Pages

Showing posts with label poezi. Show all posts
Showing posts with label poezi. Show all posts

1/11/2023

Nuk jam e re dhe kurrë s’do të plakem

Nga Maram al-Masri
(poete siriane)








Nuk jam e re dhe kurrë s'do të plakem.
I përkas një fisi grash
që kanë gazin e vogëlusheve
dhe nënqeshjen e pacipë të plakave,
flokë të gjatë e të çlirë,
sy të lashtë si Toka,
ku bukuria e brendshme s’ka të sosur.
Motra të burrave me
shpirt ujku e shqiponje,
qipuj gazmorë që kurrë
s’kanë hequr dorë nga loja.
Qenie që kohën përshkojnë
në lëvizje të përhershme,
ndër ethe kërshërie.
Nuk kam e kurrë s’do të kem moshën
që shfaqet në dokumente,
sepse nuk jam e re
e s’do të plakem kurrë.
Unë jam Përjetësia.




Përktheu nga italishtja: Aida Baro
photo by me, Maricel Museum, Sitges (SP)




Poezi nga Pablo Neruda





A e mban mend,
O e përgjumura nën hijen time,
Si vinte prej teje
gjumi,
Prej gjoksit tënd gollomesh,
çelur me kupat e tij binjake,
drejt detit, drejt flladit t'ujdhesës,
dhe unë i lirë lundroja
në tënden ëndërr,
mes detit e erës,
e prapë varguar e zhytur
në të kaltrën butësi
t'ëmbëlsisë sate?


Përktheu: Aida Baro
Photo by: Aida Baro

6/23/2021

Jam fort e mbarë gjatë ditës

 Nga Sibilla Aleramo



Jam fort e mbarë gjatë ditës.

Kuptoj, pranoj, lot nuk derdh.

Zëre se mësoj të jem krenare si t’isha burrë.

Por në të parën drithërimë të purpurt në qiell

çdo mbrojtje e ditës bëhet fir.

Ti më pëshpërit nga larg: “mbrëmje, mbrëmje e butë dhe imja!”

Më duket se mbart mes gishtërinjsh lodhjen e botës mbarë.

S’jam më veçse vështrim, vështrim i përhumbur, dhe damarë.


Përktheu: Aida Baro

Photo: Ted Preuss

3/17/2021

Lindja e aurorës - Giuseppe Ungaretti





Me petkun e butë e brerore,
Syfshehur,
Plot shpoti, ngjan se të grish,
E prej gjirit,
Të zbehtën lulethëngjill
Zhvesh e hedh, e dëlira natë.

N’atë çast ndahet më e para bardhëllimë
Nga më e fundit drithërimë.

Në t’qiellit zgrip, e irnosur vorbullën gris.

Me gishtërinj të smeraldtë
Valë të vagullta thurin
Pëlhurë.

E të praruarat hije, tek heshtojnë të gjallat
Psherëtima të vetvetishme,
Në vilarë të hollë i kthejnë hullitë.

Në shqip: Aida Baro

Mbamë ngrohtë

Chandra Livia Candiani


Ti mbamë
E unë në mrekulli do t’shndërrohem
Mes duarve të tua,
në të ngrohtë,
ajo ngrohtësi që natën rrit grurin.
Mbaje
trupin e dashur
si jetë të fshehtë –
të ruajtur mirë –
nën akullin e ngjeshur
të kujtesës.
Ti mbamë
si guall arre
në grusht
hep mes botëve.
Mes meje dhe teje
rri heshtja.
Rri perla.
Të mbaj.
 


Në shqip: Aida Baro

4/12/2020

Dhembshuria


Nga Giuseppe Ungaretti



Njeriu, o univers i përjetshëm,
Kamjen pandeh se shumon
E nga t’tijat duar të ethshme
Pa pra veç kufij dalin.

Mbërthyer pas boshit
Në t’vetën rrjetë merimange,
S’i druhet e nuk josh gjë
Përveç klithmës së vet.

Kalbjen sfidon tek ngre varre,
E kur mendon për ty, I Amshuar,
Veç blasfemitë i kanë mbet’.


Perktheu: Aida Baro
Paint: El Greco - The annunciation

2/11/2020

Autotomi



Nga Wislawa Szymborska



Në rast rreziku, holoturia copëtohet më dysh:
një pjesë të vetes ia lë botës së panginjur,
me tjetrën, merr arratinë.

Vrik ndahet në rrënim e shpëtim,
ndëshkim e shpërblim, ç’ka qenë e ç’do të jetë.

Në mes të trupit i hapet një hon
me dy brigje krejt të huaja.

Në njërin vdekja, në tjetrin jeta.
Këtej dëshpërimi, andej besimi.

Në ekzistoftë një peshore, pjatat nuk lëvizin.
Në ekzistoftë drejtësia, ja pra tek e keni.

Të vdesësh aq sa ç’lypset, pa e tepruar.
Të rilindësh aq sa duhet, nga ajo çka shpëtuar.

Vërtet, edhe ne dimë të ndahemi më dysh.
Por vetëm në mish dhe pëshpërimë të brishtë.
Në mish dhe poezi.

Nga njëra anë gryka, nga tjetra e qeshura,
e lehtë, e mbytur shpejt.

Këtej zemra e rënduar, andej "non omnis moriar",
Veç tri fjalë të shkurtra, tri pendë të një flatrimi.

Honi nuk na ndan.
Honin e kemi përqark.



Përktheu: Aida Baro

10/11/2019

Pusullë e lënë para moslargimit


Nga Giorgio Caproni


Sikur të mos kthehem,
ta dini që nuk kam ikur
kurrë.

Rrugëtimi im
ka qenë i gjithi qëndrim
atje, ku kurrë nuk qeshë.



Përktheu: Aida Baro

1/15/2019

Përkujdesje


Teksti nga Manlio Sgalambro dhe Franco Battiato
Kompozuar nga Franco Battiato



Do të t'mbroj nga frikërat e sëmundjeve
nga trazimet që nga sot do hasësh në jetë
nga padrejtësitë e mashtrimet e kohës sate
nga dështimet që natyra jote i tërheq si magnet.

Do të t'lehtësoj nga dhembjet e luhatjet e humorit
nga makthet e manive të  tua.
Do t'kapërcej rrymat gravitacionale,
hapësirën dhe dritën që mos të t'lë të plakesh.

Dhe do të shërohesh nga çdo sëmundje,
sepse je qenie kaq e veçantë
dhe unë, unë do të t'kujdesem për ty.

Endesha nëpër fushat e Tenesisë
si kisha mbërritur atje, s'e di.
S'ke lule të bardha për mua?
Ëndrrat e mia më t'shpejta se shqiponjat
përshkojnë detin.

Mbi të gjitha do t'sjell qetësinë dhe durimin
bashkë do t'përshkojmë udhët që shpien drejt thelbit.
Kundërmimet e dashurisë do t'dehin trupat tanë
bunaca e gushtit s'do t'i platitë shqisat tona.

Do t'i thur flokët e tu si vargjet e një kënge,
i njoh ligjet e botës dhe ty do të t'i fal
Do t'kapërcej rrymat gravitacionale,
hapësirën dhe dritën që mos të t'lë të plakesh.

Do të t'shpëtoj nga çdo melankoli
sepse je qenie kaq e veçantë
dhe unë, unë do t'kujdesem për ty.
Po, unë, do t'kujdesem për ty.



Përktheu: Aida Baro

1/04/2019

Preke tokën, preke Zotin


Teksti dhe muzika: Juri Camisasca


Këtu në Kurrkund, viti i ri ka ardhur në kërkim të prehjes shpirtërore, ndaj dhe kjo këngë më frymëzoi përkthimin e parë.
Juri Camisasca është një këngëtar italian, me një jetë fort të tallazitur, në krye hipi, më pas prift benedektin, iu rikthye skenës në fund të viteve '90, (periudhë kur u shkrua dhe kënga "Prek tokën, prek Zotin") dhe sot është kthyer në një eremit. Por këngët e tij, ku ndihet gjurma e mikut të vet, Franco Battiato (një tjetër muzikant intelektual do të thosha), janë ekzistencialiste dhe spirituale, ku teksti dhe muzika të shpien në të tjera dimensione.




Si përherë të forta janë ngjyra vjeshtore
e të përpikta edhe sot stuhitë verore,
ngjarjet përsëriten. Ndiej një barrë që më shtyp
dhe harrohen shtirjet.

Preke tokën, preke Zotin.
Nuk e di më se kush jam.

Krejt i vetëm në këtë dhomë
dal e bredh në qendra qytetesh,
si barrë plumbi rëndohem rrezatimesh.
Mbrëmja ka rënë tashmë.
Në kiminë e mendjes sime
përjetoj të tjera kombinime.

Preke tokën, preke Zotin.
Nuk e di më se kush jam.

Dhe tashmë mbrëmja ka rënë në kiminë e simes mëndje.

Preke tokën, preke Zotin.
Nuk e di më se kush jam.




Përktheu: Aida Baro

Tocchi terra tocchi Dio

8/31/2018

Mëngjeset shkojnë të kthjellëta


Nga Cesare Pavese




Mëngjeset shkojnë të kthjellëta
e të zbrazëta. Kështu çeleshin
dikur sytë e tu. Mëngjesi
rridhte shtruar, një shtjellë
drite e ngulitur ish. Heshtte.
Ti e gjallë heshtje; sendet
merrnin jetë nën sytë e tu
(s'kish brengë, as ethe, as hije)
si deti mëngjeseve, i kthjellët.
Atje ku je ti, dritë, është mëngjesi.
Ti ishe jeta dhe sendet.
Në ty zgjuar frymëthithnim
nën qiellin që ende e kemi brenda nesh.
S'kish brengë, as ethe atëherë,
jo kjo hije e rëndë e ditës
gëluese dhe tjetërlloj. O dritë,
kthjelltësi e largët, frymë
e marrtë, ktheji sytë
e ngulitur e të kthjellët mbi ne.
Është terr mëngjesi që shkon
pa dritën e syve të tu.


30 mars '50




Përktheu: Aida Baro


photo by me.

Verranno a chiederti del nostro amore

8/29/2018

Jetëshkrimi


Nga Wislawa Szymborska


Ç'duhet bërë?
Duhet shkruar një kërkesë,
dhe bashkëngjitur jetëshkrimi.

Paçka sa gjatë ke jetuar
jetëshkrimi të jetë i shkurtër.

Ji konciz, përzgjidh faktet.
Peizazhet ktheji në adresa
kujtimet e vagullta në data të caktuara.

Nga gjithë dashuritë, mjafton ajo bashkëshortorja,
e nga fëmijët, vetëm ata që lindën.

Më shumë rëndësi kanë ata që të njohin
se ata që njeh.
Udhëtimet - vetëm ato jashtë shtetit.
Përkatësia - ku, po jo pse.
Tituj nderi - por pa motivacion.

Shkruaj sikur të mos flisje kurrë me veten,
sikur t'i shmangeshe.

Qen, mace e zogj, çikërrima të së shkuarës,
miq dhe ëndrra mos i zër në gojë.

Më mirë çmimin sesa vlerën,
titullin në vend të përmbajtjes.
Më mirë numrin e këmbës, jo ku shkon
ai të cilin veten pandeh.

Shto një foto ku veshët të duken qartë.
Rëndësi ka forma e tyre jo se ç'dëgjojnë.
Çfarë dëgjohet, gjithsesi?
Zhaurima e letraprerëses.



© Përktheu: Aida Baro




4/26/2018

Tym cigaresh


nga Sibilla Aleramo


Tym cigaresh.
Buzëqeshje të lehta.
E sërish tym,
fjolla të lehta,
nga buzët e mia,
çdo mbrëmje
pak minuta,
nga ballkoni i tij,
nga dritarja ime,
fjolla të lehta,
çelin buzëqeshje
dhe zërin s'ma njeh
dhe zërin s'ia njoh,
vetëm,
përmes fjollave të tymit
më pëlqejnë sytë e tij,
i pëlqejnë sytë e mi,
çdo mbrëmje
pak minuta,
një përshëndetje
fjollash tymi
lehtësi e hijshme gjestesh,
pikë e heshtur zjarri
ngrihet mbi kopshtin e përgjumur,
dhe asgjë tjetër,
ja kështu,
ndërsa pranë abazhurit
puna pret,
pak minuta,
çdo mbrëmje
për ca mbrëmje,
fjolla të lehta
fjolla të lehta.


 © perkthimi: Aida Baro


12/13/2017

Pa titull II

Nga Goliarda Sapienza


Photo by Eni Turkeshi

Ti më kthen krahët
po unë s'të thërras
mbledh
gjurmët e tua mbi çarçaf.



© Përktheu: Aida Baro
© Photo: Eni Turkeshi

7/28/2017

Në një qilim uji

nga Thomas Bernhard


Në një qilim uji
qëndis t'miat ditë
hyjtë dhe sëmundjet e mia.
Në një qilim të blertë
qëndis t'miat dhembje t'kuqe,
t'miat mëngjese t'kaltra
t'miat mëhalla verdhashe dhe fetat e bukës me mjaltë.
Në një qilim dheu
timen tretje qëndis.
Përbrenda i qëndis natën
dhe t'imen uri,
t'imin pikëllim
dhe anijen e luftës të t'miave hidhërimeve
që shket dallgësh uji
në ujërat e trazimit,
në ujërat e pavdekësisë.


 © Përktheu: Aida Baro
 © photo by Omar Galliani - Il disegno nell'acqua

5/09/2017

Telefonomë dje

Nga Abelardo Linares

                                                                                    


Meqë e nesërmja nuk ekziston e gjithçka është terr,
telefonomë dje.
Kamerierë sqimatarë majë gishtash,
të zhdërvjellët,
përshkojnë tokën
si t'ish një sallë e madhe, e vetme
e mbërrijnë gjer tek unë për të më thënë
në Bogota a në Los Anxheles
që ti po pret në telefon,
jo tani,
por një muaj a një shekull më parë,
tek më kërkon pas,
në thellësitë e kohës
e po më pret
në një të djeshme që tashmë është, aq larg,
sa agu i botës.
Ato që dëgjoj
tok me zërin tënd,
nuk janë interferenca a zhurmat e linjës
por bulurima të afërta
dinozaurësh,
që na kthejnë fort të rinj,
aq të rinj
saqë e ardhmja jonë është kthimi në det,
tek na mbijnë pendët shpinore,
me mallin e krahëve,
dhe shija e njelmët e buzëve të mia
s'është shija e lotëve të tu
por ajo e ujit të kripur ku lindëm.
Pas, pas
sa të bëhemi njësh me të parën qelizë.
E ky fund qoftë
një fillim i ri për shpjegimin e botës.



Përktheu: Aida Baro

Photo by Eni Turkeshi - We are accidents waiting to happen

2/13/2017

Në gojën time

Nga Gesualdo Bufalino







I fortë zëri yt në gojën time,
në këmbët e tua i ka rrënjët mishi im.
Gjumi ynë, fryma jonë janë një.

Pra, kjo qenkësh dashuria, e më tremb.






Përktheu: Aida Baro





12/29/2016

Ky vit është njësoj si ai i një mijë viteve të shkuara

Nga Thomas Bernhard



Ky vit është njësoj si ai i një mijë viteve të shkuara,
në dorë mbajmë bodecin me të cilin shpojmë lopën në shpinë,
Korrim e s’dimë hiçgjë për dimrin,
Pimë musht e s’dimë hiçgjë,
Shpejt do të harrohemi
dhe britmat do të treten si bora përpara shtëpisë.

Ky vit është njësoj si ai i një mijë viteve të shkuara,
Sodisim në pyll si në stallën e botës,
gënjejmë e thurim kosa për mollë e dardha,
flemë ndërsa moti i keq bren
përpara portës këpucët tona të përbaltura.

Ky vit është njësoj si ai i një mijë viteve të shkuara,
nuk dimë hiçgjë,
nuk dimë hiçgjë për rrënimin,
për qytetet e rroposura, për vorbullën ku janë mbytur
kuaj e njerëz bashkë.



Përktheu nga italishtja: Aida Baro

6/01/2016

Kujtimet

Nga Giuseppe Ungaretti


Kujtimet, pafundësi e humbur,
Të vetëm e tok përballë detit, i paepur
Ndër ofshamash të pafundme…

Deti,
Zëri i një madhështie lirie,
Pafajësi armike për kujtime,
Vrik fshin gjurmët e buta
Të një mendimi besnik…

Deti, ledhat e tij të plogëta
Sa t’vrazhda dhe sa, sa pritje,
Dhe në shuarjen e tyre
ngaherë e pranishme, ngaherë e përtërirë,
mendim që pret në beh shuarja…

Kujtimet,
Rikthimi i zbrazët
I rërës që derdhet
Pa peshë mbi rërë,
Jehona të befta zvarritëse,
Pa zë, jehona lamtumire
Çastesh që ngjanin të lume…

Në shqip: A. Baro

3/23/2015

O imja poezi, shpëtomë



Nga Alda Merini


O imja poezi, shpëtomë,

për të ardhur te ti

bishtnoj krahët e pamposhtur të djallit:

në ëndrrën rrenacake

flak’e tij më përzhit fustanin

e unë mortin lus

për gjithë vuajtjet që m’çon.

Kurrgjë s’vlen sa gjithë jeta

por unë ngrihem e përpij

me një klithmë kohën që frymë marr,

e bëj vetëm me fatin tënd në kokë,

e ëmbla, e dlira, e bukura krijesa ime,

imja jetë e vdekje,

imja poezi e hapur triumfuese

që më vërtit thellësirash

jehona t’reja të të gjej.

E në kthehem nga rrethi i ferrit

Kthehem se ti je pranvera:

Ndaj pse s’më pranon mua filiz,

filiz të qashtër të jetës sate?

© Pruri në shqip: Aida Baro