Pages

2/11/2020

Autotomi



Nga Wislawa Szymborska



Në rast rreziku, holoturia copëtohet më dysh:
një pjesë të vetes ia lë botës së panginjur,
me tjetrën, merr arratinë.

Vrik ndahet në rrënim e shpëtim,
ndëshkim e shpërblim, ç’ka qenë e ç’do të jetë.

Në mes të trupit i hapet një hon
me dy brigje krejt të huaja.

Në njërin vdekja, në tjetrin jeta.
Këtej dëshpërimi, andej besimi.

Në ekzistoftë një peshore, pjatat nuk lëvizin.
Në ekzistoftë drejtësia, ja pra tek e keni.

Të vdesësh aq sa ç’lypset, pa e tepruar.
Të rilindësh aq sa duhet, nga ajo çka shpëtuar.

Vërtet, edhe ne dimë të ndahemi më dysh.
Por vetëm në mish dhe pëshpërimë të brishtë.
Në mish dhe poezi.

Nga njëra anë gryka, nga tjetra e qeshura,
e lehtë, e mbytur shpejt.

Këtej zemra e rënduar, andej "non omnis moriar",
Veç tri fjalë të shkurtra, tri pendë të një flatrimi.

Honi nuk na ndan.
Honin e kemi përqark.



Përktheu: Aida Baro