Pages

Showing posts with label interviste. Show all posts
Showing posts with label interviste. Show all posts

2/22/2020

Aida Baro: Robert Shvarc më bëri ta dua përkthimin



Intervistë dhënë gazetare Alda Bardhyli në gazetën Shqip.



Si e kujtoni grishjen drejt përkthimit të parë?

Nuk e mbaj mend realisht se kur ka ndodhur grishja e parë, por “Galeot qe libri dhe ai q’e shkroi” … pra letërsia. Qysh në fëmijërinë e hershme, biblioteka e tim gjyshi u bë pikënisja e aventurave të mia të para letrare, ku zhytesha bashkë me Guliverin dhe Robinson Kruzonë në ishuj vetmie të populluar nga personazhet e fantazisë sime. Pastaj, erdhi radha e “Iluzioneve të humbura”, “Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve”, “Xha Gorioi”, “Bel Ami” lexuar fshehurazi nga ime ëmë, që mendonte se ai libër s’i përshtatej moshës sime të vogël etj., etj.
Në fakultet, duke qenë se studioja gjuhën e kulturën italiane, dëshira për letërsinë italiane u rrit edhe më tepër dhe, mbaj mend që, kur lexova “Kolombrenë” e Dino Buzzati-t, përkthyer nga Gjergj Vlashi, më rrëmbeu e njëjta mahnitje dhe ëndje e leximeve të hershme. S’e di a u ndodh të tjerëve, sepse leximi është një përvojë krejt personale, por për mua, ata libra që më fusnin në një atmosferë ëndërrimtare e thuajse surreale, atmosferë të cilën jam në gjendje ta kujtoj edhe sot, mbartnin shenjën e librave frymëzues. Ndaj, e frymëzuar nga Buzzati, diku nga viti 1996, ende studente, nisa të përktheja tregimet e para nga një përmbledhje tregimesh “La boutique dei misteri”, rrëmuar në Spazio-n e kulturës italiane të fakultetit. “Shenjtorët” ishte tregimi i parë që përktheva, por kuptohet nuk ia tregova askujt. Shumë e ndrojtur nga natyra, nuk diskutoja për to, por vazhdoja përktheja ato tregime që më pëlqenin më tepër. Madje, deri vonë kam ruajtur edhe fletoret ku i shkruaja me dorë. Më pas, zbulova dashurinë për Pirandello-n; edhe me atë bëja të njëjtën gjë. Më lindi ideja për të bërë një triptik me tregimet e Buzzati-t, Pirandello-s e Moravia-s, nga të cilët përktheva shumë tregime, por që nuk u botuan kurrë në një libër të plotë. Tashmë një pjesë e këtyre tregimeve gjenden në blogun tim http://kurrkund.blogspot.com/. I kam hedhur në blog të paredaktuar, si për të ruajtur edhe naivitetin e dëshirës së parë, edhe gabimet, pse jo edhe talentin, të cilin do të ma pohonte më vonë vetë Robert Shvarc, shembulli që ndiqja e përpiqesha të imitoja asokohe. Më pas, do të vinte një propozim nga shtëpia botuese “Elite” për të përkthyer romanin e Italo Calvino-s, “Baronin rebel” (Il barone rampante), një nga kryeveprat e mirënjohura jo vetëm të autorit, por të të gjithë letërsisë italiane. Ishte një sprovë e vështirë, sidomos për përkthim të parë, por mesa duket ushtrimet e mëparshme me tregimet, më bënë të isha e gatshme për të marrë përsipër një vepër kaq madhore. Më pas vijuan përkthime të tjera jo aq të rëndësishme për nga autorësia, por tepër të rëndësishme për përvojën time në ushtrimin e zejes së përkthimit: “Më në fund, një shi diamantesh”, “Tangoja e harrimit”, “Zemër pasioni” nga Sveva Casati Modignani, “Xhungël buzëkuqësh” nga Candace Bushnell, “Vëllazëria e Pëlhurës së Shenjtë” nga Julia Navarro.


Cila ishte këshilla më e mirë ose forma që kishit në mendje kur nisët një përkthim?

Nuk e di, në krye s’kam pasur asnjë formë në mendje, kam pasur vetëm kënaqësinë e të humburit në një vend ku unë isha vetvetja. Me kalimin e kohës, kur po merrte formën e asaj çka doja të bëja në jetë, kuptohet që modelet kanë qenë ata që i kanë dhënë zë gjuhës shqipe: Fan Noli me shqipërimet e “Don Kishotit” e Shekspirit, por sidomos shumë kam dashur Robert Shvarc. Njohja me të më bëri përfundimisht të ngrija kokën prej zogthi të frikuar dhe ta shihja me besim përkthimin. Asokohe punoja si përkthyese në “Alba TV” dhe Shvarci vinte shpesh aty. E shikoja nga larg, e përshëndesja, doja shumë që të më lexonte ndonjë nga përkthimet e mia, ndaj, një ditë, me drojë, i afrohem dhe ndër të tjera më thotë: “Ti je ajo që bën përkthimet këtu? Që i përshtat aq bukur fjalitë e gjata në dy rreshta?” “Po”, – i them dhe, duke marrë zemër nga ky përgëzim, e pyes se a mund të më lexojë diçka që kam përkthyer. “Të shkurtër, – më tha, – se shëndeti s’më lejon.” Kësisoj, tregimin “Shenjtorët” të Buzzati-t, të redaktuar nga Shvarci, e ruaj edhe sot e kësaj dite si një nga gjërat më me vlerë të jetës sime. “Bëji me vizë dialogu, se me thonjëza bëhet puna çorbë”, ishte një nga vërejtjet e tij që e kujtoj gjithsaherë. Përpos saj, “Ke talent, vajzë, vazhdo”, ishte fraza që do të vuloste qenien time si përkthyese letrare.


Sa ndikojnë shembujt në një përkthim?

Në orvatjet e para, mendoj se ndikojnë shumë. Qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, përkthyesi ndjek ato karakteristika të aksh përkthyesi që do të donte t’i kishte të vetat. Për mua, saktësia dhe besnikëria në përkthim, përsosmëria e tingëllimit të tekstit në gjuhën shqipe, fraza e qartë, frazeologjia e pasur gjuhësore janë vetëm disa prej elementeve që kam “vjedhur” e përpunuar në vite nga të gjithë përkthyesit e nga të gjithë shkrimtarët e mirë shqiptarë, sidomos nga ata më të lashtët. Dikur, kur kisha ende kohë të lirë, një nga ushtrimet që bëja ishte përkthimi i një pjese apo poezie dhe krahasimi me një përkthim të mëparshëm. Kështu, mbaj mend që e kam bërë këtë provë me “Njëqind vjet vetmi”. Përktheja një pjesë nga varianti italisht dhe shkoja e krahasoja me vrap me përkthimin e Shvarcit. Ose krahasoja rresht për rresht “Komedinë Hyjnore” të Alighieri-t me shqipërimin brilant të Pashko Gjeçit. Besoj se kam vjelë shumë duke u përpjekur të eci në gjurmët e tyre, por ndërkohë shpresoj të krijoj një “gjurmë” timen.


Kishit momente kur donit të tërhiqeshit?

Nuk më ka shkuar kurrë ndër mend! Siç dihet, jeta s’na vjen mbroth gjithnjë dhe njerëzit shpesh janë detyruar të heqin dorë nga gjërat që duan të bëjnë për t’iu nënshtruar atyre që duhet të bëjnë. Kësisoj, ndërkohë që punoja (mbi dhjetë vjet) në një kompani celulare, në profile nga më të ndryshmet, por që s’kishin lidhje as me studimet, as me natyrën time të brendshme, nga përkthimi nuk hoqa dorë kurrë. Puna me përkthimin e filmave në televizione nga më të ndryshmet (që nga “Alba TV” e deri te “DigitAlb”-i, këto 7 vitet e fundit) më mbante të lidhur me përkthimin, më siguronte identitetin tim, mbronte karakterin tim të butë nga ashpërsimi dhe nga përplasjet me realitetin. Ka qenë gjithnjë limani im; kur mbyllesha në përkthim, ishte njësoj si leximi, nuk ekzistonin më të tjera gjëra, e kur shkëputesha prej aty, e shihja botën në një tjetër perspektivë. Kuptohet, lodhja është e madhe, honorarët lënë për të dëshiruar, por kur fati të sjell në dorë të përkthesh filma regjisorësh të mëdhenj si: Fellini me “La dolce vita”, “Amarcord”, “I vitelloni”, “Otto e mezzo”; Rossellini, De Sica, Paolo Sorrentino apo qoftë edhe komeditë italiane, që janë një kockë e fortë dhe një sfidë përshtatjeje kulturore barabar me një filozofi të tërë popullore, ngazëllehesh dhe i shijon deri në fund. Për më tepër, kur merr përgëzime nga njohës të mirë të gjuhës apo kulturës italiane, kënaqësia është e madhe. Doemos, një fije narcizimi nuk mund ta fsheh, por së pari vjen kënaqësia e një profesioni që s’e konsideroj punë.


Sa ndikon shkrimtari apo libri që po përktheni në jetën tuaj?

Varet nga libri dhe nga autori. Aktualisht po përkthej romanin “L’arte della gioia”, të një autoreje italiane, Goliarda Sapienza. Duke qenë se është zgjedhja ime, e miratuar edhe nga shtëpia botuese “Pegi”, më ka përfshirë krejtësisht me historinë e një vajze, që përmes rrëfimit të jetës së saj, na shfaq edhe një pjesë të historisë së Italisë nga viti 1900 e deri në vitet e vonshme. Më ka përfshirë për pasionin e saj për t’u kapur pas jetës me shpirt e me dhëmbë, për ta jetuar e shijuar në çdo situatë, një grua që s’ka frikë të thyejë tabu, që s’ka frikë të dashurojë qenien e individin, pavarësisht seksit. Është një libër thellësisht human dhe feminist.


Cili është ai momenti i dashurisë mes përkthyesit e shkrimit?

Ngjashmëria shpirtërore ose me fjalët e Goethe-s “afritë përzgjedhëse”. Zgjedhim dhe zgjidhemi reciprokisht me ata që na shëmbëllejnë, por që janë më të mençur se ne, më të urtë se ne, ata autorë e libra që do të donim të ishim.


2 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)






https://www.gazeta-shqip.com/2018/02/02/aida-baro-robert-shvarc-me-beri-ta-dua-perkthimin/

7/14/2017

7 shkronjat (për Koha Ditore)



Intervistë e botuar më parë në gazetën "Koha Ditore" (Prishtinë, qershor, 2017)

Aida Baro është diplomuar në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në universitetin e Tiranës për Letërsi dhe Gjuhë Italiane. Gjithashtu zotëron një Master në fushën e botimeve dhe të redaktorisë kryernë universitetine Urbinos“Carlo Bo”.
Ka punuar në televizione të ndryshme, e angazhuar gjithnjë në përkthimin dhe redaktimin e filmave e dokumentarëve (mbi 800 syresh), ndër të cilët mund të përmenden filma nga regjisorë si: Pier Paolo Pasolini, Federico Fellini, Vittorio de Sica, Roberto Rossellini, Paolo Sorrentino etj.
 Në vitin 2001 botohet për herë të parë, në shqipërimin e saj,  kryevepra e mirënjohur e I. Calvino-s“Baroni Rebel”.
Ka sjellë në shqip vepra të tjera letrare: “Më në fund një shi diamantesh...”, “Tangoja e harrimit”, “Zemër pasioni” nga Sveva Casati Modignani, “Xhungël buzëkuqësh” nga Candace Bushnell dhe “Vëllazëria e Pëlhurës së Shenjtë”nga Julia Navarro.
Aktualisht punon si kryeredaktore pranë Botimeve Pegi, për të cilën ka shqipëruar serinë për fëmijë “Olivia” të autorit Ian Falconer, si dhe romanin “Muza e haresë” të Goliarda Sapienza-s.


Letërsia - "Galeot qe libri dhe ai q'e shkroi" do të paralajmëronte Dantja mijëra vjet më parë. Kjo nuk vlen vetëm për Paolon dhe Françeskën, personazhet e tij të rrethit të pestë të Ferrit, por për të gjithë ata që e dashurojnë letërsinë.
Letërsia na bën të ëndërrojmë, të dashurohemi, të qajmë e të qeshim, të njohim vende dhe kohëra që nuk do t'i jetojmë kurrë. Për mua, zbulimi i letërsisë ka ndodhur qysh në fëmijërinë e hershme, kur ime ëmë na rrëfente përrallat e gojëdhënat, ku fjalët që dilnin nga goja e nënës ktheheshin në përfytyrime vendesh përrallore, floçkash uji e zanash mali. Më pas, biblioteka e tim gjyshi u bë qoshku im i preferuar. Qysh prej asaj kohe, letërsia ka qenë streha ime shpirtërore, një kohë kushtuar vetvetes, një ushqim i domosdoshëm që të ndihmon në rritjen dhe formimin e personalitetit, pa lënë pas kultivimin e shijes estetike dhe të hijeshisësë fjalës.

Përkthimi letrar  është thjesht vijim e asaj çka ishte nisur qysh më parë. Dëshira për të eksploruar botë të reja e autorë të rinj do të më shpinte drejt përkthimeve të para të tregimeve të Pirandello-s, Buzzati-it, Moravia-s. Leximet e shumta kishin lëmuar ndjeshmërinë ndaj tekstit, intuitën për të parë mes e nën rreshta, për të dalluar nuancën e fjalëve  e për t'u përpjekur për ta sjellë në shqipe sa më besnikërisht dhe sa më mirë.
Zeja e përkthyesit është shumë individuale dhe vetmitare, e lodhshme dhe jo fort e mirëpaguar, por nga ana tjetër, të shpaloset një botë, që shkon përtej së imagjinueshmes.
Në fillimet e mia kam ndjekur shembullin e përkthyesve si Robert Shvarc dhe Amik Kasoruho. Kam pasur fatin e mirë t'i njoh personalisht dhe përtej mjeshtërisë së tyre, kam njohur dy njerëz fisnikë në plot kuptimin e fjalës. R. Shvarc ka qenë ndër të parët që më ka inkurajuar për të vijuar këtë rrugë të vështirë. Ruaj si gjë të shtrenjtë redaktimin që Shvarci bëri për tregimin "Shenjtët" të Dino Buzzati-t, këshillat e tij mbeten të çmuara dhe sot e kësaj dite.
Përkthimi dhe shqipërimi kërkojnë që gjithnjë të lexosh, të njohësh gjuhën tënde sa më mirë, të rrëmosh e të shpluhurosësh gjuhën sa më thellë në kohë, të njohësh dialektet dhe të folmet, karakteristikat dhe veçantitë e tyre e të dish t'i përdorësh në vendin dhe në kohën e duhur.
Ndoshta pikërisht për këtë shkak, romani i "Muza e haresë" i shkrimtares italiane Goliarda Sapienza, përbënte një vepër sfiduese për çdokënd. Regjistrat e ndryshëm gjuhësorë që shkojnë nga dialekti sicilian, te dialekti roman, te një regjistër i ulët gjuhe deri te regjistrat e një gjuhe të lartë, të lëvruar e filozofike ndërthuren me njëri-tjetrin për të na shpërfaqur një larmi të madhe kulturore. Zgjedhja ime për t'i përkthyer po me dialekt, atë tosk dhe atë tiranas, në këtë rast me gjasë mund të quhen kokëkrisje, por sa i varfër do të dilte ai libër nëse do t'i hiqje pikërisht gjithë këtë larmi gjuhësore me të cilën përshkruhen dhe karakterizohen personazhet!
Sidoqoftë, puna e përkthyesit dhe sfidat e tij nuk kanë fund kurrë.

Liria dhe pavarësia, sidomos për një grua, shpesh janë ngatërruar me pacipërinë, mendjemadhësinë e përdaljen. Për mijëra vjet, gratë kanë qenë nën zotërimin e burrave. Madje, dikur edhe përmasa të tilla letrare si poezia, teatri apo vallëzimi u lejoheshin vetëm burrave. Jo më kot fjala "shtrigë" që në fakt do të thotë "grua e mençur" ka marrë konotacionin negativ, madje u kthye në një fakt për t'u dënuar mijëra e mijëra gra.
Janë të panumërta paragjykimet që bien mbi shpinën e grave, ato nuk kanë të drejtë të arsimohen, të bëjnë zgjedhjet e tyre në jetë, qofshin edhe të gabuara, dhe nuk i shpëtojnë dot fatit të tyre të paracaktuar nga burrat e familjes. Por jo pak herë, janë dhe vetë gratë armike të njëra-tjetrës, se vërtet burrat i kanë kyçur në vargonjtë e robërisë, por janë të tjera gra që i mbajnë ata çelësa thjesht dhe vetëm se janë të pavetëdijshme për fuqinë e tyre.
Por vetëm duke u arsimuar, duke lexuar libra dhe autore të fuqishme si S. de Beauvoir, M. Atwood, V. Woolf, E. Morante, G. Sapienza e të tjera gra të mençura, me një shkallë të lartë ndërgjegjësimi për qenien njerëzorë e sidomos të të qenit grua, mund të arrijmë atë emancipim që do ta shpinte përpara gjithë shoqërinë.

Toleranca - është një nga karakteristikat njerëzore që do të duhej të kishim me njëri-tjetrin, por që në të shumtën e rasteve nuk arrin të shfaqet.
Herë-herë, bëhemi kinse tolerantë për shkak të një ndjesie superioriteti ndaj tjetrit "Po të toleroj, sepse je i papërfillshëm për mua", por në të vërtetë, kjo e shton dozën e mosvlerësimit dhe diskriminimit ndaj "të ndryshmit".
Mostolerenca dhe diskriminimi po bëhen të vazhdueshme në mjediset tona dhe ndoshta sërish do t'i drejtohesha letërsisë për ca shembuj të fortë në lidhje me të. Koleksioni "Mozaik" i Botimeve Pegi me tituj si "A është, vallë, njeri...?" i Primo Levi-t, "Ylber hëne" i Emmanuelle Pagano-së, "Zotin kam dëshmitar" i Makis Citas-it do të ishin një fillim i mirë për të mësuar se në ç'luftra të egra të shpie diskriminimi racor, se çfarë vlon në shpirtin e një transgjinori të nëpërkëmbur nga shoqëria e se çfarë ndodh në një shoqëri ku vlerat e vërteta njerëzore shihen si dobësi.

Udhëtimi - Nuk e di sa më ka ndihmuar letërsia dhe kinematografia për të njohur botën, por di që udhëtimi mbetet një nga pikësynimet e mia në jetë. Jo thjesht udhëtimi si destinacion, por si përvojë. Vite më parë, kur vizitova Romën për herë të parë, papritmas u gjenda nën një tronditje të madhe shpirtërore për shkak të asaj bukurie të madhe magjepsëse që kisha para syve. Kisha lexuar shumë, kisha përkthyer e parë filma pa fund ku rrugicat e kalldrëmta të Romës, Panteoni, sheshi "Navona”, Fontana di Trevi, bujtinat e vogla ishin kthyer në personazhe reale në mendjen time, mirëpo asnjëherë nuk kisha qenë e vetëdijshme për përmasat e tyre, madhështinë e pafund që të shkaktonte realisht dhembje. Sidoqoftë, kuptova që kureshtja dhe njohja e botës janë gjëra që duhen lëvruar, në s'duam të shuhemi përbrenda.

Kujtesa jonë është si një magazinë të dhënash ku jo të gjitha ndodhitë ruhen. Herë-herë, duam vetë t’i fshijmë të gjitha, sidomos kujtimet e këqija, ato që na lëndojnë. Por ndonjëherë, ajo nuk na pyet se çfarë do të donim të kujtonim apo të harronim, e në një çast të caktuar, një aromë, një gjest, një imazh mund të sjellë në sipërfaqe ngjarje që s’mendonim se mund të na kishin ndodhur. Nga ana tjetër, kujtesa kolektive është më e prekshme për të gjithë shoqërinë.  Jo më kot, dy romanet e Primo Levi-t, “A është, vallë, njeri...?” (Botime Pegi, 2016) dhe vijimi i tij “Armëpushimi” (përkthimin e të cilit e kam në përfundim e sipër dhe pritet të botohet brenda shtatorit 2017), janë një dëshmi e fortë e Holokaustit, por me vetëdije do të vija shenjën e barazimit mes kësaj dhe luftës së egër dhe persekutimit serb që panë me sytë e tyre kosovarët jo vetëm më 1999, por gjatë gjithë historisë që nga ndarja prej trungut mëmë. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të falim, kjo do të thotë që s’duhet të harrojmë, sepse historia na ka treguar që në harresën më të vogël, çdo gjë përsëritet. Doemos kjo vlen edhe për të shkuarën komuniste të Shqipërisë, që në njëfarë mënyrë ishte kthyer në një kamp të madh përqendrimi dhe shantazhi psikologjik. Levi paralajmëron “ka ndodhur, ndaj mund të ndodhë sërish”.

Autoironia mund të jetë një prej elementeve më pak të vlerësuar në shoqërinë e sotme, ku gjithçka merret më seriozisht seç duhet, ku njerëzit mvishen me maskën hijerëndë të rëndësisë dhe nuk dinë të pranojnë apo të qeshin me cenet e tyre. Në të vërtetë, askush nuk është i përsosur dhe falë autoironisë secili prej nesh mund të krijojë marrëdhënie më të mira me të tjerët, të vërë në lojë defektet apo gabimet e veta pa u ndier ngushtë apo në siklet karshi të tjerëve. Jemi kaq të përkohshëm në krahasim me Kohën dhe Përjetësinë, saqë sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më shumë do ta shijojmë qëndrimin tonë në këtë jetë. Vetëm duke mësuar të qeshim e të luajmë me veten mund të krijojnë sintoninë dhe harmoninë me veten dhe të tjerët.