Pages

7/18/2017

Stina e thatë - Gabriela Babnik



Romani “Stina e thatë”, sjellë në shqip nga Botime Pegi rrëfen kujtimet e një historie dashurie të pazakontë. Në Kontinentin e Zi gjithçka mund të ndodhë: Ana, një grua 62-vjeçare me origjinë nga një vend i vogël i Europës Qendrore takon Ismaelin, një 27-vjeçar afrikan, i rritur rrugëve, ku shpesh ka rënëpre e abuzimit. Ajo vendos të ndajë me të një përvojë të fortë dashurie që bazohet te epshi, dëshpërimi, vetmia dhe magjia. Që të dy i bashkon një fëmijëri e trishtë e pamundur për t’u harruar dhe stina e thatë, harmattan-i, gjatë së cilës as natyra as dashuria s’është në gjendje të lulëzojë. Shpejt, Ana do ta kuptojë që zbrazëtia mes tyre nuk vjen nga ngjyra e lëkurës apo nga diferenca e moshës, por nga ndryshimet kulturore të dy botëve së cilave u përkasin. Seksi nuk e shuan dot vetminë dhe sekretet e ndrydhura të së shkuarës,të cilat shpërfaqen në një botëqë ajo e konsidoren si më mizore dhe njëkohësisht edhe më të pafajshme se të sajën.
I shkruar me qartësi e kthjelltësi si një rrëfim i alternuar i të dyja anëve të një marrëdhënieje, romani gërshetohet me realizmin magjik dhe fragmente të spikatura të realitetit politik afrikan.
Shumë prej kritikëve janë shprehur se se  “Stina e thatë” është një sixhade larmingjyrëshe, e gërshetuar me elemente të dy botëve të ndryshme, dy jetë kryekëput të ndryshme. Është më shumë se rrëfimi i një historie të pazakontë mes një të moshuare të bardhë dhe një djaloshi afrikan, që të dy të shënjuar nga përvoja post-traumatike. Është një stil i pjekur, kritik dhe i paimitueshëm me një vizion të plotë të shoqërisë së sotme afrikane.
...Babnik ka shkruar një roman të paharrueshëm, në të cilin vetë protagonistët janë të vetëdijshëm për mundësitë që u ka krijuar fantazia [...] Duke i kthyer protagonistët në rrëfyes të ndërgjegjshëm të historive të tyre, Babnik kremton artin e të shkruarit letërsi dhe i fton lexuesit të bëjnë të njëjtën gjë. Për të vlerësuar këtë roman të pazakontë, duhet të lëmë pas kërkimin për një “narrator të besueshëm” dhe të zbavitemi me zbukurimin dhe hapësirën e pakufishme të fantazisë njerëzore.
Ky roman, i vendosur në sfondin e harmattan-it, stinës së thatë në Afrikën perëndimore, duhet lexuar patjetër nga të gjithë ata që arrijnë të shijojnë një stil letrar të shkëlqyer me personazhe të forta dhe të zjarrta.
Vetë Ana është e trazuar dhe nuk di se çfarë duhet të bëjë. Pikëpyetje të shumta i lindin nga prania e atij djaloshi dhe rrjedha e çuditshme që po merr historia e tyre.

Ajo u ngrit ngadalë nga karrigia dhe kryqëzoi duart mbi gjoks. Në fill të këmishës, po mërdhinte; megjithatë e dinte se i ftohti nuk vinte nga dhoma, por nga brenda saj. E dinte gjithashtu se sa banale ishte kjo skenë – ajo në një cep të dhomës, ai në cepin tjetër. Në fakt, e vetmja pamje përtej dritares ishte çatia e shtëpisë përballë, kështu që ai nuk kishte ç’të shihte përpos vetes. Në këtë botë ka plot gjëra më të rëndësishme sesa ti. Ku e kishte psonisur atë shprehje? Mos vallë në ndonjë film? Mirëpo ajo nuk kishte flokë të artë si platini, por flokë të zakonshëm, të lidhur me një kapëse të praruar; dhe ijët e tij nuk ishin ato të heroit të fuqishëm të një filmi, me të cilin ajo do të kishte një fëmijë.

Zgjidhje nuk jepet asnjëherë, gjithçka ndodh është jeta në thelbin e saj më të vërtetë.


Gabriela Babnik (1979) është shkrimtare, kritike letrare dhe përkthyese sllovene. Pas studimeve për letërsi të krahasuar në Universitetin e Lubjanës, ka udhëtuar në Afrikë dhe sidomos në Nigeri e Burkina Faso, që u kthye në një vend frymëzues për veprat e saj. Ajo shkruan e boton rregullisht artikuj për gazetat më të mëdha në Slloveni. Ka botuar katër romane, të vlerësuar nga kritika dhe lexuesit sllovenë e europianë.