Pages

2/02/2017

Takimi - Piero Ciampi


Nesër
këmishën do ta kem të larë,
ninëzat, krejt të bardha,
hapin të sigurt,
e pantallonat t’hekurosura,
këpucët dritë,
e dora s’duhet t’më dridhet,
të dalë ku të dalë.
S’kam për të t’puthur dot,
se edhe mes nesh pritja është e shenjtë
dhe mosbesimi i domosdoshëm.
Ndoshta në krye do të kap prej dore,
pastaj s’do di më se ç’të bëj,
t’pamundurën do bëj që t’mos kuptosh
shpërfilljen që na përndjek në këtë botë.
Sonte buzët do t’i ushtroj
që t’buzëqeshin,
ndaj mirë e mirë duhet t’i laj
dhëmbët, gjer në dhembje.
Dua t’më duash si dikur,
por lëkurën e kam të rreshkur
e fytyrën s’e fsheh dot.
Bëhu e fortë e ma thuaj,
teksa më lë në jetën time të rëndomtë,
që tashmë për ty jam i huaj,
e kanë të drejtë njerëzit
kur thonë se vetminë e kam hak.
Shiko, shiko, ç’po nxjerr nga goja;
për ty do t’ishte mirë
që të ikje
para se të të takoja.



Përktheu: Aida Baro