Pages

6/17/2016

Ndarja

nga Adam Zagajewski


Thuajse me zili lexoj veprat e bashkëkohësve të mi
për divorce, lamtumira e dhembje ndarjesh;
brenga, fillime të reja, morte të vogla;
pusulla të lexuara e të djegura, digj dhe lexo, zjarr dhe kulturë;
gjykim i ashpër, herë-herë një ngërdheshje sarkazme me epërsi morale,
e të gjitha tok, triumf i mbramë i vijimësisë vetjake.

Po ne? S’do të ketë elegji, as sonete për ndarjen,
s’do të na ndajë ekrani i vargjeve,
mes nesh s’do të zërë vend një metaforë e qëlluar,
e vetmja ndarje që na kanoset tash është gjumi,
guva e thellë e gjumit, pragun e të cilit e kapërcejmë të ndarë,
– e më duhet përherë të ndërmendem se dora jote
shtrënguar në timen, është prej ëndrrash.


P.S. Adam Zagajewski është një poet polak në gjurmët e të cilit kam rënë kohët e fundit. Siç duket, pas Szymborska-s, një tjetër poet polak po më tërheq drejt vetes me ndjenjën e thellë përcjellë pa lajle-lule te lexuesi.

Sjellë në shqip nga italishtja: A. Baro