Pages

11/09/2011

Xhungël buzëkuqësh


Nga Candace Bushnell

Fragment i shkeputur nga kapitulli i III-të.


Viktoria vendosi pecetën mbi prehër dhe hodhi sytë përqark e lehtësuar.

Ndonëse koleksioni i saj nuk kishte patur sukses, ishte e mrekullueshme të ktheheshe sërish në Nju Jork, ku një grua mund të ishte vetvetja, të thoshtë hapur atë që mendonte dhe të mos konsiderohej si antikrishti apo ndonjë rebele e rrezikshme, e gatshme të përdhoste ligjet e shenjta të sjelljes femërore.
“Krejt e kundërta e asaj çka ndodhte në Japoni”, mendoi me tërbim.
- Miss  Viktoria nuk mund t’i thoni jo propozimit tim! – kishte këmbëngulur zoti Ikito, kur ajo i pat telefonuar. – Ju grua. Duhet të dëgjoni fjalë burri. Ajo që thotë burri është më mira.
Më së fundi, qe dorëzuar dhe kishte pranuar ta shtynte vendimin e saj për një ditë tjetër. Gjë fort e mërzitshme.
- E dashur, s’të mbetet gjë tjetër veç të detyrosh dyqanet që të blejnë modelet e tua, – i pat thënë miku i vet Devid Bramli, kur i pat telefonuar për ta ngushëlluar pas atyre kritikave shkatërrimtare. – Mos u lër dorë të lirë të bëjnë me ty ç’të duan. Duhet ta kontrollosh vetë situatën.

E kishte kollaj të fliste Devidi. Edhe ai ishte një stilist i suksesshëm, por ama ishte edhe burrë, homoseksual. Si dhe një narçizist i çmendur. Njerëzit i druheshin Devidit. Ndërkaq, askush nuk dukej të kishte fije tutjeje ndaj Viktori Fordit.
Eh, tani nuk donte ta vriste mendjen për këtë. Të paktën, jo tani që do të hante drekë me mikeshat e saj të ngushta tek restoranti i Majkëllit. Paçka gjithë peripecive të jetës, Viktoria s’qe mërzitur kurrë me jetën e Nju Jorkut dhe ende drithërohej e tëra, kur hante në atë restorant. Ai kishte çmime padenjësisht të kripura, qe i ndarë në klane njësoj si në mencat e shkollave, por ditën që nuk arrije më të çmoje kënaqësitë e vogla të jetës shndërroheshe në një plakaruq të ligsht. Dhe në atë çast, gjithë bota të kishte kthyer krahët.
Ajo kishte mbërritur e para në restorant dhe përfitoi nga rasti për të studiuar disi mjedisin përreth. Tek Majkëlli ishte lokali më i shtrenjtë për njerëzit që bënin ligjin në qytet, disa syresh, madje, kishin aq shumë nevojë për të qenë pjesë e asaj bote, saqë vinin e drekonin aty përditë, sikur ai të ishte një klub i rezervuar vetëm për një grusht të përzgjedhurish. Në doje t’i kujtoje botës që dhe ti ekzistoje, shkoje e drekoje Tek Majkëlli. Madje kishte zëra që thoshin se gazetarët e thashethemeve i paguanin mirë kamarierët me qëllim që ata t’u rrëfenin se kush kishte ngrënë atje, me kë dhe për çfarë kishin biseduar. Tryezat më të zgjedhura qenë ato nga njëshi tek dhjeta dhe, meqënëse ajo do të drekonte me Niko O’Nillin dhe Uendi Heilin (Viktoria ishte fort modeste për ta rreshtuar dhe veten në atë listë), ishte ulur në tryezën numër dy.
Pak metra më tutje, paksa e mënjanuar nga gjithë të tjerat, gjendej tryeza numër një, më e lakmuara e restorantit. Ajo tryezë jo vetëm që konsiderohej si “tryeza e pushtetit”, por duke qenë se ishte shumë larg nga pjesa tjetër e restorantit, mbetej larg dhe veshëve përgjues. Në atë tryezë po drekonin tre gratë që Viktoria fshehtazi i kishte mbiquajtur Bletët Mbretëresha. Më të moshuara, më të mençura, të njohura për shpërthimet e tyre të vetvetishme, ato kishin qenë tre gratë e para në karrierë të qytetit dhe për vite të tëra kishin krijuar një lloj vakuumi rreth vetes. Thuhej që ato kishin qeverisur fshehtazi Nju Jorkun për një kohë të gjatë. Jo vetëm ngase kishin mbuluar pozicione kyçe në fushat e tyre, por edhe ngase kishin dyzet vjet që jetonin aty, i njihnin me dhëmbë e dhëmballë njerëzit me rëndësi. Njëra prej tyre, Suzan Arrou, ishte e njohur për një shprehje të sajën: “ Kushdo, para se të bëhej dikushi, ka qënë askushi. Edhe kryetari i bashkisë, madje”.
 Suzan Arrou duhej të ishte rreth të shtatëdhjetave, por ishte thuajse e pamundur të gjeje moshën e saj të vërtetë vetëm me një sy. Me të arritur të dyzetat, grave të suksesshme seç u ndodhte diçka. Dukej sikur koha rridhte, por ato zinin të dukeshin edhe më të reja e më të mira, se sa kur ishin në të tridhjetat. Doemos që trajtimet me botox dhe filler në fytyrë, lifting në sy e fytyrë luanin rolin  e tyre, por efekti ishte më i thellë se ç’mund të arrihej vetëm me anë të bisturisë. Sekreti i shkëlqimit të këtyre grave fshihej pas suksesit dhe arritjeve vetjake – ato shndrisnin dhe shkas qe jeta e tyre e përmbushur në çdo drejtim.
Suzan Arrou kishte sfiduar kancerin, kishte bërë dy lifting në fytyrë dhe ndoshta kishte ribërë dhe gjoksin, por kjo s’kishte pikë rëndësie. Me atë pulovër kashmiri ngjyrë kremi, me jakë V ( që nxirrte në pah një dekoltè çuditërisht rinore) dhe pantallonat e çelëta, ishte më seksi se kurrë. Viktoria dhe Nikoja thoshin gjithnjë që shpresonin të dukeshin të bukura sa gjysma e saj, kur të arrinin në atë moshë.
Suzana, themeluesja dhe presidentja e agjensisë së mirënjohur të marrëdhënieve publike ADL, ishte ulur në tryezë me Karla Endriusin, gazetaren e famshme televizive dhe Mafi Uilliamsin, që me ato pesëdhjetë e kusur vite që mbante nën lëkurë, ishte më e reja ndër të treja. Mafi ishte presidentja e degës amerikane të firmës B et C, konglomeratit që tregonte mallra luksi, gjë që e kishte bërë gruan më të fuqishme në industrinë e modës në Shtetet e Bashkuara. Sidoqoftë, pamja e saj fliste krejt përkundër origjinës së saj bostoniane. Mafi rridhte prej një familjeje intelektuale nga Bostoni me prejardhje nga protestantët e bardhë anglosaksonë, por dukej si një franceze e njëmendtë sqimatare dhe krejt e paafrueshme. Flokët e zinj i mbante gjithnjë të mbledhur topuz dhe nuk harronte kurrë të vinte në sy një palë syze Cartier me xhama blu dhe skelet floriri tetëmbëdhjetë karatësh. Në çështje pune, ishte një grua e pamëshirshme, nuk i honepste dot budallenjtë, dhe ishte një gjendje të krijonte ose të rrënonte karrierën e një stilisti.
Në çastin që kishte shkelur tek restoranti Tek Majkëlli dhe kishte parë Mafin, Viktoria kishte ndjerë t’i hovte zemra, jo nga frika, por nga admirimi që kishte për të.
Për Viktorian, Mafi ishte baras me Mik Xhegerin.  Ajo kishte një shije të pacen dhe kufij thuajse të paarritshëm.
Një fjalë e mirë nga Mafi ishte mrekullia vetë për Viktorian dhe, paçka se shumë njerëz do ta konsideroni si fëminore, Viktoria ende i ndërmendte me shumë hare gjithë komentet që Mafi i kishte bërë ndër vite. Pas paradës së saj të parë të madhe, këtu e gjashtë vjet të shkuara, Mafi pat shkuar në prapaskenë, i pat rrahur shpatullat në mënyrë autoritare dhe i pat pëshpëritur: “Shumë mirë, e dashur. Shumë, shumë mirë. Ke ta-lent!”


Përktheu: Aida Baro