalle Chiese,
dalle pale d'altare, dai borghi
dimenticati sugli Appennini o le Prealpi,
dove sono vissuti i fratelli.
Giro per la Tuscolana come un pazzo,
per l'Appia come un cane senza padrone.
O guardo i crepuscoli, le mattine
su Roma, sulla Ciociaria, sul mondo,
come i primi atti della Dopostoria,
cui io sussisto, per privilegio d'anagrafe,
dall'orlo estremo di qualche età
sepolta. Mostruoso è chi è nato
dalle viscere di una donna morta.
E io, feto adulto, mi aggiro
più moderno d'ogni moderno
a cercare i fratelli che non sono più.

Perktheu: Aida Baro

12/04/2011

BARONI REBEL


Nga Italo Calvino
Kapitulli III (fragment)



Unë nuk e di në është e vërtetë ajo që thuhet nëpër libra, që në kohërat e vjetra një majmun ishte nisur nga Roma, e duke kërcyer nga një pemë në tjetrën kish  arritur gjer në Spanjë, pa prekur fare në tokë. Në kohën time, një vend i tillë ishte vetëm Gjiri i Ombrozës dhe lugina e tij deri mbi kreshtën e maleve,  mbushur me pemë nga njëri cep në tjetrin. Dhe për këtë arsye vendet tona ishin të përmendura gjithandej.
Tashmë këto vende nuk njihen më. Çdo gjë filloi me ardhjen e Francezëve, të cilët i prenë pyjet sikur të ishin lëndina që krasiten çdo vit e mandej rriten sërish. 
Nuk u rritën më kurrë. Dukej si diçka që ndodhte vetëm në kohën e luftës, të Napoleonit, e kohërave të tjera, por në fakt historia vazhdoi. Shkrepat kanë mbetur fare lakuriq, saqë kur i shikojmë, ne që i kemi parë të lulëzuara, prekemi thellë.
Asokohe, kudo që shkonim, mes nesh dhe qiellit, syri të zinte vetëm degë e kurora. E vetmja zonë, ku bimësia ishte më e ulët ishin limonat, por edhe atje mes tyre  ngrihej ndonjë pemë fiku, të cilët pak më lart, pranë malit,  e mbushnin gjithë qiellin e kopshtijeve me kupolat e gjethnajës së tyre të  dendur. Dhe në mos qenë fiq, qenë qershi me kurora të errëta, ose ftonj të ëmbël, pjeshkë, bajame, dardha të reja, kumbulla që kullonin lëng, e pastaj  vardhëza, çiçibanoze, si dhe mana ose arra shumëvjeçare. Pas kopshtijeve fillonte ullishtja, gri në të argjendtë, një re që binte në sy mu në mes të bregut. Në fund vinte fshati, i mbledhur i gjithi mes portit poshtë dhe shkëmbinjve sipër; dhe aty mes çative mbinin vazhdimisht kurorat e pemëve: xinat, çinarët dhe dushqet, një bimësi shumë e harbuar dhe hijerëndë që shpërthente pastaj - një shpërthim tepër i rregullt ky - në zonën ku fisnikët kishin ndërtuar vilat dhe kishin rrethuar me kangjella parqet e tyre.

11/19/2011

VETVETES

Nga Giacomo Leopardi


Tash përngaherë do të prehesh,
e lodhura zemra ime. Sosi ëndrr’ e skajshme,
që t ‘përjetshme e pandehja. U sos. Thellë e ndiej,
brenda nesh, iluzioneve t’shtrenjta
jo vec shpresa, edhe dëshira u është shuar.
Prehu përgjithmonë. Shumë
hoqe. Kurrgjë s’i ka hak
reg'timat e tua, më t’voglin ofsh s’e meriton
dheu. Hidhërim e mërzi
jeta, kurrgjë tjetër s’qe. Dhe baltë është bota,
pusho tashmë. Përpëlitu
për t’mbramen herë. Sojit tonë, vec vdekjen
fati i blatoi. Tashmë përçmo
veten, natyrën, Fuqinë
e ligë, që fshehtas, në kurriz të të gjithëve sundon
dhe mbi kotësinë e pafund të gjithçkaje.