Pages

Showing posts with label letersi. Show all posts
Showing posts with label letersi. Show all posts

4/12/2020

Yjet pyesja


Nga Primo Levi


Kur fëmijë, yjet pyesja,
ty të kërkoja mes tyre.
 Pyeta edhe malet,
Por veç pak herë
Vetmi e prehje më falën.
Prej sates mungesë, netëve të gjata
nëmat më të marra blova
se bota një lajthitje e Zotit ish,
dhe unë një lajthitje e botës.
E kur, në çastin e mortit,
“jo” klitha nga çdo pore,
se ende s’i kisha dhënë fund botës,
se ende kisha për të dhënë,
ty të kisha para syve,
ti aty pranë meje, siç jemi sot,
një burrë e një grua nën diell.
U ktheva, se ishte ti me mua.

Perktheu: Aida Baro

2/22/2020

Aida Baro: Robert Shvarc më bëri ta dua përkthimin



Intervistë dhënë gazetare Alda Bardhyli në gazetën Shqip.



Si e kujtoni grishjen drejt përkthimit të parë?

Nuk e mbaj mend realisht se kur ka ndodhur grishja e parë, por “Galeot qe libri dhe ai q’e shkroi” … pra letërsia. Qysh në fëmijërinë e hershme, biblioteka e tim gjyshi u bë pikënisja e aventurave të mia të para letrare, ku zhytesha bashkë me Guliverin dhe Robinson Kruzonë në ishuj vetmie të populluar nga personazhet e fantazisë sime. Pastaj, erdhi radha e “Iluzioneve të humbura”, “Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve”, “Xha Gorioi”, “Bel Ami” lexuar fshehurazi nga ime ëmë, që mendonte se ai libër s’i përshtatej moshës sime të vogël etj., etj.
Në fakultet, duke qenë se studioja gjuhën e kulturën italiane, dëshira për letërsinë italiane u rrit edhe më tepër dhe, mbaj mend që, kur lexova “Kolombrenë” e Dino Buzzati-t, përkthyer nga Gjergj Vlashi, më rrëmbeu e njëjta mahnitje dhe ëndje e leximeve të hershme. S’e di a u ndodh të tjerëve, sepse leximi është një përvojë krejt personale, por për mua, ata libra që më fusnin në një atmosferë ëndërrimtare e thuajse surreale, atmosferë të cilën jam në gjendje ta kujtoj edhe sot, mbartnin shenjën e librave frymëzues. Ndaj, e frymëzuar nga Buzzati, diku nga viti 1996, ende studente, nisa të përktheja tregimet e para nga një përmbledhje tregimesh “La boutique dei misteri”, rrëmuar në Spazio-n e kulturës italiane të fakultetit. “Shenjtorët” ishte tregimi i parë që përktheva, por kuptohet nuk ia tregova askujt. Shumë e ndrojtur nga natyra, nuk diskutoja për to, por vazhdoja përktheja ato tregime që më pëlqenin më tepër. Madje, deri vonë kam ruajtur edhe fletoret ku i shkruaja me dorë. Më pas, zbulova dashurinë për Pirandello-n; edhe me atë bëja të njëjtën gjë. Më lindi ideja për të bërë një triptik me tregimet e Buzzati-t, Pirandello-s e Moravia-s, nga të cilët përktheva shumë tregime, por që nuk u botuan kurrë në një libër të plotë. Tashmë një pjesë e këtyre tregimeve gjenden në blogun tim http://kurrkund.blogspot.com/. I kam hedhur në blog të paredaktuar, si për të ruajtur edhe naivitetin e dëshirës së parë, edhe gabimet, pse jo edhe talentin, të cilin do të ma pohonte më vonë vetë Robert Shvarc, shembulli që ndiqja e përpiqesha të imitoja asokohe. Më pas, do të vinte një propozim nga shtëpia botuese “Elite” për të përkthyer romanin e Italo Calvino-s, “Baronin rebel” (Il barone rampante), një nga kryeveprat e mirënjohura jo vetëm të autorit, por të të gjithë letërsisë italiane. Ishte një sprovë e vështirë, sidomos për përkthim të parë, por mesa duket ushtrimet e mëparshme me tregimet, më bënë të isha e gatshme për të marrë përsipër një vepër kaq madhore. Më pas vijuan përkthime të tjera jo aq të rëndësishme për nga autorësia, por tepër të rëndësishme për përvojën time në ushtrimin e zejes së përkthimit: “Më në fund, një shi diamantesh”, “Tangoja e harrimit”, “Zemër pasioni” nga Sveva Casati Modignani, “Xhungël buzëkuqësh” nga Candace Bushnell, “Vëllazëria e Pëlhurës së Shenjtë” nga Julia Navarro.


Cila ishte këshilla më e mirë ose forma që kishit në mendje kur nisët një përkthim?

Nuk e di, në krye s’kam pasur asnjë formë në mendje, kam pasur vetëm kënaqësinë e të humburit në një vend ku unë isha vetvetja. Me kalimin e kohës, kur po merrte formën e asaj çka doja të bëja në jetë, kuptohet që modelet kanë qenë ata që i kanë dhënë zë gjuhës shqipe: Fan Noli me shqipërimet e “Don Kishotit” e Shekspirit, por sidomos shumë kam dashur Robert Shvarc. Njohja me të më bëri përfundimisht të ngrija kokën prej zogthi të frikuar dhe ta shihja me besim përkthimin. Asokohe punoja si përkthyese në “Alba TV” dhe Shvarci vinte shpesh aty. E shikoja nga larg, e përshëndesja, doja shumë që të më lexonte ndonjë nga përkthimet e mia, ndaj, një ditë, me drojë, i afrohem dhe ndër të tjera më thotë: “Ti je ajo që bën përkthimet këtu? Që i përshtat aq bukur fjalitë e gjata në dy rreshta?” “Po”, – i them dhe, duke marrë zemër nga ky përgëzim, e pyes se a mund të më lexojë diçka që kam përkthyer. “Të shkurtër, – më tha, – se shëndeti s’më lejon.” Kësisoj, tregimin “Shenjtorët” të Buzzati-t, të redaktuar nga Shvarci, e ruaj edhe sot e kësaj dite si një nga gjërat më me vlerë të jetës sime. “Bëji me vizë dialogu, se me thonjëza bëhet puna çorbë”, ishte një nga vërejtjet e tij që e kujtoj gjithsaherë. Përpos saj, “Ke talent, vajzë, vazhdo”, ishte fraza që do të vuloste qenien time si përkthyese letrare.


Sa ndikojnë shembujt në një përkthim?

Në orvatjet e para, mendoj se ndikojnë shumë. Qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, përkthyesi ndjek ato karakteristika të aksh përkthyesi që do të donte t’i kishte të vetat. Për mua, saktësia dhe besnikëria në përkthim, përsosmëria e tingëllimit të tekstit në gjuhën shqipe, fraza e qartë, frazeologjia e pasur gjuhësore janë vetëm disa prej elementeve që kam “vjedhur” e përpunuar në vite nga të gjithë përkthyesit e nga të gjithë shkrimtarët e mirë shqiptarë, sidomos nga ata më të lashtët. Dikur, kur kisha ende kohë të lirë, një nga ushtrimet që bëja ishte përkthimi i një pjese apo poezie dhe krahasimi me një përkthim të mëparshëm. Kështu, mbaj mend që e kam bërë këtë provë me “Njëqind vjet vetmi”. Përktheja një pjesë nga varianti italisht dhe shkoja e krahasoja me vrap me përkthimin e Shvarcit. Ose krahasoja rresht për rresht “Komedinë Hyjnore” të Alighieri-t me shqipërimin brilant të Pashko Gjeçit. Besoj se kam vjelë shumë duke u përpjekur të eci në gjurmët e tyre, por ndërkohë shpresoj të krijoj një “gjurmë” timen.


Kishit momente kur donit të tërhiqeshit?

Nuk më ka shkuar kurrë ndër mend! Siç dihet, jeta s’na vjen mbroth gjithnjë dhe njerëzit shpesh janë detyruar të heqin dorë nga gjërat që duan të bëjnë për t’iu nënshtruar atyre që duhet të bëjnë. Kësisoj, ndërkohë që punoja (mbi dhjetë vjet) në një kompani celulare, në profile nga më të ndryshmet, por që s’kishin lidhje as me studimet, as me natyrën time të brendshme, nga përkthimi nuk hoqa dorë kurrë. Puna me përkthimin e filmave në televizione nga më të ndryshmet (që nga “Alba TV” e deri te “DigitAlb”-i, këto 7 vitet e fundit) më mbante të lidhur me përkthimin, më siguronte identitetin tim, mbronte karakterin tim të butë nga ashpërsimi dhe nga përplasjet me realitetin. Ka qenë gjithnjë limani im; kur mbyllesha në përkthim, ishte njësoj si leximi, nuk ekzistonin më të tjera gjëra, e kur shkëputesha prej aty, e shihja botën në një tjetër perspektivë. Kuptohet, lodhja është e madhe, honorarët lënë për të dëshiruar, por kur fati të sjell në dorë të përkthesh filma regjisorësh të mëdhenj si: Fellini me “La dolce vita”, “Amarcord”, “I vitelloni”, “Otto e mezzo”; Rossellini, De Sica, Paolo Sorrentino apo qoftë edhe komeditë italiane, që janë një kockë e fortë dhe një sfidë përshtatjeje kulturore barabar me një filozofi të tërë popullore, ngazëllehesh dhe i shijon deri në fund. Për më tepër, kur merr përgëzime nga njohës të mirë të gjuhës apo kulturës italiane, kënaqësia është e madhe. Doemos, një fije narcizimi nuk mund ta fsheh, por së pari vjen kënaqësia e një profesioni që s’e konsideroj punë.


Sa ndikon shkrimtari apo libri që po përktheni në jetën tuaj?

Varet nga libri dhe nga autori. Aktualisht po përkthej romanin “L’arte della gioia”, të një autoreje italiane, Goliarda Sapienza. Duke qenë se është zgjedhja ime, e miratuar edhe nga shtëpia botuese “Pegi”, më ka përfshirë krejtësisht me historinë e një vajze, që përmes rrëfimit të jetës së saj, na shfaq edhe një pjesë të historisë së Italisë nga viti 1900 e deri në vitet e vonshme. Më ka përfshirë për pasionin e saj për t’u kapur pas jetës me shpirt e me dhëmbë, për ta jetuar e shijuar në çdo situatë, një grua që s’ka frikë të thyejë tabu, që s’ka frikë të dashurojë qenien e individin, pavarësisht seksit. Është një libër thellësisht human dhe feminist.


Cili është ai momenti i dashurisë mes përkthyesit e shkrimit?

Ngjashmëria shpirtërore ose me fjalët e Goethe-s “afritë përzgjedhëse”. Zgjedhim dhe zgjidhemi reciprokisht me ata që na shëmbëllejnë, por që janë më të mençur se ne, më të urtë se ne, ata autorë e libra që do të donim të ishim.


2 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)






https://www.gazeta-shqip.com/2018/02/02/aida-baro-robert-shvarc-me-beri-ta-dua-perkthimin/

Muza e haresë dhe e lirisë së gruas

Intervistë dhënë për Gentlewomen Magazine.
Modesta, personazhi qendror i librit “Muza e haresë” është një vajzë plot kontradikta brenda vetes që ka lindur dhe është rritur në një ambient të vështirë, siç është Siçilia. Autorja e këtij libri, Goliarda Sapienza, si një vazhduese e linjës së Virginia Woolf dhe Simone de Beauvoir, këtë herë në Itali, është përpjekur të sjellë një karakter kompleks, që aq sa dëshiron lirinë si qenie grua, aq edhe vepron kundër grave të familjes së saj.
A është thelbi i mungesës së lirisë a të keqes tek vetvetja, apo tek gruaja? 
Aida Baro, shqipëruese e “Muza e haresë”, përcjell disa nga mesazhet qendrore të veprës në këtë intervistë për GW. 

Modesta, një personazh mjaft kompleks, dhe do të thoja kontroverse është produkt rrethanash sociale të kohës në vendlindjen e saj, Siçili, apo një kundërshembull i tyre?
Modesta është personazhi femëror më kundra rrymës që ka sjellë letërsia italiane bashkëkohore. Gati-gati, të krijohet përshtypja se nuk mund të ekzistojë një personazh i tillë në jetën reale, por mendoj se Goliarda Sapienza ka portretizuar tek ajo dëshirën e saj për të qenë ndryshe, për të mos qenë pjesë e korit, por një soliste e denjë e jetës së saj, dëshirën e saj për të qenë e lirë, qoftë dhe duke iu kundërvënë gjithë botës. Dhe këtë e fillon me nënën e saj, e cila do të jetë e para në vargun e vrasjeve të grave që do të kryejë Modesta për të arritur lirinë. Për të, thelbi i së keqes është gruaja. Jo më kot i portretizon të ëmën dhe të motrën si dy gra të shëmtuara, murgeshat e manastirit po ashtu, dhe përkundrazi gjen të pashëm, pra të këndshëm, Tucun e Mimon, të vetmet figura mashkullore dashamirëse, që do ta shoqërojnë gjithë jetën, edhe në mendimet e saj më intime.
Modesta na dëften që uni i saj, egoja e saj, nuk mund të zhvillohej brenda mureve të një manastiri apo kufijve të një çifligu, por si për ironi të fatit pikërisht aty ajo fillon të zotërojë fjalën, shkrimin, mendimin, kupton rëndësinë e dijes, sidomos për pavarësinë e një gruaje. Dhe pikërisht për t’u çliruar prej vargonjve që i ka vënë shoqëria, çelësat e së cilës i mban gruaja, ajo do të vrasë më pas edhe kryemurgeshën Leonorë dhe princeshën Gaja. Vrasja duket si e vetmja zgjidhje e mundshme në kërkim të identitetit të saj dhe prandaj ajo gjithçka e kryen me gjakftohtësi dhe përllogaritje.
Në vazhdim, atëherë kur Modesta merr në dorë frenat e jetës së saj, del haptazi ideja se ato katër gra personifikonin të ligën e gruas kundër gruas dhe përpiqet e bëhet e kundërta e tyre, idealet e saj intelektuale dhe socialiste shkojnë përtej caqeve të një ishulli apo të një dogme e ideje partiake.
2. Çfarë sjell ky libër në aspektin e feminizmit? Si përballet personazhi kryesor me mjedisin tipik patriarkal?
Unë e shoh Modestën si personazhin femëror që ka realizuar vetveten. Goliarda Sapienza ka arritur të krijojë atë grua, që kishin nisur ta skiconin më parë Virginia Woolf e Simone de Beauvoir. Nëse personazhet e tyre mbeteshin në stadin e ëndërrimit dhe të luftës për pavarësi, te Modesta është realizuar liria e plotë individuale e qenies.
Të mos harrojmë përjetoi periudhën kur feminizmi u bë më i dukshëm, lufta e grave për të fituar të drejtat e tyre zbriti në sheshe, kështu që për t’u rritur, Modesta duhet të çajë rrugën e saj në shoqëri, duhet të heqë dorë nga çfarëdolloj mbrojtjeje mashkullore për t’u njohur dhe pranuar si individ. Qoftë dashuria e saj me Xhoisin, gruan misterioze psikanaliste, qoftë me Karminen, qehajain e çifligjeve të princeshës.
3. Pse ky kalim i autores nga rrëfimi në vetën e parë te narratorja/në vetën e tretë?
Romani është cilësuar si një roman formimi dhe krahas historisë së Modestës rrëfehet edhe historia e Italisë nga viti 1900 deri në vitet ‘60. Stili i romanit, në fakt, ndryshon sipas pjesëve që është ndarë romani. Nëse në pjesën e parë të tij, struktura u ngjan romaneve të shekullit XIX, pra, ka një ritëm më të shtruar dhe më intim, nga pjesa e dytë e më tej, ritmi përshpejtohet, hyn në formën e romaneve moderne. Pjesë e këtyre “trillive” të autores është edhe kalimi nga veta e parë në të tretën, në njëfarë mënyre, ajo herë bëhet pjesë e rrëfimit dhe herë e sheh nga jashtë, herë bëhet një “përrua ndërgjegjjeje”, herë një dëftuese, por asnjëherë gjykuese.
4. Sa e vështirë ka qenë për ty përshtatja e dialektit të Italisë së jugut me dialektin e Shqipërise së jugut? Disa shembuj. 
Në të vërtetë, vështirësia nuk qëndronte vetëm në përshtatjen e dialektit siçilian, por te kuptimi i regjistrave të ndryshëm gjuhësorë që përdor autorja. Që nga dialekti siçilian në fëmijërinë e Modestës, me gjuhën dhe rrëfimin e shtruar me larmi ngjyrash e tonalitetesh që na shfaqin një mjedis fshati, një mendësi të mbyllur; te gjuha e murgeshave, plot me referenca biblike dhe histori shenjtorësh; te gjuha e Gajës, princeshës dhe plakës së mençur që është e prerë dhe e ashpër, te gjuha e Modestës tashmë intelektuale; te Nina e burgosura nga Roma, që flet në të folmen romane, plot me shprehje frazeologjike dhe ironi therëse.
Zgjedhja ime për të përdorur të folmen e jugut rrjedh së pari nga fakti që nuk mund të përshkruhej ndryshe fryma dhe mjedisi siçilian, plot plantacione portokallesh, rrethuar me detin dhe me horizontin kufi. Së dyti, nuk e zotëroj dialektin geg, ndonëse në dilemat e para ishte dhe ky variant, dhe do të dilte diçka kallpe, pa natyrshmërinë dhe rrjedhshmërinë e duhur. Dhe si përkthyese, një ndër gjërat që vlerësoj më tepër, përpos besnikërisë ndaj tekstit, është rrjedhshmëria dhe fryma që do të marrë ai tekst në gjuhën tonë.
Ndërsa për të folmen e Ninës romane zgjodha të folmen e Tironës, sepse i përshtatej shumë mendësisë dhe karakterit të saj energjik.
Për shembull, për fjalën carusa/caruso (ragazza/ragazzo në italishte/ vajzë e re, djalë i ri), kam përdorur “koce” dhe “birçe”, siç i thonë në Vlorë dhe Labëri; për fjalën figghia (figlia/bijë) kam përdorur “bilë” (bijë) siç i thonë kryesisht në Gjirokastër. E shumë e shumë të tjera. D.m.th, kam shfrytëzuar të gjithë fondin gjuhësor të Jugut, ose të paktën atë fond që kam në njohuritë e mia, që mendoj se vijnë edhe nga rrënjët e familjes sime.
“Si arrite të më shpëtonje na zjarri i math, Tucu?”
“Ndënë njërin krah ty dhe ndënë tjetrin, Tinën e shkretë, e gjitha e
përzhitur, sa ngjante mu si copë dru kur bënet qymyr.
“Po pse s’e le atje të përcëllonej? Vetëm mua të më kishnje shpëtuar.”
“Pa shih ç’llomotit kjo koce shpirtzezë! Po e the edhe njëherë tjatër,
ty, për Perëndi, ty do të të lë të digjeç, pa çka se më je llërëbardhë dhe e
kolme si një pëllumbeshë.”

5. Çfarë e bën gjithëkohore personazhin e Modestës? A është ajo e vetmuar?
Modesta është një personazh revolucionar, ose më saktë një grua revolucionare dhe jo më kot Sapienza u ndëshkua me mosbotimin e këtij romani në gjalljen e saj. Dhe në këtë kuptim, ajo është e vetmuar, sepse askush nuk donte të botonte një roman blasfemues, që thyente tabutë e të gjitha dogmave apo ligjeve që ishin shkruar për gratë. Nga ana tjetër, sot, mendoj se Modesta nuk është më e vetme, ka shumë Modesta të tjera që po i bashkohen në jetën reale, sepse është një nga personazhet më frymëzuese dhe më të gjalla, që ta përcjellin dëshirën dhe të shtyjnë të reagosh, të ngresh krye.

Modesta, “zuska” që do të zbusë shoqërinë patriarkale shqiptare




Një nga librat që ka bërë më tepër inpakt vitet e fundit të vendin tonëështë padyshim edhe “Muza e Haresë” e autores Goliarda Sapienza. I përkthyer dhe i përshtatur me mjeshtëri në gjuhën tonë Kryeredaktorja e shtëpisë botuese “Pegi”, Aida Baro, e cila është kujdesur për të na tregon detaje rreth këtij botimi. Një libër aq sa tërheqës edhe i fortë ndaj qasjes së një bote femërore të eksploruar më parë, ku vetë mendimet, ndjesitë e autores pasqyrohen veshur nga manteli i tregimit artistik.
“Muza e Haresë” tashmë ka 2 vjet në tregun shqiptar, kohëmëse e mjaftueshme për të arritur në disa konkluzione jo vetëm në aspektin e biznesit, por më tepër në atë të përqafimit të një letërsie të guximshme femërore, të shkruar vite më parë, por që ndoshta në koncept është edhe mëi përparuar se shoqëria jonë. Doja disa nga këto konkluzione që ju vetë si përkthyesja e librit, më saktë si ajo që e risjellë atë nga origjinali do të veçonit?
“Muza e haresë” qysh në ngjizjen e vet ka pasur një histori të vështirë. Goliarda Sapienza-s iu deshën mbi 10 vjet për ta shkruar e, për fat të keq, ajo kurrë s’arriti ta shihte dritën e botimit të këtij romani. Qasja e këtij libri ndaj botës, përpos skandaloz, ishte dhe revolucionar e, në një Itali tepër katolike, ishte e vështirë që një libër që përshkruan një grua të lirë si Modesta të botohej e t’i jepej vendi i duhur. Në Shqipëri, për fat të mirë, është pritur shumë mirë. Lexuesit kanë ditur të kapin thelbin e asaj gruaje të pamposhtur, të mbërthyer me thonj e dhëmbë pas jetës, por jo duke u ankuar për vështirësitë e sfidat, por duke përjetuar çdo gjë me hare, me gëzimin e të jetuarit.
Mirëpo, më ka bërë përshtypje diçka. Kur doli libri në fillim, njerëzit e lexonin titullin “Muza e harresës” dhe kjo më la një shije trishtimi e ndërdyshjeje, jo sepse “hareja” është një fjalë e rrallë dhe e pandeshur, por njerëzit kanë harruar të jetojnë hareshëm, të shijojnë e të luftojnë pa humbur gëzimin e jetës. Në njëfarë mënyre, Modesta u kujton se nga vështirësitë më të madha, nga sfidat thuajse tëpamundura, lindin edhe haretë më të mëdha e përmbushjet shpirtërore. Ky është kumti më i madh që, të paktën, me ata lexues me të cilët kam komunikuar, kanë arritur ta kapin dhe ta bëjnë të vetin: liria për të vendosur dhe entuziazmi për të arritur çdo gjë, qoftë edhe ato që duken të pamundura.
Një libër që është shumë larg natyrës femërore të brishtë, të pafajshme pak a shumëçfarë paraqitet përgjithësisht në letërsi. Jemi përpara një fëmije, vajze dhe gruaja nëçdo në hap apo etapë e ka ditur mirë çfarë ka dashur dhe kostot për t’i arritur. Sa e vështirë ishte që “Modesta” të bëhet “shqiptare” të vishet me gjuhën tonë në artikulimin e mendimeve dhe të arrijë të përçojë atë që duhet tek lexuesi?
Vërtet, Modesta nuk është heroina e romaneve, me të cilët jemi rritur ne. Ajo është krejt e kundërta e tipologjisë së personazheve femërore, që bien lehtë në dashuri, që bëhen viktima të mjedisit ku jetojnë, bëhen pre e ndjenjave të tyre të brishta, qëëndërrojnë princa të kaltër që t’i shpëtojnë nga gjendja ku ndodhen; është e kundërta e të gjitha Ana Kareninave, zonjave Bovari, Hirusheve a Borëbardhave, fati i të cilave varet nga “dashamirësia” e një burri. Jo, Modesta e bën vetë fatin e saj, në të mirë e në të keq, me gjithë pasojat e mundshme që mund të vinin prej veprimeve të veta.
Për mua, personalisht, ndjekja e Modestës në rritjen e saj ishte një sprovë e vështirë përkthimi, sepse duhej ta ndiqje në formimin e saj si grua, si individ, si intelektuale e mendimit të lirë, që nga fëmijëria në një fshat të humbur të Siçilisë e deri në të gjashtëdhjetat e saj. Gjithë kjo jetë, kuptohet qëështë dhënë nga Sapienza me ndryshime të mëdha në regjistrin e gjuhës, ajo është një fshatarkë djallëzore, që flet në dialektin siçilian, me shprehje frazeologjike të larmishme, dhe në çastin që zbulon një bibliotekë të madhe në shtëpinë e princeshës, ku e strehojnë, për të gjithçka ndryshon. Zbulon se librat i hapin dyer të reja, i japin atë liri për të cilën ajo ka ndier nevojën dhe vetëkuptohet që edhe gjuha e saj ndryshon, derisa kthehet në një intelektuale të mirëfilltë, gjuha e saj kalon në një stad më të lartë letrar, të përpunuar e të stërholluar. Të gjithë këtë rrugëtim, pra, jam munduar ta përcjell pa i humbur asgjë nga fryma e saj, duke i përshtatur dialektin toskë, me të folmen e Labërisë e të Bregut, sepse edhe atmosfera e këtyre mjediseve përkon shumë me atë të Siçilisë: deti, plantacionet me limona e portokaj, varfëria e skajshme e disa katundeve etj. Por edhe nga pikëpamja e botëkuptimit, sidomos ai i Karmines, qehajait të princeshës Gaja, nuk ndryshon shumë nga ai i një labi: i fortë, i sertë, që flet me romuze, ama zemërbutë, kur bie në dashuri. Them se tashmë Modesta dhe Karmine mund të gjejnë të ngjashmit e tyre ndër shumë shqiptarë.
Sa mund të arrijë një libër i tillë të lëvizë sado pak diçka në ndryshimin e mendësive apo pse jo edhe të “skandalizojë”?
Qëllimi im që nëçastin që mora përsipër ta përktheja ky ishte: çelja e një plase, e një dritëze në murin e egër të mentalitetit shqiptar, që vajzat e gratë të frymëzohen dhe të kuptojnë se për jetën e tyre kanë të drejtë dhe duhet të vendosin ato vetë. Mund të organizosh konferenca pa fund për emancipimin e gruas, por atë frymëzim që ta jep letërsia zor se mund të ta japin orë të tëra konferencash të pakuptueshme shkencore.
“Skandali” në këtë rast është liria që frymëzon ky libër dhe frika e burrave se gratë që i konsiderojnë si pronë të mos u binden më verbërisht.
Unë uroj me gjithë shpirt që të ndodhin sa më shumë “skandale” të tilla, që vajzat e gratë të mos jenë më viktima të dhunës verbale apo fizike, por të bëhen të vetëdijshme për forcën e madhe që zotërojnë brenda tyre.
A konsiderohet “Modesta” një e ‘përdalë’ në shoqërinë patriarkale shqiptare?
Ndoshta, Modesta i ka ndarë njerëzit në dy kategori: në ata që e duan pa kushte, sepse kuptojnë përmasën e saj për të vendosur për jetën e vet dhe në ata që e quajnë “të përdalë”, “bishtpërdredhur”, “zuskë” etj. etj. (Siç e shikon, shqipja është kaq e pasur me sinonime për të përcaktuar një grua që s’i përgjigjet imazhit të gruas “së mirë”, por kjo ështëçështje tjetër.)
Sidoqoftë, revolucionet më të mëdha emancipuese për gruan nuk ndodhin duke plotësuar shëmbëlltyrën dhe detyrat që na ka caktuar shoqëria, por duke i thyer këto, ndaj duhet guxim së pari për të njohur veten dhe aftësitë e tua si grua e si individ e pastaj për t’ia përplasur shoqërisë të vërtetat e veta.
Justifikohet çdo veprim i “Modestës” për lirinë e saj, apo edhe vetë Goliardës i duhej një “stop” në një moment të caktuar?
Dilemat në këtë rast janë shumë të mëdha, sidomos nisur nga shprehja “Liria ime mbaron aty ku fillon liria jote”. Vetë Goliarda në fakt, duke u rritur në një familje anarkiste, ka pasur përplasje të mëdha në jetë, rregullat e imponuara nga shoqëria binin ndesh me shpirtin e saj të lirë, me moralin e saj të ndryshëm nga ai i shoqërisë. Mirëpo në kushte për jetë a vdekje, njeriu nuk e parashikon dot si do të reagojë. Ndaj, unë mendoj që Goliarda ka hedhur në letër ato çka morali i kohës e ndalonte t’i bënte realisht.
Sa “Modesta” ka parë Aida në gratë shqiptare dhe ku qëndron çelësi për të marrë sadopak tipare të saj?
Çdo vajzë shqiptare, që përpiqet të dalë nga qerthulli i sëmurë i mjedisit të mbytur ku jeton është një “Modestë”. Çdo vajzë, që përpiqet të arsimohet (dhe për mua personalisht këtu është thelbi i qenies sonë), që del kundër mentalitetit mashkullor të familjes e shoqërisë patriarkale, që punon e lufton çdo ditë me dinjitet për t’u realizuar e plotësuar si individ është një “Modestë” luftëtare. Vetëm kështu, me dinjitet dhe respekt për veten do t’i bëjmë vend vetes si gra, pa u mundur të zëmë vendin e burrave siç donte të bënte Dija në romanin “Sikur të isha djalë”. Le të na peshojë mendimi dhe fjala jo sepse kemi zënë vendin e një burri, por se jemi individë dhe qenie barabar të mençura e të forta sa ata.
Po te vetë ju sa ka ndikuar përkthimi i këtij romani?
Them se ka ndikuar shumë, më ka dhënë forcën për të vazhduar përpara për të realizuar gjërat që dua në jetë, e mbi të gjitha më ka frymëzuar për të përballuar me hare çdo sfidë dhe çdo vështirësi.


http://bitchmagazine.al/kulture/goliardes-aides-apo-ty-ciles-i-jep-jete-modesta/

7/14/2017

7 shkronjat (për Koha Ditore)



Intervistë e botuar më parë në gazetën "Koha Ditore" (Prishtinë, qershor, 2017)

Aida Baro është diplomuar në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në universitetin e Tiranës për Letërsi dhe Gjuhë Italiane. Gjithashtu zotëron një Master në fushën e botimeve dhe të redaktorisë kryernë universitetine Urbinos“Carlo Bo”.
Ka punuar në televizione të ndryshme, e angazhuar gjithnjë në përkthimin dhe redaktimin e filmave e dokumentarëve (mbi 800 syresh), ndër të cilët mund të përmenden filma nga regjisorë si: Pier Paolo Pasolini, Federico Fellini, Vittorio de Sica, Roberto Rossellini, Paolo Sorrentino etj.
 Në vitin 2001 botohet për herë të parë, në shqipërimin e saj,  kryevepra e mirënjohur e I. Calvino-s“Baroni Rebel”.
Ka sjellë në shqip vepra të tjera letrare: “Më në fund një shi diamantesh...”, “Tangoja e harrimit”, “Zemër pasioni” nga Sveva Casati Modignani, “Xhungël buzëkuqësh” nga Candace Bushnell dhe “Vëllazëria e Pëlhurës së Shenjtë”nga Julia Navarro.
Aktualisht punon si kryeredaktore pranë Botimeve Pegi, për të cilën ka shqipëruar serinë për fëmijë “Olivia” të autorit Ian Falconer, si dhe romanin “Muza e haresë” të Goliarda Sapienza-s.


Letërsia - "Galeot qe libri dhe ai q'e shkroi" do të paralajmëronte Dantja mijëra vjet më parë. Kjo nuk vlen vetëm për Paolon dhe Françeskën, personazhet e tij të rrethit të pestë të Ferrit, por për të gjithë ata që e dashurojnë letërsinë.
Letërsia na bën të ëndërrojmë, të dashurohemi, të qajmë e të qeshim, të njohim vende dhe kohëra që nuk do t'i jetojmë kurrë. Për mua, zbulimi i letërsisë ka ndodhur qysh në fëmijërinë e hershme, kur ime ëmë na rrëfente përrallat e gojëdhënat, ku fjalët që dilnin nga goja e nënës ktheheshin në përfytyrime vendesh përrallore, floçkash uji e zanash mali. Më pas, biblioteka e tim gjyshi u bë qoshku im i preferuar. Qysh prej asaj kohe, letërsia ka qenë streha ime shpirtërore, një kohë kushtuar vetvetes, një ushqim i domosdoshëm që të ndihmon në rritjen dhe formimin e personalitetit, pa lënë pas kultivimin e shijes estetike dhe të hijeshisësë fjalës.

Përkthimi letrar  është thjesht vijim e asaj çka ishte nisur qysh më parë. Dëshira për të eksploruar botë të reja e autorë të rinj do të më shpinte drejt përkthimeve të para të tregimeve të Pirandello-s, Buzzati-it, Moravia-s. Leximet e shumta kishin lëmuar ndjeshmërinë ndaj tekstit, intuitën për të parë mes e nën rreshta, për të dalluar nuancën e fjalëve  e për t'u përpjekur për ta sjellë në shqipe sa më besnikërisht dhe sa më mirë.
Zeja e përkthyesit është shumë individuale dhe vetmitare, e lodhshme dhe jo fort e mirëpaguar, por nga ana tjetër, të shpaloset një botë, që shkon përtej së imagjinueshmes.
Në fillimet e mia kam ndjekur shembullin e përkthyesve si Robert Shvarc dhe Amik Kasoruho. Kam pasur fatin e mirë t'i njoh personalisht dhe përtej mjeshtërisë së tyre, kam njohur dy njerëz fisnikë në plot kuptimin e fjalës. R. Shvarc ka qenë ndër të parët që më ka inkurajuar për të vijuar këtë rrugë të vështirë. Ruaj si gjë të shtrenjtë redaktimin që Shvarci bëri për tregimin "Shenjtët" të Dino Buzzati-t, këshillat e tij mbeten të çmuara dhe sot e kësaj dite.
Përkthimi dhe shqipërimi kërkojnë që gjithnjë të lexosh, të njohësh gjuhën tënde sa më mirë, të rrëmosh e të shpluhurosësh gjuhën sa më thellë në kohë, të njohësh dialektet dhe të folmet, karakteristikat dhe veçantitë e tyre e të dish t'i përdorësh në vendin dhe në kohën e duhur.
Ndoshta pikërisht për këtë shkak, romani i "Muza e haresë" i shkrimtares italiane Goliarda Sapienza, përbënte një vepër sfiduese për çdokënd. Regjistrat e ndryshëm gjuhësorë që shkojnë nga dialekti sicilian, te dialekti roman, te një regjistër i ulët gjuhe deri te regjistrat e një gjuhe të lartë, të lëvruar e filozofike ndërthuren me njëri-tjetrin për të na shpërfaqur një larmi të madhe kulturore. Zgjedhja ime për t'i përkthyer po me dialekt, atë tosk dhe atë tiranas, në këtë rast me gjasë mund të quhen kokëkrisje, por sa i varfër do të dilte ai libër nëse do t'i hiqje pikërisht gjithë këtë larmi gjuhësore me të cilën përshkruhen dhe karakterizohen personazhet!
Sidoqoftë, puna e përkthyesit dhe sfidat e tij nuk kanë fund kurrë.

Liria dhe pavarësia, sidomos për një grua, shpesh janë ngatërruar me pacipërinë, mendjemadhësinë e përdaljen. Për mijëra vjet, gratë kanë qenë nën zotërimin e burrave. Madje, dikur edhe përmasa të tilla letrare si poezia, teatri apo vallëzimi u lejoheshin vetëm burrave. Jo më kot fjala "shtrigë" që në fakt do të thotë "grua e mençur" ka marrë konotacionin negativ, madje u kthye në një fakt për t'u dënuar mijëra e mijëra gra.
Janë të panumërta paragjykimet që bien mbi shpinën e grave, ato nuk kanë të drejtë të arsimohen, të bëjnë zgjedhjet e tyre në jetë, qofshin edhe të gabuara, dhe nuk i shpëtojnë dot fatit të tyre të paracaktuar nga burrat e familjes. Por jo pak herë, janë dhe vetë gratë armike të njëra-tjetrës, se vërtet burrat i kanë kyçur në vargonjtë e robërisë, por janë të tjera gra që i mbajnë ata çelësa thjesht dhe vetëm se janë të pavetëdijshme për fuqinë e tyre.
Por vetëm duke u arsimuar, duke lexuar libra dhe autore të fuqishme si S. de Beauvoir, M. Atwood, V. Woolf, E. Morante, G. Sapienza e të tjera gra të mençura, me një shkallë të lartë ndërgjegjësimi për qenien njerëzorë e sidomos të të qenit grua, mund të arrijmë atë emancipim që do ta shpinte përpara gjithë shoqërinë.

Toleranca - është një nga karakteristikat njerëzore që do të duhej të kishim me njëri-tjetrin, por që në të shumtën e rasteve nuk arrin të shfaqet.
Herë-herë, bëhemi kinse tolerantë për shkak të një ndjesie superioriteti ndaj tjetrit "Po të toleroj, sepse je i papërfillshëm për mua", por në të vërtetë, kjo e shton dozën e mosvlerësimit dhe diskriminimit ndaj "të ndryshmit".
Mostolerenca dhe diskriminimi po bëhen të vazhdueshme në mjediset tona dhe ndoshta sërish do t'i drejtohesha letërsisë për ca shembuj të fortë në lidhje me të. Koleksioni "Mozaik" i Botimeve Pegi me tituj si "A është, vallë, njeri...?" i Primo Levi-t, "Ylber hëne" i Emmanuelle Pagano-së, "Zotin kam dëshmitar" i Makis Citas-it do të ishin një fillim i mirë për të mësuar se në ç'luftra të egra të shpie diskriminimi racor, se çfarë vlon në shpirtin e një transgjinori të nëpërkëmbur nga shoqëria e se çfarë ndodh në një shoqëri ku vlerat e vërteta njerëzore shihen si dobësi.

Udhëtimi - Nuk e di sa më ka ndihmuar letërsia dhe kinematografia për të njohur botën, por di që udhëtimi mbetet një nga pikësynimet e mia në jetë. Jo thjesht udhëtimi si destinacion, por si përvojë. Vite më parë, kur vizitova Romën për herë të parë, papritmas u gjenda nën një tronditje të madhe shpirtërore për shkak të asaj bukurie të madhe magjepsëse që kisha para syve. Kisha lexuar shumë, kisha përkthyer e parë filma pa fund ku rrugicat e kalldrëmta të Romës, Panteoni, sheshi "Navona”, Fontana di Trevi, bujtinat e vogla ishin kthyer në personazhe reale në mendjen time, mirëpo asnjëherë nuk kisha qenë e vetëdijshme për përmasat e tyre, madhështinë e pafund që të shkaktonte realisht dhembje. Sidoqoftë, kuptova që kureshtja dhe njohja e botës janë gjëra që duhen lëvruar, në s'duam të shuhemi përbrenda.

Kujtesa jonë është si një magazinë të dhënash ku jo të gjitha ndodhitë ruhen. Herë-herë, duam vetë t’i fshijmë të gjitha, sidomos kujtimet e këqija, ato që na lëndojnë. Por ndonjëherë, ajo nuk na pyet se çfarë do të donim të kujtonim apo të harronim, e në një çast të caktuar, një aromë, një gjest, një imazh mund të sjellë në sipërfaqe ngjarje që s’mendonim se mund të na kishin ndodhur. Nga ana tjetër, kujtesa kolektive është më e prekshme për të gjithë shoqërinë.  Jo më kot, dy romanet e Primo Levi-t, “A është, vallë, njeri...?” (Botime Pegi, 2016) dhe vijimi i tij “Armëpushimi” (përkthimin e të cilit e kam në përfundim e sipër dhe pritet të botohet brenda shtatorit 2017), janë një dëshmi e fortë e Holokaustit, por me vetëdije do të vija shenjën e barazimit mes kësaj dhe luftës së egër dhe persekutimit serb që panë me sytë e tyre kosovarët jo vetëm më 1999, por gjatë gjithë historisë që nga ndarja prej trungut mëmë. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të falim, kjo do të thotë që s’duhet të harrojmë, sepse historia na ka treguar që në harresën më të vogël, çdo gjë përsëritet. Doemos kjo vlen edhe për të shkuarën komuniste të Shqipërisë, që në njëfarë mënyrë ishte kthyer në një kamp të madh përqendrimi dhe shantazhi psikologjik. Levi paralajmëron “ka ndodhur, ndaj mund të ndodhë sërish”.

Autoironia mund të jetë një prej elementeve më pak të vlerësuar në shoqërinë e sotme, ku gjithçka merret më seriozisht seç duhet, ku njerëzit mvishen me maskën hijerëndë të rëndësisë dhe nuk dinë të pranojnë apo të qeshin me cenet e tyre. Në të vërtetë, askush nuk është i përsosur dhe falë autoironisë secili prej nesh mund të krijojë marrëdhënie më të mira me të tjerët, të vërë në lojë defektet apo gabimet e veta pa u ndier ngushtë apo në siklet karshi të tjerëve. Jemi kaq të përkohshëm në krahasim me Kohën dhe Përjetësinë, saqë sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më shumë do ta shijojmë qëndrimin tonë në këtë jetë. Vetëm duke mësuar të qeshim e të luajmë me veten mund të krijojnë sintoninë dhe harmoninë me veten dhe të tjerët.