Pages

2/22/2020

Dashuria e pacipë e Goliarda Sapienza-s me Milan Kunderën

Intervistë dhënë gazetares Ani Jaupaj per gazetën "Panorama"

Ndryshe nga ç’mund të jetë rituali klasik i një përkthyesi, ku botuesi i propozon një libër, ai e pranon ose refuzon referuar subjektit, gjuhës etj. (megjithatë punon për nevojë të të punuarit), me “Muzën e haresë”, me ty, di që nuk ka ndodhur kështu. Ke shkuar te libri nga autorja, Goliarda Sapienza. Ç’ka qenë kjo orë që ju lidhi dhe, siç është e natyrshme të pyetet për dashuritë, si u gjetët?
Ishte një dashuri nga ato që s’të ndodhin në jetën reale, por vetëm nëpër libra. Dhe Goliarda Sapienza, së cilës nuk ia kisha dëgjuar emrin kurrë deri në maj 2013, hyri tepër befasisht dhe u bë përnjëherësh pjesë e rëndësishme e jetës sime. Një intervistë e saj në “RaiStoria”, që po e ndiqja, fillimisht pa ndonjë kureshtje të veçantë, do të bëhej galeot i gjithë rrugëtimit që do të merrte udhë më pas për përkthimin e “Muzës së haresë” në gjuhën shqipe.
Një grua e moshuar, në të shtatëdhjetat, me sy levarashë, me atë dritëzën e zgjuarsisë dhe të shpotisë që kanë zakonisht njerëzit e rrahur me vaj e uthull nga jeta, përgjigjej serbes edhe për pyetje nga më intimet. Thuajse, një grua e pacipë. Dashuria e saj me Milan Kunderën, seksi me të (ai, i mësuar me ato pelat serbe, e kishte shkalafitur atë krijesë delikate që ishte Sapienza dhe kjo s’kishte pranuar më të bënte dashuri me të), dashuria e lirë dhe pa kushte, liria personale për të zgjedhur një bashkëshort njëzet vjet më të ri se vetja, ajo lloj lirie që nuk cenon askënd në veçanti, por ama hedh në erë tabutë e një shoqërie të ndryrë brenda kornizash konvencionale e të rreme, përvoja e saj në burgun e grave, hyrje-daljet në spitalet psikiatrike ishin si një ftesë për ta jetuar jetën në të gjitha përmasat e saj, pa frikë, pa gjetur qoshen e ngrohtë e të sigurt që mendojmë se do të na ngushëllojë.
Goliarda, pavarësisht se gjatë viteve kishte pësuar edhe depresione, kishte bërë orvatje për vetëvrasje (gjëra që i mësova më vonë), të ftonte ta jetoje jetën me guxim, duke iu gëzuar çdo përvoje, madje edhe dhembjes, edhe vuajtjes.
Dashuritë kanatë të Modestës, qoftë me burrat a me gratë, ngjajnë me ato të Goliardës. Ajo, njësoj siç i jetonte, ashtu edhe i tregonte. Të zhvlerëson sinqeriteti i autores në ato pak intervista që ka dhënë, kur flet për marrëdhënien me Milan Kunderën, nevojën për të njohur burgun, psikiatrinë… Ti i ke dëgjuar, por duhet të dijë diçka edhe lexuesi në mënyrë që të shkojë drejt “Muzës”.
Gjatë leximit të “Muzës”, si dhe duke u njohur përditë e më shumë me karakterin e Goliarda Sapienza-s, vihet re një tipar i veçantë i saj: liria individuale dhe brishtësia. Të paktën, përpiqej me të gjitha format e mënyrat të ishte e lirë, nuk rrekej të ishte e përsosur, përkundrazi. Për më tepër, zgjedhjet e saj në dashuri nuk kishin të bënin me gjininë apo me seksin në vetvete, por me qenien.
Goliarda pati një lidhje të gjatë dashurie me një nga regjisorët më në zë të viteve ’70 në Itali, Citto Maselli-n, një lidhje që shkonte përtej dashurisë, sepse si aktore që ishte, ata shkruanin skenarë, bashkëpunonin nëpër sheshxhirime, bënin regji filmash së bashku. Por më pas, njohu një djalosh njëzet vjet më të ri se vetja, me të cilin u martua. Kur e pyesnin miqtë se pse pranoi të martohej me të, përgjigjja e çarmatosëse ishte: “Ai më donte dhe unë nuk doja ta zhgënjeja”.
Modesta e romanit është alteregoja e Goliardës, sepse vepron dhe sillet pikë për pikë siç do të donte të bënte Goliarda e brishtë. Madje, ka edhe karakteristikat e nënës së Goliardës, Maria Giudice-s, gruas së parë që u vu në krye të Dhomës së Punës në Itali, gazetare dhe sindikaliste revolucionare, një grua sa e guximshme, që u shkon gjërave deri në fund, ndonëse në fund të jetës do të pësojë një formë të rëndë depresioni, gjë që do ta trashëgojë edhe vetë shkrimtarja.
Sinqeriteti i saj e ka forcën pikërisht tek aftësia për të shprehur lirisht emocionet dhe nxitjet e brendshme të rrëmuara në nënvetëdije, që ajo arrin t’i sjellë në sipërfaqe duke shpalosur kështu natyrën e vërtetë të njeriut, që s’është vetëm i mirë ose i keq, vetëm homoseksual ose heteroseksual, por një qenie komplekse ku kapërthehen të gjitha instinktet më bazike, deri te mendimet më të larta e të përpunuara. Jo më kot, kritikët francezë e kanë quajtur “një heroinë niçeane plot me ide marksiste dhe pikërisht ky paradoks, pavarësisht vullnetit të autores së vet, e bën një roman modern”.
A ishte “Muza e haresë” ajo që e përfaqësonte Goliardën, me gjithë ç’ishte, më shumë se veprat e tjera? Pse zgjodhe këtë e jo një tjetër?
“Muza e haresë”, ndonëse një libër i konsideruar skandaloz, mbetet kryevepra e Goliarda Sapienza-s dhe duke dëgjuar intervistën e saj, ende pa lexuar librin, nisa të përfytyroja këtë grua, Modestën, rebelen që s’gjen kurrë prehje. Kuptohet, shtysa e parë ishte personale, unë si natyrë kam dashur të bëhem rebele, por s’ia kam dalë dot mbanë. (Ju lutem, mos e merrni me të qeshur, edhe rebelimi lind me njeriun.) Kështu që, si natyrë, ndihem më tepër afër Goliardës sesa Modestës, ndaj edhe Modesta në këtë rast mbetet alteregoja ime.
Ndoshta edhe e grave të tjera, si agjentja letrare gjermane, përkthyesja franceze dhe botuesja franceze që panë atë vullkan idesh dhe force që zotëron një grua. Ishin pikërisht ato të parat që, “pa smirë dhe zili femërore”, ndjenë shpirtërisht të afërt një feministe dhe mbi të gjitha, një njeri të vërtetë. Ndoshta ky libër është një mjet, që ka bërë bashkë shpirtra të ngjashëm nëpër botë. Kësisoj, nuk e bëra të gjatë dhe e mbajta frymën në librari për të kërkuar “L’artedellagioia”, kryeveprën e saj, që më rrëmbeu akoma më shumë sesa autorja. Ia propozova Loretës, botueses së “Pegit”, duke e përfshirë dhe atë në vorbullën e entuziazmit për një shkrimtare të panjohur, por të mrekullueshme.
Duhet të flasim për përkthimin. Do ketë me siguri lexues që nuk do të jenë familjarë me dialektin jugor, madje që mund t’i konsiderojnë edhe gabime. A e mendove këtë kur nise përkthimin apo kokëkrisja e Goliadrës të kishte frymëzuar sa duhet?
Frika e moskuptimit ekziston gjithmonë. Siç thashë edhe më lart, nuk jam rebele nga natyra dhe vendimi për t’iu qasur “Muzës” në frymën e dialektit nuk më erdhi si pasojë e ndonjë nevoje për revolucion përkthimor. Për më tepër që dialekti nuk mbizotëron në të gjithë romanin, gjë që besoj lexuesi do ta kuptojë se kjo gjë është bërë në funksion të tekstit dhe jo nga padituria e përkthyesit. Romani ndahet në katër pjesë.
E para rrëfen fëmijërinë e Modestës në një fshat të humbur të Sicilisë, larg detit, dhe gjuha e përdorur nga shkrimtarja është e mbushur me të folurën krahinore, shprehje frazeologjike, kurse disa prej dialogëve janë mirëfilli në dialektin sicilian. Dhe dora-dorës, me rritjen dhe arsimimin autodidakt të Modestës, ndryshon edhe gjuha e saj. Pjesët e tjera të romanit janë në shqipe standarde, kuptohet asnjëherë aq e thatë e zyrtare sa ç’mund të jetë standardi, por siç thashë më lart, kam ndjekur ritmin e ndryshimeve të shkrimtares.
Në pjesën e katërt, hyn edhe një personazh tjetër, Nina, një revolucionare nga Roma, me të cilën Modesta takohet në burg, pra në rrethana aspak të zakonshme, dhe Nina flet në dialektin roman, të cilin e kam shqipëruar me atë të Tironës së vjetër. Për të tëra këto vendime më është dashur të studioj librat e Musine Kokalarit, një shkrimtare e shkëlqyer, që në dy vëllimet e veta ka sjellë gjithë frymën e zakonet e Gjirokastrës së viteve ’30, me dialektin gjirokastrit, si dhe disa shkrime të Mustafa Greblleshit për të folmen e Tironës.
A pate momente, rrugës, gjatë të cilave u pendove për vendimin e marrë? Qoftë edhe për shkak të vështirësive?
Shpeshherë u tundova para idesë se do ta kisha më të thjeshtë ta përktheja në shqipe standarde, mirëpo domosdoshmëria e tekstit burimor ta impononte, përndryshe do të “tradhtoja” gjithë frymën e librit dhe vetë Goliardën.
Goliarda është një autore që është pranuar vonë edhe nga shtëpitë botuese, edhe nga lexuesit në Itali e Europë. Ndoshta ende ka që nuk e pranojnë. Ç’përshtypje ke marrë nga lexuesit shqiptarë?
Duhet ta pranoj që me shumë miq e kam diskutuar kaq gjatë historinë e Modestës, saqë entuziazmi im për të i ka molepsur dhe ata dhe më kanë ndihmuar shumë në përhapjen e lajmit gojë më gojë. Panairi i 19-të i librit, që sapo u mbyll, qe një sukses për “Muzën” edhe falë besimit të tyre ndaj zgjedhjes dhe përkthimit tim. Për më tepër, përshtypjet e lexuesve të tjerë të panjohur kanë qenë shumë të mira. Mendoj se “Muza e haresë” dhe Modesta shumë shpejt do të kthehen në muzë frymëzimi për shumë e shumë të tjerë.

http://www.panorama.com.al/dashuria-e-pacipe-e-goliarda-sapienza-s-me-milan-kunderen/