Pages

5/24/2018

Dashuri me shikim të parë


Wislawa Szymborska 



Që të dy janë të bindur
se një ndjenjë e beftë i bashkoi.
E bukur kjo siguri,
por pasiguria është m'e bukur.

Pa u njohur, pandehin
se asgjë s'ka ndodhur kurrë mes tyre.
Por ç'mendojnë rrugët, shkallët, korridoret
ku prej kohësh mund të kryqëzoheshin?

Do të doja t'i pyesja
a s'e mbajnë mend –
njëherë, kur ballë për ballë
u panë te një derë rrotulluese?
një "më falni" mes turme?
një "i keni rënë gabim" në telefon?
Por e di përgjigjen.

Jo, s'e mbajnë mend.

Sa do të habiteshin
po të mësonin se prej kohësh
Rasti luante me ta.

Ende jo plotësisht gati
për t'u kthyer në Fat,
i afronte, i largonte,
u priste rrugën
me një të hovur hidhej tutje,
një të qeshur duke mbytur.

U lanë gjurmë, edhe shenja,
pakogjë se të palexueshme.
Ndoshta para tre vjetësh
apo të martën e shkuar
një fletëz fluturoi tutje
nga njëri sup te tjetri?
Diç humbi e diç u gjet.
Kushedi, mbase topi
mes gëmushave të fëmijërisë?

 U panë doreza dhe zile
mbi të cilat para kohe
një prekje prehej mbi një prekje.
Valixhet pranë e pranë në depon e bagazheve.
Një natë, ndoshta, e njëjta ëndërr,
sakaq e turbulluar nga zgjimi.

Çdo fillim, fundja
është thjesht një vijim,
dhe libri i ndodhive
mbetet përherë gjysmë i hapur.



Përktheu: Aida Baro


5/22/2018

E humbëm edhe këtë muzg...


Pablo Neruda

E humbëm edhe këtë muzg.
Askush nuk na pa sonte dorë për dorë
teksa mbrëmja e kaltër mbulonte botën.

Nga dritarja pashë
harenë e perëndimit tej maleve të largëta.

Herë-herë, si monedhë
më ndriçonte një copëz diell mes duarve.

Të ndërmendja me shpirtin e ndryrë
në atë trishtim që ti ma njeh.

Ku ishe ti atëherë?
Mes cilësh njerëz?
Çfarë thoshe?

Pse më mbështjell gjithë dashuria befas
kur i trishtuar jam dhe larg të ndiej?

Më ra nga duart libri që lexoj ngaherë muzgjeve
dhe si qen i plagosur bluza m'u struk te këmbët.

Gjithnjë, gjithnjë më largohesh mbrëmjeve
dhe rend drejt muzgut që fsheh statuja.


Përktheu: Aida Baro

5/07/2018

Jetë e vështirë me kujtesën


Nga Wislawa Szymborska




Jam dëgjuese e keqe për kujtesën time.
Më kërkon t'i mbaj vesh zërin pareshtur,
por unë s'rri në një vend, kollitem,
dëgjoj e s'mbaj vesh,
dal, kthehem dhe dal sërish.

Më kërkon gjithë vëmendjen e kohën.
Kur fle, fjollë i shkojnë punët.
Ditën, has peripeci dhe mërzitet.

Me zell më sugjeron letra të vjetra, foto,
cek ngjarje disi të rëndësishme,
më rikthen peizazhe që më kanë shpëtuar sysh,
i popullon me të fjeturit e mi.

Në rrëfimet e saj jam gjithnjë e më e re.
Gjë e këndshme, po kujt i hyn në punë ky avaz.
Çdo pasqyrë kumte të ndryshme më dërgon.

Kreshpërohet kur unë shkund supet.
Atëherë hakmerret e më valëvit gjithë gabimet e mia,
të rënda, e pastaj të harruara fare lehtë.
M'i ngul sytë, pret një përgjigje.
Më ngushëllon pastaj, mund të kish shkuar më keq.


Do që të jetoj vetëm për të dhe me të.
Aq më mirë në një dhomë të errët, të kyçur,
por në planet e mia ka përherë diell,
retë e sotme, rrugët ditë pas dite.

Herë-herë, s'e duroj dot shoqërinë e saj.
I propozoj të ndahemi. Sot e përgjithmonë.
Atëherë, mëshirëplotë buzëqesh,
e di që edhe për mua do të ishte ndëshkim.


© Përktheu nga italishtja: Aida Baro