Pages

9/26/2011

GJETHE TË VDEKURA



Nga Nazim Hikmet



GJETHE TË VDEKURA

Lajpcig, Shtator 1961

Gjethet që bien ma çjerrin shpirtin përbrenda
sidomos gjethet e rruginave
sidomos në janë gështenja të egra
sidomos në kalojnë vocërrakë
sidomos në qielli është i kaltër
sidomos në kam marrë, atë ditë
një lajm të mirë
sidomos në zemra, atë ditë,
nuk më dhemb
sidomos në besoj, atë ditë,
që ajo që dua më do
sidomos në atë ditë
ndihem në paqe
me gjindjen dhe me veten
tek shoh gjethet që bien, shpirti më çirret
sidomos gjethet e rruginave,
të rruginave të gështenjave të egra.

                                ***

ÇKA KAM SHKRUAR PËR NE ËSHTË KREJT E RREME

Çka kam shkruar për ne është krejt e rreme
Është malli im
                rritur në një pemë të paarritshme
është etja ime
                nxjerrë në dritë nga pusi i ëndrrave të mia
është vizatimi
                përvijuar mbi një rreze dielli

Çka kam shkruar për ne është krejt e vërtetë
është hiri yt
                shportë cit me fruta përmbysur mbi bar
është mungesa jote
                kur bëhem drita e fundit në qoshkun e fundit të udhës
është xhelozia ime
                kur rend netëve mes trenave me sytë e lidhur
është lumturia ime
                lumë i larë në diell që vërshon mbi diga

çka  kam shkruar për ne është gjithë e rreme
çka kam shkruar për ne është gjithë e vërtetë.

                          ***

U ZHVESHA NGA IDEJA E VDEKJES

U zhvesha nga ideja e vdekjes
gjethnajën e qershorit ndër rrugina krahëve hodha
ajo e majit qe paksa rinore për mua.
Gjithë një verë më pret gjithë një verë në qytet
                me gurët e vet asfaltin përzhitës
                me arançatat e veta akullin e vet
                me sallat e djersitura të kinemave
                aktorët e provincës me zë të plotë
me taksitë e veta që zhduken
në ditët e mëdha të largimeve
                me pemët e tij në parkun Hermitazh
                që si kuinta prej prej letre ngjajnë
                nën dritën e llambave
ndoshta me këngët meksikane ose me tamtamët e Ganës
me poezitë që do të lexoj në ballkon
dhe me flokët e tu paksa të shkurtuar.

Gjithë një verë në qytet më pret
gjethnajën e qershorit ndër rrugina krahëve hodha
u zhvesha nga ideja e vdekjes.

                           *** 

DITËT JANË GJITHNJË E MË TË SHKURTRA

Ditët janë gjithnjë e më të shkurtra
do të fillojnë shirat.
Porta ime t’ka pritur, kanat më kanat çelur.
Pse vonove kaq shumë?

Mbi  tryezën time, ca speca jeshilë, kripë, pak bukë.
Verën që kisha ruajtur në kanë
e kam pirë përgjysmë, vetëm, duke pritur.
Pse vonove kaq shumë?

Por ja, mbi degë, të arrira, të thella
ca fryte rënduar nga mjalti.
Po rrëzoheshin pa u vjelë
                Po t’ishe vonuar dhe pak.


©Perktheu nga italishtja: Aida Baro