Pages

8/03/2020

Nga veranda jote duket shtëpia ime - një film në bardhezi

Nga Fjoralba Hoxhallari




Sapo merr në dorë librin “Nga veranda jote duket shtëpia ime” e ndien veten të ulur në një karrige duke soditur një nga shfaqjet më të veçanta që mund të ndodhë, je përballë një fenomeni “ndryshe”. Radhë pas radhe merr jetë në imagjinatë e gjithë përvoja shoqërore e shqiptarëve të emigruar në Itali, dhe e vetë italianëve me të gjitha elementet social-kulturore, të cilat mbrujtin karakteret e vetë personazheve.

Dymbëdhjetë tregimet e autorit të ri dhe tepër premtues Elvis Malaj notojnë jashtë ujërave ku notojnë së bashku autorët bashkëkohorë. Personazhet e tregimeve nuk kanë tipare të jashtëzakonshme mençurie, gjenialiteti apo aftësi të jashtëzakonshme të pazbuluara. Ato janë thjesht reale. Baza e tregimeve janë marrëdhëniet ndërmjet dy popujve Shqipërisë dhe Italisë të përqendruara në emigrimin e këtyre të fundit në shtetin italian.

“Nga veranda jote duket shtëpia ime“ është i mbushur me tematika të veçanta sociale, siç janë bulizmi, racizmi, papunësia, varfëria, përplasja me botën perëndimore, rrugëtimi i personazheve për t’i dhënë kuptim ekzistencës së tyre, jeta e të rinjve dhe familjeve të këtyre dy popujve, ku në thelb lidhen si një venë gjaku, mbushur me ironi, ku ngre krye absurdi me të cilin kristalizohen këto marrëdhënie. Në thelb, në brendinë e ngjarjeve “nduket” e gjithë eksperienca e autorit, i cili ka emigruar në Itali në moshë të re. Të gjitha reminishencat e së shkuarës dhe dritëhijet e së ardhmes në dhe të huaj. Por edhe një thirrje personale dhe e fuqishme është kur shpreh se racizmi në thelb nuk ekziston ndërsa reagimi ndaj shprehjeve raciste mbetet i distancuar nga vetvetja.

Kisha surrat shqiptari, siç thoshin të gjithë, po unë se dija ç’surrat kishte shqiptari, fytyra ime më dukej normale, dhe, për hir të vërtetës, edhe e pashme. (tregimi: Do të doja të isha shqiptar - përktheu, Beti Njuma)

Tregimet nuk kanë heronj, përkundrazi shpalosin pasiguritë e të rinjve, emocionet, burokracitë, takëme kulturash sa të ndryshme aq edhe të përbashkëta. Nuk rrëfehen shqiptarë të cilët zhyten në dramaticitetin e emigracionit apo shqiptarë të cilët shfajësojnë situatën e tyre nën petkun e emigrantit në vend të huaj. Ashtu dhe nuk shpalosen karaktere italiane, të cilat paragjykojnë çdo emigrant që shkel në tokën e tyre. Tregimet rrëfejnë jetën e përbashkët të karaktereve, ndërveprimet e tyre, në të cilat qajnë, qeshin, ëndërrojnë, dashurojnë së bashku, kacafyten së bashku e në fund të çdo tregimi lipset të thuash që “Kaq e thjeshtë është?!”…

Kur duhej të kërcënoja dikë, nuk thosha “do thërras kushërinjtë e mi shqiptarë”, por “do thërras të dashurën italiane”.

“Karta e shqiptarit të shkalluar funksionon gjithmonë”
: (tregimi: Do të doja të isha shqiptar- përktheu, Beti Njuma)

Autori rrëfen qashtër, duke mos të të ofruar asnjë zgjidhje qoftë ajo edhe artistike, por i lë vend lirisht lexuesit të krijojë mendim të mëvetësuar, duke e zhveshur nga çdo shablloni kulturor dhe emocional. Vlerë e pacmueshme është kur autori zhvoshk nën rreshta dhe me një kryeneçësi mbresëlënëse, klishetë vrastare siç janë racizmi, paragjykimi, mungesa e fjalës nga brendia e qenies, skema këto që kanë degdisur mendimet dhe besimet nën rrokopujën e petkut shoqëror.

“Të ndihesh mirë ose jo diku, nuk varet nga vendi ku je por nga vetvetja. Kudo që shkon merr gjithnjë me vete diçka që në fund të fundit, e bën çdo vend si gjithë të tjerët.“

Të tilla janë këto tregime, pa ngritje zëri, pa ankime përkundër padrejtësive, pa gjykime, pa krahëmbajtje të njërës apo tjetrës, pra dramaticiteti i emigrantit ofrohet nën një tjetër prizëm atë të kërkimit të vetvetes, betejat e brendshme e te jashtme te dukshme dhe te padukshme. Tregimet e Elvisit janë të shkurtra, ca pikante, mbushur plot me tone humori, erotike, shkruar me një stil të thatë, thumbues, me një realizëm të pisët Bukovskian, tërheqëse për vërtetësinë që përcjellin, sepse janë tregimet e dy popujve të cilët përballen me njëri tjetrin.