Pages

8/17/2017

Armëpushimi - fantazmagoria e një lufte pa fund


"Armëpushimi" i Primo Levit, përkthyer nga Aida Baro, është libri i kthimit, odisea e Europës mes luftës dhe paqes. Ai është vijimi i "A është vallë, njeri...?" një ndër librat më të bukur të letërsisë europiane lindur në kampet e shfarosjes. Nëse libri i parë ishte shkruar menjëherë pas kthimit, thuajse me qëllimin për t'u çliruar së brendshmi nga barra e rëndë shpirtërore, si nevojë dëshmie, duke qenë se ai ishte një ndër të paktët hebrenj që mbijetuan në kampin e përqendrimit dhe duke iu bindur nevojës së menjëhershme për "t'u treguar të tjerëve, për t'i bërë të tjerët pjesëmarrës" të asaj tragjedie, libri i dytë është shkruar me njëfarë largësie nga ngjarjet, në një klimë më të shtruar e më të qetë.
Përgjatë gjithë "Armëpushimit", kësaj historie të trazuar dhe të larmishme të një pranvere lirie të pashpresuar, nota më e thekshme është ajo e një ankthi të tmerrshëm, e një trishtimi të pangushëllueshëm.
Aventura europiano-qendrore e Levit nuk mbyllet me çlirimin e Aushvicit nga ana e Ushtrisë së Kuqe, përkundrazi, si në një shtegtim fantazmagorik, Levi bashkë me një mijë e katërqind italianë të tjerë vërtiten nëpër hapësirën e paskajshme ruse për muaj me radhë, nga janari deri në fund të vitit 1945. Nuk dihen as sot e kësaj dite arsyet e kësaj sorollatjeje të panevojshme, ndoshta edhe thjesht për shkak të neglizhencës ose rrëmujës burokratike që mbizotëronte në Bashkimin Sovjetik të asokohshëm.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, të mbijetuarit e Aushvicit përshkojnë gjithë Europën Qendrore dhe Lindore, përmes Polonisë, Rusisë së Bardhë, Ukrainës, Rumanisë, Hungarisë dhe vetë Gjermanisë. Lufta ende s'ka mbaruar ose siç thotë greku i Levit, një ndër personazhet më të spikatura të romanit, "Luftë është përherë", Europa po shijon njëfarë "armëpushimi" para se të mbërrijë lufta tjetër, "Lufta e ftohtë" që do ta copëtonte sërish Europën.
Me vërtetësi, ironi therëse deri në sarkazëm, Levi përshkruan tipa dhe karaktere nga më të ndryshmet, tregjet klandestine të Krakovës dhe Katovicës, çmobilizimin e çthurjen e radhëve të Ushtrisë së Kuqe, tokën ruse të pafund, të pushtuar nga lavdia, mjerimi, harresa dhe forca jetësore; këneta e pyje të paprekura, trena të shkatërruar, gostitë e shfrenuara të rusëve të dehur nga fitorja; fjetoret plot ëndrra të italianëve në udhën e pasigurt të kthimit.
Galeria e personazheve është e pafundme, Greku, i dhënë pas ligjit të vet tregtar dhe anarkist; Çezare, "biri i diellit, mik me gjithë botën", që ndjek qëllimet e tij marroke me ndjesi të madhe praktike; Arapi i Venecias, plaku i madh blasfemues që duket sikur ka dalë nga Apokalipsi; Hurbineku, vogëlushi i lindur në Aushvic "që s'kishte parë kurrë një pemë". Nën këto dy shenja zhvillohet gjithë harku i librit: vazhdimësia, nën qindra aspekte të dukshme ose të fshehta "të murtajës që kishte nënshtruar Europën"; dhe zbulimi i një Rusie të re, përjetuar nga brenda dhe mbi kurrizin e vet, herë tragjike, herë e këndshme, larg çdo skematizmi ideologjik, shumë të ngjashme me përshkrimet e famshme të Pushkinit, të Gogolit dhe të Tolstoit.