Pages

2/13/2017

Ditëve me diell






Ditëve me diell
më kujtohesh më shpesh
sidomos kur nisem për rrugë të gjatë,
sidomos kur pasagjer kam hologramin tënd
sidomos kur shtrëngoj dorën tënde imagjinare.

Ditëve me diell
shoh filmin tim që s’e xhirove kurrë
sidomos kur flladit era
sidomos kur rrekem të hesht
emrin tim në zërin tënd.

Ditëve me diell
më kujtohet ironia jote dhembjefshehur
para frazash të tilla dylekëshe
“jashtë ka diell,
por brenda meje rigon shi”.

Ditëve me diell
më kujtohen të dielat
që s’i kaluam kurrë bashkë.

Ditëve me diell
s’më kujtohen grindjet tona,
as ato me të cilat
talleshim pas pajtimit.

Ditëve me diell...

Ditëve me diell
dreqi e marrtë
mallin që më molis për ty!