Pages

10/14/2011

ËNDËRR


Nga Ana Ahmatova

Ëndërr

E dija, ti po më shihje n’ëndërr
Andaj gjumi s’po më zinte.
Një dritëz e mugët kaltëronte
e udhën më printe.

Kopshtin e mbretëreshës sodisje
Pallat’n’e saj të bardhë, kurorëderdhur
dhe portat arabeskash të zinj qëndisur
në hyrjet kumbuese gurëgdhendur.

Përpara ecje, mospërfillës ndaj rrugës
e mendoje: “Më shpejt, më shpejt,
Oh, sikur veç t’arrija ta gjeja,
të mos zgjohesha para se ta prekja ”.

Dhe roja i të bukurave porta
të thirri nga pas: “Ej, ku shkon?”
Kërkëllinte, po krisej akulli,
nën këmbë uji pis i zi sterroste.

“Ky është liqeni, - mendoje –
në liqen gjendet një ishull…”
Por në terrnajën e një hopi
një zjarr kaltërosh vezulloi.

Tek u zgjove në agun e ashpër
të një dite të shkretë, rënkove,
e për herë të parë
më thirre fort në emër.

Mjalti i egër ka shije lirie

Mjalti i egër ka shije lirie,
Pluhuri, shije rrezesh dielli,
Buzët e virgjëra, shije manushaqe,
dhe ari s’ka shije.
Luledjegësi ka shije uji
dhe dashuria, shije molle.
Por njëherë e mirë e kemi mësuar
Që gjaku veç shije gjaku ka…

Më kot prokurori romak,
Mes britmave ogurzeza të plebejve
lau përpara popullit duart,
e më kot mbretëresha e Skocisë
fshinte stërpikjet e kuqe
nga pëllëmbët hollake, në terrin
mbytës të pallatit mbretëror…

tablo: Blue lovers - Chagall
©Perktheu: Aida Baro