Falënderim
U detyrohem
shumë
atyre që nuk
dua.
Lehtësimin me
të cilin pranoj
që të rrinë më
pranë një tjetri.
Gëzimin që s’jam
unë
ujku i
qingjave të tyre.
Ndihem në
paqe me ta
dhe e lirë,
e këtë dashuria nuk mund ta japë,
as ta marrë.
Nuk i pres
sa te dera - te dritarja
E durueshme
thuajse si një
orë diellore,
e kuptoj
atë çka
dashuria nuk kupton,
fal
atë çka
dashuria s’do ta falte kurrë.
Prej një
takimi te një pusullë
s’kalon një përjetësi,
veç ca ditë
a javë.
Udhëtimet me ta shkojnë përherë mirë,
Koncertet dëgjohen gjer në fund,
Katedralet vizitohen,
Peisazhet e kulluara.
Dhe kur na ndajnë
shtatë male e
lumenj,
janë veç male
e lumenj
që gjenden në çdo atlas.
Falë tyre
jetoj në
tre dimensione,
në një hapësire jolirike dhe joretorike,
me një horizont të lëvizshëm, ndaj të vërtetë.
Ata vetë nuk e
dinë
ç'barrë mbajnë në
duart bosh.
“borxh asgjë s'u kam”
-do të thosh dashuria
për këtë çështje
të hapur.
Stacioni
Mbërritja ime
në qytetin N.
ndodhi fiks në
orar.
Ti pate qenë
lajmëruar
me një letër të
padërguar.
Ishe në kohë për
të mos ardhur
në orën e
parashikuar.
Treni mbërriti
në binarin e tretë.
Zbritën shumë
njerëz.
Mosqenia e
vetes sime
drejtohej
daljes mes turmës.
Ca gra më zëvendësuan
nxitimthi
në ngut e sipër.
Njërës i doli përpara
dikush që s’e
njihja,
por ajo e
njohu
sakaq.
Shkëmbyen
një puthje jo
tonën,
ndërkaq humbi
një valixhe jo
imja.
Stacioni i qytetit N.
e kaloi paq
provën
e ekzistencës
objektive.
Gjithësia
ishte në vend të vet,
Hollësitë lëviznin
nëpër binarët e
caktuar.
Ndodhi madje
dhe takimi i
paralajmëruar.
Jo ne praninë tonë.
Në parajsën e
humbur
të gjasave.
Gjetkë.
Gjetkë.
ç'jehonë të voglat fjalë.
©Perktheu nga italishtja: Aida Baro