Pages

8/25/2017

Hera-herës tani kur fle vetëm

nga Grace Paley



Hera-herës tani kur fle vetëm
i mbaj erë vetes
e vras mendjen në gjithë këto vite kjo
është era kaq e njohur për ty
në qoftë kështu, të pëlqente vërtet s’më
duket fort e këndshme ti çuditërisht
djersin pak për një burrë kaq sportiv por
e ëmbël më vjen aroma jote kur të rrok këto ditë
(ose ti mua) a kur vë kokën në
jastëkun tënd në shtrat e di që je ti
një kundërmim i lehtë oxhaku dhe të
frymëthith pak nuk habitem
s'e harroj përherë më këndellje shpirtin.


Përktheu: Aida Baro
Photo by Leone Cameli

8/21/2017

Charlotte Brontë i vuri zjarrin shtëpisë, por ishte Jean Rhys ajo që dogji sistemin



“Deti i paanë i Sargaseve” është libri më i fundit, që vjen nga botimet Pegi, një libër me pak faqe, por një zjarr i vërtetë. Autorja e lindur në Karaibe, shkoi të jetonte në Britaninë e Madhe pas moshës 16-vjeçare dhe vendosi që përpëlitjet e saj për pavarësinë femërore, në një botë të qeverisur nga meshkujt, t’ia veshë  gruas së çmendur, që rron nën çatinë e zotit Roçester në librin “Xhejn Er” të Charlotte Brontë dhe të na rrëfejë se si kjo grua, që dikur ishte një vajzë e re dhe e brishtë u shit përmes një martese, në duart e të riu krenar e kryeneç, zotit Roçester.
Rhyse fut Antuanetën në një shoqëri mjaft të ngjashme me atë ku rronte vetë: njerëz të ndezur nga urrejtja, të mbrapshtë në marrëdhëniet njerëzore e seksuale, aq sa mund të çonin një grua ta humbte vërtet mendjen. Berta Mejzon e “Xhejn Erit” nuk flet dhe për të dimë vetëm ato pak fjalë që shkëmbehen mes zotit Roçester dhe kunatit të tij: “Pjellë e ligë e një nëne të fëlliqur” ngarkuar me  barrën e alkoolizimit e tradhtisë bashkëshortore, të cilat e çuan në çmenduri. Por Jean Rhys, ajo mendonte krejt tjetër gjë për Bertën: ashtu si personazhi, ajo vetë kishte lindur e kishte kaluar fëmijërinë në ishullin e Dominikës, i kishte ardhur Francës rrotull duke pirë e duke shkuar me meshkuj si dashnore e modele nudosh dhe e urrente Anglinë me shpirt. Ndaj i dha Bertës emrin lozonjar Antuanetë Kosuej dhe e mori për dore nga fëmijëria, nëpër një botë plot urrejtje racore, dominimi mashkullor, etjeje për para e prona, braktisjeje, tradhtie, magjie, primitivizmi, për ta çuar drejt fundit të saj të paracaktuar nga Brontë. Rhys nuk  u dha thjesht mish e kocka personazheve të Brontë, as u ndryshoi fatet, apo të shpjegonte pse-të, por hyri në damarët e nervat e kohës, duke shpërfaqur kufizimet historike, që prodhonin të tillë trashëgimi të dhunshme.

Me zjarr e fillon librin Rhys dhe me zjarr e përfundon, por zjarri më i fortë është ai që digjet brenda njerëzve, në kërkim të pasioneve të tyre më të egra, por edhe të dashurive më të thjeshta. Është një zë i fortë ai i Rhys, një zë që u flet grave, që i flet një sistemi të tërë shtypës, aq shtypës, sa një grua që kërkon të jetojë siç do, e çon drejt çmendurisë. Charlotte Brontë i vuri zjarrin shtëpisë, por Jean Rhys dogji sistemin mbarë: ajo nuk pranoi të merrej me Xhejnin, por me Bertën, sepse e tillë ishte Rhys vetë, një grua që nuk përshtatej lehtë në modelet e kohës, një grua që ish rritur në mes të egërsisë së natyrës e të njerëzve të një bote përtej, ashtu si Antuaneta e saj; në një botë që nuk ia njohim ngjyrat e aromat (dhe për këtë duhet të falënderojmë Rhys, që na i sjell aq gjallë), që nuk ia njohim virgjërinë e egërsinë, që nuk ia dimë ritet e fshehta e fjalët e thëna nën zë në kushedi ç’dialekt, por që ia kuptojmë aq mirë egërsinë e seksit, e urisë për para e pushtet, e etjes për sadopak dashuri, sa do të thyente çdo njeri të brishtë, që rreket të luajë sipas rregullave. 

Anxhela Çikopano

8/17/2017

Armëpushimi - fantazmagoria e një lufte pa fund


"Armëpushimi" i Primo Levit, përkthyer nga Aida Baro, është libri i kthimit, odisea e Europës mes luftës dhe paqes. Ai është vijimi i "A është vallë, njeri...?" një ndër librat më të bukur të letërsisë europiane lindur në kampet e shfarosjes. Nëse libri i parë ishte shkruar menjëherë pas kthimit, thuajse me qëllimin për t'u çliruar së brendshmi nga barra e rëndë shpirtërore, si nevojë dëshmie, duke qenë se ai ishte një ndër të paktët hebrenj që mbijetuan në kampin e përqendrimit dhe duke iu bindur nevojës së menjëhershme për "t'u treguar të tjerëve, për t'i bërë të tjerët pjesëmarrës" të asaj tragjedie, libri i dytë është shkruar me njëfarë largësie nga ngjarjet, në një klimë më të shtruar e më të qetë.
Përgjatë gjithë "Armëpushimit", kësaj historie të trazuar dhe të larmishme të një pranvere lirie të pashpresuar, nota më e thekshme është ajo e një ankthi të tmerrshëm, e një trishtimi të pangushëllueshëm.
Aventura europiano-qendrore e Levit nuk mbyllet me çlirimin e Aushvicit nga ana e Ushtrisë së Kuqe, përkundrazi, si në një shtegtim fantazmagorik, Levi bashkë me një mijë e katërqind italianë të tjerë vërtiten nëpër hapësirën e paskajshme ruse për muaj me radhë, nga janari deri në fund të vitit 1945. Nuk dihen as sot e kësaj dite arsyet e kësaj sorollatjeje të panevojshme, ndoshta edhe thjesht për shkak të neglizhencës ose rrëmujës burokratike që mbizotëronte në Bashkimin Sovjetik të asokohshëm.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, të mbijetuarit e Aushvicit përshkojnë gjithë Europën Qendrore dhe Lindore, përmes Polonisë, Rusisë së Bardhë, Ukrainës, Rumanisë, Hungarisë dhe vetë Gjermanisë. Lufta ende s'ka mbaruar ose siç thotë greku i Levit, një ndër personazhet më të spikatura të romanit, "Luftë është përherë", Europa po shijon njëfarë "armëpushimi" para se të mbërrijë lufta tjetër, "Lufta e ftohtë" që do ta copëtonte sërish Europën.
Me vërtetësi, ironi therëse deri në sarkazëm, Levi përshkruan tipa dhe karaktere nga më të ndryshmet, tregjet klandestine të Krakovës dhe Katovicës, çmobilizimin e çthurjen e radhëve të Ushtrisë së Kuqe, tokën ruse të pafund, të pushtuar nga lavdia, mjerimi, harresa dhe forca jetësore; këneta e pyje të paprekura, trena të shkatërruar, gostitë e shfrenuara të rusëve të dehur nga fitorja; fjetoret plot ëndrra të italianëve në udhën e pasigurt të kthimit.
Galeria e personazheve është e pafundme, Greku, i dhënë pas ligjit të vet tregtar dhe anarkist; Çezare, "biri i diellit, mik me gjithë botën", që ndjek qëllimet e tij marroke me ndjesi të madhe praktike; Arapi i Venecias, plaku i madh blasfemues që duket sikur ka dalë nga Apokalipsi; Hurbineku, vogëlushi i lindur në Aushvic "që s'kishte parë kurrë një pemë". Nën këto dy shenja zhvillohet gjithë harku i librit: vazhdimësia, nën qindra aspekte të dukshme ose të fshehta "të murtajës që kishte nënshtruar Europën"; dhe zbulimi i një Rusie të re, përjetuar nga brenda dhe mbi kurrizin e vet, herë tragjike, herë e këndshme, larg çdo skematizmi ideologjik, shumë të ngjashme me përshkrimet e famshme të Pushkinit, të Gogolit dhe të Tolstoit.