Pages

5/07/2018

Jetë e vështirë me kujtesën


Nga Wislawa Szymborska




Jam dëgjuese e keqe për kujtesën time.
Më kërkon t'i mbaj vesh zërin pareshtur,
por unë s'rri në një vend, kollitem,
dëgjoj e s'mbaj vesh,
dal, kthehem dhe dal sërish.

Më kërkon gjithë vëmendjen e kohën.
Kur fle, fjollë i shkojnë punët.
Ditën, has peripeci dhe mërzitet.

Me zell më sugjeron letra të vjetra, foto,
cek ngjarje disi të rëndësishme,
më rikthen peizazhe që më kanë shpëtuar sysh,
i popullon me të fjeturit e mi.

Në rrëfimet e saj jam gjithnjë e më e re.
Gjë e këndshme, po kujt i hyn në punë ky avaz.
Çdo pasqyrë kumte të ndryshme më dërgon.

Kreshpërohet kur unë shkund supet.
Atëherë hakmerret e më valëvit gjithë gabimet e mia,
të rënda, e pastaj të harruara fare lehtë.
M'i ngul sytë, pret një përgjigje.
Më ngushëllon pastaj, mund të kish shkuar më keq.


Do që të jetoj vetëm për të dhe me të.
Aq më mirë në një dhomë të errët, të kyçur,
por në planet e mia ka përherë diell,
retë e sotme, rrugët ditë pas dite.

Herë-herë, s'e duroj dot shoqërinë e saj.
I propozoj të ndahemi. Sot e përgjithmonë.
Atëherë, mëshirëplotë buzëqesh,
e di që edhe për mua do të ishte ndëshkim.


© Përktheu nga italishtja: Aida Baro