Pages

10/13/2011

SEKSI, NGUSHËLLIM I MJERIMIT


Nga Pier Paolo Pasolini











Seksi, ngushëllim’ i mjerimit!
Ujkonja është  mbretëreshë, froni i saj
një gërmadhë, toka e saj një copë
lëndinë e pëgërë, skeptri i saj
një çantë e kuqe e feksur:
Leh natën, e ndyrë dhe e egër
si një mëmë e lashtë: mbron
mallin  dhe jetën e vet.
Rrufjanët, aneqark, luzmë,
kapadaij e çehrevrarë, mustaqellinj
brindizinas a sllavë, janë
krerë, mëkëmbës:  ujdisin
në terr, punët e tyre njëqind liretëshe,
duke i shkelur syrin sho-shoqit në heshtje, parrulla
duke shkëmbyer: bota, e përjashtuar, hesht
rreth atyre, që krejt janë vetpërjashuar,
kërma të heshtura grabitqarësh.


Por n’fundërrinat e botës, lind
një botë e re:  ligje t’reja lindin
atje ku s’ka më ligj: një nder  i ri
lind atje ku nder është çnderimi…
Lindin fuqi e fisnikëri,
t’egra, ndënë turra  kolibesh,
në vende pa anëfund, atje ku pandeh
se sos qyteti, por ku ama
rishtaz ringrihet, armik,  rishtaz ringrihet
me mijëra herë, me ura
e labirinthë, kantierë e hone dherash
pas dallgëzime rrokaqiejsh,
që gjithë horizontet mbulojnë.

Në lehtësinë e të bërit dashuri,
mjerani ndjehet njeri:
hedh rrënjë besimi tek jeta, gjersa
t’përçmojë këdo me një jetë ndryshe.
Bijtë lëshohen ndër kuturisje
t’sigurt që janë në një botë
që prej tyre, prej seksit të tyre, tutet.
Mëshira e tyre, në të qenit të pamëshirëshëm
Forca e tyre te lehtësia,
shpresa e tyre te pashpresimi.


Foto: Salò (o le 120 giorni di Sodoma) - filmi i fundit i P.P.P.

©Perktheu: Aida Baro

No comments: