Pages

1/15/2019

Përkujdesje


Teksti nga Manlio Sgalambro dhe Franco Battiato
Kompozuar nga Franco Battiato



Do të t'mbroj nga frikërat e sëmundjeve
nga trazimet që nga sot do hasësh në jetë
nga padrejtësitë e mashtrimet e kohës sate
nga dështimet që natyra jote i tërheq si magnet.

Do të t'lehtësoj nga dhembjet e luhatjet e humorit
nga makthet e manive të  tua.
Do t'kapërcej rrymat gravitacionale,
hapësirën dhe dritën që mos të t'lë të plakesh.

Dhe do të shërohesh nga çdo sëmundje,
sepse je qenie kaq e veçantë
dhe unë, unë do të t'kujdesem për ty.

Endesha nëpër fushat e Tenesisë
si kisha mbërritur atje, s'e di.
S'ke lule të bardha për mua?
Ëndrrat e mia më t'shpejta se shqiponjat
përshkojnë detin.

Mbi të gjitha do t'sjell qetësinë dhe durimin
bashkë do t'përshkojmë udhët që shpien drejt thelbit.
Kundërmimet e dashurisë do t'dehin trupat tanë
bunaca e gushtit s'do t'i platitë shqisat tona.

Do t'i thur flokët e tu si vargjet e një kënge,
i njoh ligjet e botës dhe ty do të t'i fal
Do t'kapërcej rrymat gravitacionale,
hapësirën dhe dritën që mos të t'lë të plakesh.

Do të t'shpëtoj nga çdo melankoli
sepse je qenie kaq e veçantë
dhe unë, unë do t'kujdesem për ty.
Po, unë, do t'kujdesem për ty.



Përktheu: Aida Baro

1/10/2019

Lutje në janar


Teksti dhe muzika: Fabrizio de André


Mbushe, O Zot, me lule
udhën ku shkon ai,
kur ty shpirtin e vet
dhe botës trupin e tij
do t'i duhet t'ia kthejë,
kur të vijë në parajsë tënde
atje ku yjtë shkëlqejnë
edhe në mes të ditës.

Kur të kapërcejë
të mbramen urë të vjetër
t'vetëvrarëve do t'u thotë,
në ballë duke i puthur
ejani në Parajsë,
atje ku shkoj dhe unë,
sepse Ferr nuk ka
në botën e të mirit Zot.

Le të mbërrije te Ju
me t'tijat kocka t'lodhura
i ndjekur pas nga mijëra
të bardhash krejt fytyra.
Lëreni që te ju të kthehet
mes të vdekurve për fyerje
që ndaj qiellit e tokës
treguan guxim'n e tyre.

Zotërinj mendjendritur
uroj keq t'mos ju vijë
që në qiell, mes shenjtorësh
Zoti, mes krahëve të tij
dënesën do të mbysë
të atyre të mekurave buzë
që vdekjen parapëlqyen
jo paditurinë e mllefin tërkuzë.

O Zot mëshirëmadh
tënden Parajsë të bekuar
mbi të gjitha e krijove
për ata që s'qeshën kurrë,
për ata që kanë jetuar
me ndërgjegjje të kulluar.
Ferri ekziston vetëm për ata
që frikën ia kanë.

Më mirë sesa ai askush
s'mund të të tregojë kurrë
gabimet e ne të gjithëve
që mund e do të falësh.

Mbaj veshin zërin e tij
që tash këndon në erë,
O Zot mëshirëplotë,
e i lumtur do të jesh.


Përktheu: Aida Baro


Preghiera in gennaio

1/04/2019

Preke tokën, preke Zotin


Teksti dhe muzika: Juri Camisasca


Këtu në Kurrkund, viti i ri ka ardhur në kërkim të prehjes shpirtërore, ndaj dhe kjo këngë më frymëzoi përkthimin e parë.
Juri Camisasca është një këngëtar italian, me një jetë fort të tallazitur, në krye hipi, më pas prift benedektin, iu rikthye skenës në fund të viteve '90, (periudhë kur u shkrua dhe kënga "Prek tokën, prek Zotin") dhe sot është kthyer në një eremit. Por këngët e tij, ku ndihet gjurma e mikut të vet, Franco Battiato (një tjetër muzikant intelektual do të thosha), janë ekzistencialiste dhe spirituale, ku teksti dhe muzika të shpien në të tjera dimensione.




Si përherë të forta janë ngjyra vjeshtore
e të përpikta edhe sot stuhitë verore,
ngjarjet përsëriten. Ndiej një barrë që më shtyp
dhe harrohen shtirjet.

Preke tokën, preke Zotin.
Nuk e di më se kush jam.

Krejt i vetëm në këtë dhomë
dal e bredh në qendra qytetesh,
si barrë plumbi rëndohem rrezatimesh.
Mbrëmja ka rënë tashmë.
Në kiminë e mendjes sime
përjetoj të tjera kombinime.

Preke tokën, preke Zotin.
Nuk e di më se kush jam.

Dhe tashmë mbrëmja ka rënë në kiminë e simes mëndje.

Preke tokën, preke Zotin.
Nuk e di më se kush jam.




Përktheu: Aida Baro

Tocchi terra tocchi Dio