Pages

8/09/2021

Kur të bëj dashuri me ty

 Lucia Ferrara



Kur të bëj dashuri me ty

lëkurën do ta kem të gdhendur

si fije alabastri

për të të larë me dritë të dehur.

Kur të bëj dashuri me ty

do të jem e bukur cullak

mes duarve të tua

e si gjethe e ledhatuar nga era

do t’fërgëlloj e plazmuar dashurie.

Kur të bëj dashuri me ty

do të kem hire fëminore

mes iluzioneve budallaqe

si naiviteti verbues

i dashurisë së parë.

Kur të bëj dashuri me ty

do të jem e dehur këmbë e krye

në rrëmujën e dhomës

si afsh gushti

e paçka se s’dua

do të kem një klithmë në zemër.

Kur të bëj dashuri me ty

do të jem më e bukur se një nuse

e valë

e brishtë

e përgjëruar

e butë

e guximshme

në natën e parë të martesës.

Kur të bëj dashuri me ty

Shtrëngomë fort mes krahëve të tu

dhe gjithë yjet e qelqtë

do shndërrohen në zjarre hareje

e kurrë s’do të jetë natë.

Sikur të më duhej të të prisja një mijë vjet

e pastaj një mijë të tjerë

kur të bëj dashuri me ty

do të jetë e para herë.


Përktheu: Aida Baro

Photo: Ted Preuss

6/23/2021

Jam fort e mbarë gjatë ditës

 Nga Sibilla Aleramo



Jam fort e mbarë gjatë ditës.

Kuptoj, pranoj, lot nuk derdh.

Zëre se mësoj të jem krenare si t’isha burrë.

Por në të parën drithërimë të purpurt në qiell

çdo mbrojtje e ditës bëhet fir.

Ti më pëshpërit nga larg: “mbrëmje, mbrëmje e butë dhe imja!”

Më duket se mbart mes gishtërinjsh lodhjen e botës mbarë.

S’jam më veçse vështrim, vështrim i përhumbur, dhe damarë.


Përktheu: Aida Baro

Photo: Ted Preuss

6/22/2021

Cullak në diell

 Nga Sibila Aleramo 




Cullak në diell

për ty që pikturon pa lëvizur po rri,

veç gjinjtë ritmojnë

jetën plot zjarr të zemrës.

Si qiell i ëmbël agu

është për ty imja trajtë e ndritur,

lëndinë, ujë, lule vetmitare petalelulëzuar,

shermend pjergulle në harlisje.

Tek adhuron, me drithërimë gishtat e butë

shëtit mbi pëlhurë.

Cullak në diell dhe pa lëvizur,

Fragment natyre,

të sodis përgjërues dhe gjakues.

Nga ty e pushtuar në ty e tretur,

je ti që në hyjni më kthen

A mos vallë hyjnia ime të krijon,

artist, art, shpirt?

Heshtazi, gjiri frymon.


Në shqip: Aida Baro

Photo: Ted Preus