Nga Wislawa Szymborska
Me një vështrim, ai më
fali bukuri
dhe sakaq e bëra
timen.
E lume, gëlltita një yll.
Veten përfytyrova
të ngjashme me shëmbëlltyrën time
në sytë e tij. Vallëzoj, vallëzoj
nën valëvitje flatrash të befta.
Tryeza është tryezë,
vera, verë në gotën
që është veç gotë
e rri shtatdrejt mbi tryezë.
Kurse unë jam
përfytyrim,
sa s’ta merr mendja,
përfytyrim
gjer në palcë.
I flas për gjithë ç'i ka ënda:
për milingonat n’agoni dashurie
nën yjësinë e luleshurdhës.
I betohem që një trëndafil i bardhë,
kur spërkatet me verë, këndon.
Unë zë e qesh, përkul kokën
me kujdes,
si për të kontrolluar një shpikje.
Dhe vallëzoj, vallëzoj
nën lëkurën e mahnitur,
në përqafjen që më lind.
Eva nga brinja, Venusi nga shkuma e detit,
Minerva nga koka e Jupiterit –
ishin më të vërteta se unë.
Kur ai s’më vështron
kërkoj shëmbëllimin tim
në mur. Dhe shoh veç
një gozhdë,
pa tablo.
pa tablo.
https://youtu.be/CuWPaSdC2J0
Perkthim i krahasuar nga italishtja dhe anglishtja: A. Baro