Pages

9/26/2011

KJO DASHURI


 Nga Jacques Prevert


Kjo dashuri
Kaq e furishme
Kaq e brishtë
Kaq e butë
Kaq e dëshpëruar
Kjo dashuri
E bukur si dita
E keqe si moti
Kur moti është i keq
Kjo dashuri kaq e njëmendtë
Kjo dashuri kaq e bukur
Kaq e lumtur
Kaq e hareshme
Kaq qesharake
që dridhet nga frika si një fëmijë në terr
kaq e sigurt në vetvete
si një burrë i sigurt në zemër të natës
kjo dashuri që iu kallte frikën
të tjerëve
i bënte të flisnin e të zbeheshin
Kjo dashuri  që sytë s’ia ndanin
Sepse ne s’ia ndanim sytë
E ndjekur si prè, e plagosur, e shkelur me këmbë, e vrarë, e mohuar, e zhdukur
Sepse ne e ndoqëm si prè, e plagosëm, e shkelëm me këmbë, e vramë, e mohuam, e zhdukëm
Kjo dashuri kaq e plotë
Kaq e gjallë ende
Dhe e puthur nga dielli.
Është dashuria jote
Është dashuria ime
Ajo çka ka qenë
Kjo diçka ngaherë e re
Që  kurrë s’ka ndryshuar
E njëmendtë si një lule
Drithëruese si një zog
E nxehtë, e gjallë si behari
Si  ti, si unë mund
Të shkojmë e të kthehemi, mund
Të harrojmë
E mandej sërish në gjumë të biem
Të zgjohemi, të vuajmë, të plakemi
Sërish të flemë
Vdekjen të ëndërrojmë
Të rinohemi
Dhe zgjuar të buzëqeshim, të qeshim. Dashuria jonë është aty,
Kokëfortë si një mushkë
E gjallë si dëshira
Mizore si mbamendja
Budallaqe si pendimet
E butë si kujtimet
E ftohtë si mermeri
E bukur si dita
E brishtë si një ferishte
Na vështron buzagaz
Na flet pa fjalë
Dhe unë mbaj vesh duke u dridhur
Dhe thërras
Thërras për ty
Thërras për vete
Të përgjërohem
Për ty, për mua, për të gjithë ata që dashurohen
Dhe që janë dashuruar
Oh, po, i thërras
Për ty, për mua, për gjithë të tjerët
Që nuk i njoh.
Qëndro aty ku je
Mos ik
Qëndro aty ku ishe dikur
Mos lëviz
Mos ik
Ne që jemi dashuruar, ne të kemi
Harruar
Ti mos na harro
Veç ty të kishim mbi dhè
Mos na lër të vdesim  të ngrirë
Larg, gjithnjë e më larg
Na jep një shenjëz  jete
Më vonë, më vonë, natën
Në pyllin e mbamendjes
Zgjatna dorën
E na shpëto.

Paris at night

Tre fije shkrepsesh të ndezura një pas një sonte
E para për të të rrëmbyer fytyrën me një vështrim
E dyta për të të soditur sytë
E fundit për të të kundruar buzët
Mandej gjithë terri për të t'ndërmendur
Teksa të shtrëngoj mes krahëve.

 © Përktheu nga italishtja: Aida Baro