Pages

8/29/2018

Jetëshkrimi


Nga Wislawa Szymborska


Ç'duhet bërë?
Duhet shkruar një kërkesë,
dhe bashkëngjitur jetëshkrimi.

Paçka sa gjatë ke jetuar
jetëshkrimi të jetë i shkurtër.

Ji konciz, përzgjidh faktet.
Peizazhet ktheji në adresa
kujtimet e vagullta në data të caktuara.

Nga gjithë dashuritë, mjafton ajo bashkëshortorja,
e nga fëmijët, vetëm ata që lindën.

Më shumë rëndësi kanë ata që të njohin
se ata që njeh.
Udhëtimet - vetëm ato jashtë shtetit.
Përkatësia - ku, po jo pse.
Tituj nderi - por pa motivacion.

Shkruaj sikur të mos flisje kurrë me veten,
sikur t'i shmangeshe.

Qen, mace e zogj, çikërrima të së shkuarës,
miq dhe ëndrra mos i zër në gojë.

Më mirë çmimin sesa vlerën,
titullin në vend të përmbajtjes.
Më mirë numrin e këmbës, jo ku shkon
ai të cilin veten pandeh.

Shto një foto ku veshët të duken qartë.
Rëndësi ka forma e tyre jo se ç'dëgjojnë.
Çfarë dëgjohet, gjithsesi?
Zhaurima e letraprerëses.



© Përktheu: Aida Baro