Pages

10/12/2011

TRE POEZI

Nga Salvatore Quasimodo




Njeriu i kohës sime
Ke mbetur po ai i epokës së gurit e hobeve,
njeri i kohës sime. Ti ishe në kabinë t’avionit,
mbi krahë dashakeq, meridianë vdekjeje.
Të pashë – brenda tankesh t’zjarrtë, pranë trekëmbëshit,
pranë rrotës së torturave. Të pashë: ishe ti
me shkencën tënde ekzakte kokulur ndaj shfarosjes,
pa dashuri. Pa Krisht. Dhe vrave sërish,

si ngaherë, siç vranë etërit, siç vranë
bishat që për herë të parë të panë.
Dhe ky gjak kutërbon si at’ditë
kur vëllai i tha vëllait:
“Dalim n’mejdan”. E ajo jehonë e akullt, e ngulmët
mbërriti gjer tek ti, brenda ditës sate.
Harrojini, o bij, avujt e gjakut
që prej tokës ngrihen: harrojini etërit:
Varret e tyre u zhytshnin nën hi,
Korbat, era, zemrën ua mbuloftë!
***
Kodrina e ëmbël
Këtë mbrëmje zogj t’ largët krahçelur
fërgëllojnë mbi lumë. Dhe shiu bie paprà
dhe fëshfërima e plepave praruar
nga era. Si çdo gjë e largët,
më ndërmendesh ti. E ëmbla e blertë
e petkave të tua është këtu mes bimësh
t’zhuritura rrufesh, ku ngrihet
e bukura kodrinë e Ardenos e dëgjohet
gjeraqina ndër degët e farashkës.
Ndoshta atij fluturimi lakshtrënguar
ia besoj rikthimin tim besëprerë,
ashpërsinë, mëshirën e mundur kristiane,
e këtë vuajtje të zhveshur nga dhembja.
Një lule korali ke ndër flokë.
Por fytyra jote një hije që s’ndryshon ësht’;
(kështu të bën morti). Nga shtëpitë e errëta
të mëhallës tënde mbaj vesh Adën dhe shiun,
a ndoshta fëshfërima çapash njerëzorë
mes kallamash të butë brigjeve.
***
Sakaq hij’e natës bie
Sekush rri n’vetmi në thelb të tokës
fshikur nga një rreze dielli:
Sakaq hij’e natës bie.

Tabllo: Cannibalism in autumn - Salvator Dali
©Perktheu: Aida Baro