Nga Cesare Pavese
Do të vijë vdekja e sytë e tu do të ketë.
Kjo vdekje që na bën shoqëri
nga mëngjesi në mbrëmje, e pagjumë,
e shurdhët, si peng i vjetër
a zakon pa kuptim. Sytë e tu
fjalë boshe do të jenë,
një klithmë e mbytur, heshtje.
Kështu i sheh çdo mëngjes
kur, e vetme, shihesh
në pasqyrë. O e shtrenjta shpresë,
atë ditë edhe ne do ta mësojmë
që ti je jeta dhe hiçi.
Për të gjithë vdekja ka një palë sy.
Do të vijë vdekja e sytë e tu do të ketë.
Do të jetë njësoj si të heqësh dorë nga një zakon,
si të shohësh në pasqyrë
fanitjen e një fytyre të vdekur,
si të mbash vesh buzë të lidhura.
Në humbellë do të zbresim të pagjuhë.
Përktheu: Aida Baro
Claudio Lolli
No comments:
Post a Comment