Pages

8/09/2018

Rrëfenjë lamtumire

Nga Nazim Hikmet

Burri i tha gruas
të dua
dhe si:
sikur të shtrëngoja mes pëllëmbëve
zemrën time, njësoj si një cifël qelqi
që më përgjak gishtërinjtë
tek e thyej
si i krisur.

Burri i tha gruas
të dua
dhe si:
me thellësinë e kilometrave
me paskajshmërinë e kilometrave
njëqind për qind
një mijë për qind
pafundësisht për qind.

Gruaja i tha burrit
kam parë
me buzët e mia
me kokën, me zemrën time,
me dashuri, me llaftari, me nderim,
buzët e tua, zemrën, kokën tënde.
Këtë që t'pëshpëris tani
prej teje e kam mësuar
si murmërimë në errësirë
dhe sot e di
që toka
si një mëmë
me fytyrë diellore
mëkon krijesën e saj më të bukur.

Po ç'të bëj?
Flokët më janë ngërthyer
me gishtat e asaj që po vdes
s'mund ta çliroj kokën!

Nisu
pasi të shohësh sytë e kërthisë së re…
Lërmë.
Braktismë.

Gruaja heshti.
U puthën.
Një libër ra përtokë…
një dritare u mbyll…

Dhe u ndanë.


Përktheu nga italishtja: Aida Baro